1540 viti me i thate ne historine e Europes

1540, viti me i thate ne historine e Europes

Njëmbëdhjetë muaj pa rënë asnjë pikë shi dhe vapa ishte e padurueshme: më shumë se 300 kronika nga e mbarë Europa, zbulojnë detaje të tmerrshme të një katastrofe gjigante, në një kohë kur nuk njihej nocioni “ngrohje globale”. Dhe ato dëshmojnë se ajo mund të përsëritet.

Asgjë nuk të bënte të besoje se do të afrohej një katastrofë. Klima në fillim të shekullit të 16-të ishte e qetë dhe dekada me radhë në Europë kishte pasur korrje relativisht të mbara, ndërsa popullsia rritej me shpejtësi. Mjekësia, arti dhe shkenca po lulëzonin, dhe Rilindja po merrte hov tashmë madje edhe në Alpet e larta. Viti 1539, u la pas me ca stuhi erërash që vinin nga perëndimi, relativisht të forta. Binte shumë shi në dhjetor, e njerëzit kishin nisur të vraponin nëpër shtëpitë e tyre, duke lënë pas dore shumë punë. Ata nuk po e kuptonin se sa do u kushtonin këto reshje pas pak kohësh. “Në janar 1540, ia nisi një thatësirë, nga ato të cilat Europës Qendrore nuk i kishin zënë sytë qysh nga krijimi i jetës në tokë”, raportojnë shkencëtarët që tashmë posedojnë një arkiv të stërmadh me të dhëna mbi reshjet e motin ndër shekuj, mijëvjeçarë e epoka të tëra. Njëmbëdhjetë muaj nuk ra as një pikë shi e shkencëtarët flasin për një thatësirë të përmasave të papara. Ai vit i theu të gjitha rekordet: përballë vlerësimeve të deritanishme të ekspertëve të klimës në tokë, “nuk është vera e vitit 2003 ajo më e nxehta e regjistruar – pasi ajo në 1540, ia ka kaluar disa herë asaj”, shkruan grupi ndërkombëtar i kërkuesve të klimës, drejtuar nga Oliver Vetter në Universitetin e Bernës, në revistën “Climate Change”.

Shembuj dhe fenomene

“Modelet klimaterike nuk mund dot të paraqesin faza të tilla çrregullimesh klimaterike”, kanë zbuluar ekspertët. Edhe rrathët vjetorë të pemëve bien poshtë si tregues në këtë rast – pasi stresi i vapës, e pengon rritjen e bimëve. Ekipi i kërkuesve në fjalë, prej 32 vjetësh për të parën herë posedon të dhëna nga më shumë se 300 kronika nga e gjithë Europa, të mbledhura në një server, të tilla si: shënime të bujqve, grafika, gravura e të dhëna të kishave apo rojeve të portave ujore – çka zbulojnë të gjitha njëzëri katastrofën më të madhe natyrore në Europë. Që apokalipsi natyror kishte marrë udhë qysh në 1539, në veri të Alpeve europiane, mbeti fakt i panjohur. Në Spanjë, njerëzit qysh prej tetorit të atij viti kishin mbajtur procesione masive lutjesh për të pasur pak reshje. Dhe në dimër, në Itali, kishte pasur thatësirë dhe kish bërë një vapë “korriku”, thuhet në një kronikë mbi motin të atij viti. Sot, meteorologët e dinë se thatësira në jug shpesh është vetëm një paralajmërim për valë të nxehti në veri të kontinentit. Në janar, thatësira mori përmasa edhe më të mëdha dhe akulli e bora, të zakonshme për atë periudhë, as që u panë me sy. Por një ndarje meteorologjike fatale theksonte qartë se: ndërsa në Rusi, në pranverë popullata ankohej për shi dhe dëborë të pandalshme, europianoqendrorët po habiteshin me pasditet plot ndriçim dhe netët e qarta nën yje. “Shi kishte rënë vetëm tri ditë gjatë muajit mars”, do shënonte një qytetar europianoperëndimor me krenari në ditarin e tij në krahinën e Alsasës.

Etje, uri dhe trazira

Toka po thahej dita-ditës, e në shumë vende kish nisur uria. Të çarat në tokë ishin kaq të thella, saqë njerëzit rrezikonin të linin peng aty këmbët e tyre, thuhej ironikisht në një kronikë të kohës. Se çfarë mund të shkaktojë një tokë e thatë, tashmë dihet mirë së paku qysh nga viti 2003. Moti veror në Europën Qendrore çoi në atë kohë në katastrofa të papara. Shifrat në 1540 flasin për të paktën tri herë më shumë ditë me mbi 30 gradë Celsius, se sa mesatarja vjetore. Të parët, ky fenomen goditi kafshët, ku shumë prej tyre ngordhën nga etja apo nga vapa. Numër i pamasë njerëzish vdisnin gjatë punës nëpër fusha, apo në vreshta, për të njëjtat shkaqe. Tensionet u shtuan dhe ndërsa kërkoheshin shkaktarët, ekzekutoheshin e përndiqeshin individë e familje. Njerëzit u vendosën nëpër barrikada nga frika ndaj dhunës. Numri i përgjithshëm i të vdekurve mbeti i paqartë, thotë nga ana tjetër, Rüdiger Glaser, nga Universiteti i Frajburgut në Gjermani. Një krahasim na bën të marrim me mend edhe më të keqen: në atë valë super të nxehti të verës 2003 vdiqën, me gjithë mundësitë teknike që ofron epoka moderne dhe civilizimi aktual, vetëm në Europën Qendrore rreth 70.000 vetë, si pasojë e paqëndrueshmërisë së motit. Vapa e 2003, deri më tani vlerësohet si pasojë e ngrohjes globale, e shkaktuar pjesërisht nga aktiviteti human. “Mirëpo kjo punë nuk është kaq e thjeshtë: sepse në 1540, edhe pa konstatuar ndonjë efekt serrë, të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, pasojat në klimë ishin edhe më të rënda, duke e relativizuar efektin e asaj që ndodhi në 2003”, thotë Glaser.

Puse të shteruara e lumenj pa ujë

“Plot dëshpërim kërkonin më kot turmat e njerëzve për ndonjë pikë ujë në atë verë të tmerrshme të vitit 1540. Madje, edhe pak metra larg shtretërve të lumenjve në Zvicër, zor se gjendej ndonjë pikë ujë”, shkruante kronisti Hans Salat. Burimet e puset që nuk kishin shteruar kurrë më parë, tashmë kishin rënë në letargji vdekjeprurëse. Ato që kishin mbetur ishin vënë nën masa të forta sigurie, e shfrytëzimi i tyre bëhej vetëm me orar të caktuar, për të cilën si sinjal shërbente rënia e kambanave të kishës. Uji i ndenjur në shumë raste bëri që në krahinën e Ruhrit në Gjermani, për shembull, të vdisnin mijëra vetë.

Europa, e mbytur në re tymi

“Nuk ka pasur asnjë ditë me shi mes shkurtit dhe fundshtatorit”, shkruante Heinrich Bullinger në vitin 1540 në Zyrih. “Reshjet e para të konsiderueshme u regjistruan vetëm në vitin 1541″. Të korrat ishin tharë. “Çmimet për miellin dhe bukën kishin kaluar çdo kufi”, shkruajnë raportet. Qysh në fillim të gushtit, pemët nisën të humbnin gjethet, “sikur të ishte mesi i vjeshtës”, protokollonte në atë kohë një kronist nga Ulmi në Jug të Gjermanisë. Më pas erdhën zjarret. Toka e thatë u ndez, pyjet – shkurret e përçonin flakën gjithandej deri poshtë nëpër fshatra me shpejtësi – duke iu afruar shpesh qyteteve. “Më shumë komunitete se kurrë më parë në kohë paqeje gjatë mijëvjeçarit të shkuar, u prekën nga flakët”, pohon dikush tjetër nëpër kronika. Për javë të tëra, një re e madhe tymi vërtitej kërcënuese mbi kontinent, dhe dielli e hëna pas saj, ngjanin si një fasadë në një të kuqerreme pa pigment.

Çfarë do ndodhë nëse fenomeni përsëritet?

Çfarë do të ndodhte nëse ato kushte klimaterike në 1540-s do të përsëriteshin? – “Pasojat do të ishin dramatike, paralajmëron Prof. Pfister. Një vdekje masive kafshësh, uji i ftohtë për reaktorët bërthamorë do të ishte një aset i rrallë, transporti i mallrave në lumenj do të paralizohej në pjesën më të madhe, dhe pasojat për shëndetin njerëzor do na bënin vetëm të spekulonim, pasi mund të ishin të paparashikueshme. “Katastrofa e 1540 duhej të ishte një paralajmërim për atë që mund të na ndodhë nesër”, thotë Pfister. Askush nuk do të ishte i përgatitur për një rast të tillë kaq ekstrem. “Unë shpresoj që të mos e përjetojmë kurrë diçka të tillë”. “Efekti serrë, i shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, gjithsesi mendohet se e ngre mundësinë për të pasur më shumë e më shpesh valë të nxehti në rang global”, thotë studiesi Glaser.

Ngushëllimi, u gjend në verë!

Megjithatë, për atë që ndodhi në 1540, pati një ngushëllim të vetëm. I nxehti solli një verë me një përmbajtje të tillë sheqeri, që nuk ishte parë gjatë gjithë mijëvjeçarit – “e vera ngjante në gotën e qelqtë si një ar i kulluar”, shkruante në atë kohë një kronist. Suedezët, që në vitin 1631 pushtuan Vyrcburgun në Gjermani, po kërkonin asokohe më kot për fuçi vere për të shuar etjen e tyre, pasi ato ishin fshehur me kohë e murosur “të gjalla” nga fshatarët e fisnikët e atij rajoni. Edhe në shekullin e 19-të, një spekulant e tregtar anglez, arriti të bënte mjaft para me ato fuçi vere të vjetruar. Shishet e fundit të atij kontingjenti, gjenden sot në muzeun e verës në qytetin gjerman të Speyer-it. Në vitet gjashtëdhjetë, njerëz të zgjedhur arritën të shijonin disa syresh. Gjithkush prej tyre i mban mend ato si momente sovrane, kujton sot Rüdiger Glaser.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama