10 librat qe nuk duhen humbur

10 librat qe nuk duhen humbur

-Komedia Hyjnore (Ferri)-Dante Aligeri

-Në kërkim të kohës së humbur- Marsel Prust

-I ndjeri Matia Pascal   – Luigi Pirandello

-Lulet e së keqes- Sharl Bodler

-Disiplina dhe dënimi –Michel Foucault

-“Anatomia e dëmtimit të njeriut -Erik Fromm

-“Çështje të marrëzisë” –Ismail Kadare

- “Aurora, mendime mbi paragjykimet morale”- Niçe

-“E kuqja dhe e zeza” –Stendal

-“Don Kishtoti” -Servantes

 

Librat që do të zgjidhte në Bibliotekën e Madhe të Botës/ Nga poezitë e dashurisë së Sharl Bodler, te “Në kërkim të kohës së humbur” të Prust, “Ferri” i Dantes…deri te përrallat që vazhdojnë ta magjepsin ende sot

E barku i saj e gjinjtë, si dy fryte të virgjër erëmirë/dhe llërët dhe këmbët dhe kofshët dhe baseni/ të lëmuar si fildish, të kurbëzuar si qafë mjellme/shfaqeshin para meje mermer i pastër e plot dritë….Këto vargje janë shkëputur nga poezia “Stolitë” pjesë e vëllimit poetik “Lulet e së keqes” e Sharl Bodler. Ndjesitë që Bodler tregon në këto vargje për një grua nudo dhe tepër sensuale, u ndaluan me një vendim gjyqësor më vitin 1857. Bodler e shkroi këtë poezi kur ishte 21 vjeç, për një dashuri të fshehtë, pa emër, si të gjitha dashuritë e mëdha. Ishte një grua, e shtrirë nudo para tij në divan, me stolitë që i vareshin në qafën e hollë. Një grua që ai e deshi, dhe që sipas kritikëve mund të ketë qenë Jeanne Duval dhe jo një fantazi e poetit. Vargjet e tij për të, cilësohen si kulmi i lirikës së dashurisë, duke mbetur dhe sot një shembull i rrallë i një moderniteti gjenial shprehur në formën më klasike të poezisë. Ledi Shamku, e do shijen që lë gjatë brenda saj Bodler. “Lulet e së keqes”, e cilësuar si një nga kryeveprat e letërsisë franceze është një prej librave që ajo do të zgjidhte në Bibliotekën e Madhe të Botës, nëse i duhet të zgjidhte vetëm 10 libra. Bodlerin do ta merrte pa mëdyshje e bindur se aty gjendet mësimi më i mirë sesi mund të nxjerrësh më të mirën nga e keqja dhe të mësosh të jetosh me të.

 

Tek ai gjendet fantastikja, pasioni për udhëtimin, refleksion i thellë për vdekjen, ëndrrat dhe atë ku duam të gjejmë prehje dashurinë. Me këtë libër diku në bibliotekën tënde, nuk i humb kurrë shpresat. Si një femër e angazhuar, e cila dëshiron të shohë përtej letrave, “Komedia hyjnore” është një tjetër libër që Shamku nuk do të donte ta humbte. Udhëtimi i jashtëzakonshëm i Dantes nëpër tri mbretëritë e përjetshme Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës për gati 24 orë, është një spastrim i mirë për shpirtin njerëzor. Shamku do të zgjidhte Ferrin, aty ku është vendi i ndëshkimit të çdo dhune, mospërmbajtjeje, mashtrimi. Pasi pas çdo udhëtimi në rrathët e Ferrit, pas çdo fytyre të historisë që takon, është një leksion për jetën reale, për të ecur drejt rrugës së moralit. Marsel Prust, është një tjetër shkrimtar francez, i cili të bën ta duash që me librin e parë që i lexon. “Në kërkim të kohës së humbur”, vepra e tij e famshme është një tjetër libër që Shamku zgjedh, për ta veçuar. Një libër që të fut në skutat e pafundme të kujtesës, e të tregon dhomat e mëdha që mbajnë brenda jetët e secilit prej nesh. Ashtu si në jetën e një njeriu dhe në jetën e një kombi, kujtesa është ajo që e drejton drejt së ardhmes. Një libër filozofik, që i duhet çdo njeriu që beson në forcën e padukshme të së shkuarës. “I ndjeri Matia Pascal”, romani i njohur i Pirandellos, i cili ende nuk ka ardhur në gjuhën shqipe është një tjetër libër që ka lënë ende gjurmë te Shamku.

 

Fituesi i çmimit Nobel më 1943 Pirandelo shquhet për guximin në dramat e tij. Tipike për Pirandelon është të tregojë se si arti apo iluzioni përzihen me realitetin dhe se si njerëzit i shohin gjërat në një mënyrë krejt ndryshe – fjalët nuk janë të besueshme dhe realiteti është në të njëjtën kohë i vërtetë dhe i rremë. Farsat tragjike të Pirandelos janë parë shpesh si pararendëse për Teatrin Absurd. E tërhequr nga sociologjia nuk ka si të mungojë në listën e librave të saj dhe vepra e sociologut të njohur francez, Michel Foucault, “Disiplina dhe dënimi”. Historia moderne europiane dhe amerikane bazohet në përpjekjen për ta çliruar lirinë nga zinxhirët politikë, ekonomikë dhe shpirtërorë që kanë lidhur njerëzit. Betejat për lirinë u bënë nga të shtypurit, nga ata që aspironin një liri të re, kundër atyre që kishin privilegje për të mbrojtur.

 

Duke luftuar për çlirimin e tyre nga tirania, çdo klasë besonte se luftonte për lirinë në vetvete dhe kështu mund t’i bënte thirrje një ideali, dëshirës për liri të rrënjosur te të gjithë të shtypurit. Megjithatë, në betejën e gjatë dhe të vazhdueshme për lirinë, klasat që në një moment të përcaktuar historik luftuan kundër shtypjes u hodhën nga ana e armiqve të lirisë kur fitorja ishte e siguruar dhe kishte privilegje të reja për të mbrojtur. Humbja e unit, zëvendësimi i tij me një pseudoun e lë individin në një gjendje të thellë pasigurie. Ai është i mbërthyer nga dyshimi, mbasi duke qenë në thelb një refleks të asaj që të tjerët presin prej tij, në një farë mënyre ka humbur identitetin e vet. Për të mundur këtë panik janë të shumtë ata që përballë përgjegjësisë që shoqëron të jetuarin në liri, preferojnë të arratisen drejt kufijve të rinj të totalitarizmit ose të strehohen në konformizmin e masës. Ledi Shamku u beson teorive të Erik From, për politikën, njeriun, apo besimin. Libri i tij “Anatomia e dëmtimit të njeriut” të cilin e ka lexuar në italisht, renditet i gjashti në listën e librave që ajo nuk do të donte të mos e kishte lexuar. Ismail Kadare, shkrimtari i njohur shqiptar kandidat për çmimin Nobel, është një tjetër i preferuar i Shamkut me librin e tij “Çështje të marrëzisë” ose “Kronikë në gur”’. Bota është e marrë”, zbulon Kadare në këtë libër.

 

Dhe e vetmja e vërtetë për shpjegimin e saj është marrëzia. Por kjo e vërtetë e thjeshtë nuk mund të zbulohet me asnjë nga instrumentet e njohjes që ka shpikur njerëzimi, me asnjë nga teoritë, ideologjitë, apo kuturisjet e marra nëpër botë. Ajo zbulohet vetëm me naivitetin e fëmijës. Vetëm syrit të pafajshëm fëmijëror i zbulohet e vërteta e madhe. Dhe e vërteta e madhe e botës është marrëzia. Niçe dhe teoritë e tij filozofike janë një rrugë për të njohur të vërtetën. Shamku zgjedh librin e tij “Aurora, mendime mbi paragjykimet morale”. Sharmi francez, Stendal dhe kryevepra e tij “E kuqja dhe e zeza”, është një tjetër libër që Shamku e zgjedh me dëshirë. Historia e të riut inteligjent e ambicioz, Zhylien Sorelit, që ka fatin të arsimohet dhe guximin e ambicien të dallohet në shoqërinë e lartë, është gjithmonë aktuale. Dy dashuritë e tij; zonja Dë Renal dhe Matildë dë la Mol, janë simbol i kundërshtive të egra që përplasen në shpirtin e Zhylienit. Libri i fundit që ajo zgjedh, dhe pse janë pafund librat që i kanë mbetur gjatë në mendje, apo i kanë hapur rrugën për diku, është ai që flet për kufijtë e së pamundurës. “Don Kishoti” i Servantesit, libri që u kushtohet idealistëve është një roman që të përfshin jo vetëm për fantazinë, por dhe moralin që përcjell. Shamku është nga ata që beson se librat nuk kanë vetëm aftësinë të të magjepsin, por edhe të të ndryshojnë. Ashtu si përrallat. Ajo nuk e ka humbur ende ndjesinë që të jep leximi i përrallave, që nga koha kur i dëgjonte teksa ia lexonte gjyshja Feti. Ato ishin përralla të pashkruara, legjenda urbane, e gjysmëmitologjike, por që ende i ka në kujtesë. Nga ajo kohë, leximi i përrallave është diçka e pashmangshme për të, si një manual për të gjetur rrugën e duhur për diku.

 

Këto ditë po lexon përrallat irlandeze, të përkthyera në shqip. Sipas psikologëve, ligjërimi themelor i arsyes transmetohet përmes përrallave. “Bambi” nën përkthimin e Eqrem Çabejt dikur, është një sugjerim që ajo bën për ta lexuar, dhe një freskim i madh për shqipen e gjithkujt. Përrallat janë një armë shumë e fortë për t’u ruajtur nga e keqja, më shumë se çdo leksion që mund të marrësh. “Përralla e lojna Kombëtare” mbledhur nga At Donat Kurti, botuar nga Kolana Françeskane është një tjetër libër që nuk duhet humbur prej saj. “Përmbledhje e shkrimeve të françeskanëve për arbëreshët e Italisë”, “Verbëria” Saramango, “Tuneli”, Sabato, “Mjeshtri dhe Margarita” Bulgakov, “Me syrin e një klouni”, (Hajnrih Bel, nën përkthimin e Ardian Klosit, “Libri i Gabimeve” nga Gianni Rodari janë të tjerë libra që kanë lënë gjurmë tek ajo. Ledi Shamku, ashtu siç mund të flasë pafund për shqipen, mund të nxjerrë lehta nga kujtesa dhe librat që një e nga një kanë hyrë tek ajo, dhe e kanë bërë më të sigurt, e më të bukur brenda. Librat që vazhdojnë t’ia tërheqin vëmendjen në çdo kënd apo hapësirë ku mund t’i shohë, për t’i prekur apo shfletuar….


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama