Alpet shqiptare malet e bashkimit te Shqiperise me Kosoven

Alpet shqiptare, malet e bashkimit te Shqiperise me Kosoven

Komuna e Gjakovës është vënë në krye të komunave të Rrafshit të Dukagjinit dhe bashkërisht janë duke tentuar që të inkuadrohen në realizimin e projektit “Alpet shqiptare”. Ky projekt, përmes disa aktiviteteve të përbashkëta në fusha të ndryshme, veçanërisht në ekonomi, turizëm e kulturë, synon afrimin e pse jo edhe bashkimin formal të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila thotë se, po punohet intensivisht që rezultatet e para të këtij projekti të shihen shumë shpejt.

“Më 18 prill do ta kemi në Gjakovë një takim të përbashkët të kryetrarëve të komunave të Dukagjinit dhe shpresojmë se brenda një muaji do ta kemi një plan të përbashkët, në të cilin do të jenë të pasqyruara objektivat konkrete nga ana jonë, përfshirë këtu zhvillimin e përbashkët ekonomiko – kulturor, ekoturizmin, infrastrukturën etj. Po shpresojmë që rezultatet e para konkrete të këtij bashkëpunimi ndërshtetëror do t’i kemi gjatë muajve të verës”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila ka shtuar se realizimi i këtij projekti është realizim i ëndrrave shekullore të shqiptarëve, për shkak se e në këtë formë bëhet heqja e vijës kufitare, në mënyrën më evropiane të mundshme.

Në fakt, aktivizimi i anës kosovare është bërë pikërisht në kohën kur pala shqiptare i ka intensifikuar angazhimet e veta në realizimin e këtij projekti. Benet Beci, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka bërë të ditur se qeveria shqiptar, tashmë ka ndarë 1 milion eurot e para për projektin e “Alpeve shqiptare”.

“Deri me tani kemi mundur të investojmë në mënyrë të veçantë, por tashmë po dëshirojmë të bëjmë investime të përbashkëta. Përmes një plani të koordinuar nga të dyja vendet, ne po tentojmë të bëjmë një zonë të përbashkët ekonomike dhe turistike, thjeshtë për ta maksimalizuar interesin. Bashkërisht do të përcaktojmë cilat janë akset e zhvillimit, ku duhet të ndërhyhet, në çka duhet investuar etj”, ka thënë Beci.

Ai ka shtuar se në kuadër të këtij projekti Kosova dhe Shqipëria do të aplikojnë për projekte të përbashkëta zhvillimore, sepse janë pikërisht projektet e përbashkëta rajonale - ndërkufitare ato që janë më të kërkuar nga donatorët evropianë.

Edhe ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, është aktivizuar maksimalisht për përmbushjen e objektivave të këtij projekti. Ai gjatë muajit të fundit ka qenë të paktën tri herë për vizitë në komunën e Gjakovës, për të biseduar rreth projektit konkret.

“E rëndësishme është që ne kemi filluar të mendojmë konkretisht në këtë drejtim, e jo më me parulla të mëdha patriotike. Është me rëndësi që në të dy kahet e kufirit të ketë zhvillim, jo vetëm turistik, por edhe zhvillim ekonomik, të kulturës etj. Ne duam që kjo pjesë të mendojë njëjtë për aspektin zhvillimor, një koncept ky që ka munguar deri me sot. Me një fjalë, po punojmë fort që vija kufitare të mos jetë vijë ndarëse, por vijë bashkimi dhe vijë e projekteve të zhvillimit”, ka thënë ambasadori Minxhozi.

Projekti për Alpet Shqiptare parasheh një zhvillim të gjithanshëm të strukturës malore, duke e përfshirë infrastrukturën, rrugët, ngritjen e kapaciteteve turistike, ndërtimin e eko -fshatrave turistike, krijimin e shtigjeve për turistë, krijimi i hartave të florës dhe faunës, prodhimtaria e përbashkët bujqësore. Rëndësi e veçantë këtij projekti i është dhënë edhe gjatë vizitave që kohëve të fundit i kanë pasur në komunën e Gjakovës, dy nga zyrtarët më të lartë të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ilir Meta.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama