Akuzat Meta Politikanet ti drejtohen Prokurorise

Akuzat, Meta: Politikanet t'i drejtohen Prokurorise

Seanca e paradites së djeshme të Kuvendit u fokusua tek akuzat që opozita ka ngritur mbi mundësinë e përdorimit të infrastrukturës së Forcave të Armatosura për trafikun e lëndëve narkotike. Për këtë çështje folën jo pak deputetë të opozitës, ndërsa pati një reagim zyrtar nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

 

Kjo e fundit deklaroi se nuk ka asnjë provë të vetme për akuzat e ngritura. Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta kërkoi prej deputetëve që në rast se kanë fakte dhe pretendime, t’i drejtohen organit të akuzës. “Ne jemi vend anëtar i NATO-s. I ftoj të gjithë politikanët që të shkojnë në Prokurori për çështje të tilla”, – tha Meta. Ky i fundit reagoi edhe gjatë replikave që Imami pati me qëndrimin që mbajti Kodheli. “Ju keni qenë ministër i Mbrojtjes katër vjet. Unë mendoj se ne të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm, të mos bëjmë zhurmë që dëmton interesat e vendit dhe kjo dëmton interesat e vendit. Mos harrojmë një fakt, që ministrja pas këtyre gjoja informacioneve i ka bërë kërkesë Prokurorisë të Përgjithshme të hetojë...

 

Qeveria i ka bërë kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme të hetojë dhe është detyrë e saj të hetojë dhe ne duhet të bashkëpunojmë”, – tha ai. Ndërsa kryeministri Rama u shpreh ndër të tjera se “Doktorit i shkojnë SMS-të çdo natë se janë avionë që ulen në Divjakë, nuk janë avionë. Janë mushkonja që nuk i gjëmon më njeri prej 20 vitesh. Dhe kështu do mbarojë dhe historia e drogës dhe e bazës ushtarake dhe historia e avionëve që u bënë mushkonjë, dhe historia e pickimeve që pastaj vini këtu në Kuvend e pickoni opinionin publik”. Rama shprehu vullnetin e qeverisë për të nxitur hetimin lidhur me këtë akuzë, si dhe gatishmërinë për të qenë pjesë e hetimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama