Altin Rraklli Tani Kombetaren e femrave nuk do e lija as per Barcelonen

Altin Rraklli: 'Tani, Kombetaren e femrave nuk do e lija as per Barcelonen'

Ish-futbollisti i famshëm i Kombëtares shqiptare rrëfen eksperiencën e re dy-vjeçare në drejtimin e përfaqësueses së femrave, nga krijimi i saj, te sukseset e para, humbjet, vështirësitë dhe sfidat që po has në karrierën e tij të re si trajner. Ambicia e tij më e madhe është të sprovohet në një ekip meshkujsh, aty ku futbolli ka edhe shijen e vërtetë për të, por nuk pranon ta lërë ekipin e vajzave, edhe sikur të merrte ndonjë ofertë për drejtimin e Barcelonës

 

Herën e parë që pa një ndeshje futbolli mes femrave ishte në vitin 1992 në Gjermani, ku Freiburgu – ekipi ku ai luante asokohe –përfaqësohej edhe nga një formacion femrash në ligën e dytë. Paragjykimet dhe mosbesimi i fillimit iu kthyen në habi që e la gojëhapur. Vajzat kishin taktikë, teknikë, lëvizje në fushë, entuziazëm dhe vrull, finte dhe emocione, njësoj si të meshkujve dhe arrinin të ekzaltonin dhe të ngrinin në këmbë një stadium të mbushur me dhjetëra  mijë tifozë që brohorisnin për to. Përpara asaj kohe as që e kishte ditur se edhe femrat mund ta luanin këtë sport në dukje tejet mashkullor…

 

Kishin kaluar 14 vjet, kishte parë edhe disa ndeshje të Kombëtares gjermane për femra, por që një ditë, ai sulmuesi i famshëm i kombëtares kuqezi, me një karrierë të suksesshme si futbollist në Bundesligë, do të rikthehej në Shqipëri dhe do të ngrinte nga asgjëja një përfaqësuese futbolli për femra, këtë Altin Rraklli as që e kishte marrë me mend ndonjëherë. Por ja që prej një viti e gjysmë, nga shtatori i 2012-ës ai është trajneri i Ekipit Kombëtar të futbollit për femra dhe i ka udhëhequr vajzat në fazën paraeliminatore dhe eliminatore të Kupës së Botës “Kanada 2015” .

 

Sapo janë kthyer nga një humbje e thellë me Holandën, por trajneri Rraklli nuk duket aspak pesimist. “Jemi ekipi më i ri. Ekipet që na kanë rënë në grup si Holanda, Belgjika, Norvegjia, Portugalia, Greqia kanë vite të tëra eksperience. Disa i numërojnë edhe mbi 50 vite nga themelimi. Por vajzat tona luajnë me pasion. Në Holandë u ndjeva krenar. Pavarësisht humbjes 10:1, ne luajtëm futboll dhe madje edhe shënuam. Mund të kishim shënuar edhe dy apo tre gola të tjerë sepse patëm plot raste. Madje edhe drejtorja e ekipit holandez më komplimentoi për ekipin, duke më thënë se shumë të tjerë me emër dhe histori kur luajnë kundër portokallinjve mblidhen të gjithë në portë. Ne sulmuam”, – tregon Rraklli për aventurën e pak ditëve më parë me vajzat e Kombëtares, ndërsa herë pas here shtrëngon krahun e fashuar, që e ka lënduar në një prej seancave stërvitore me vajzat –sikur t’i dhembte edhe më shumë prej egos së sportistit plot grintë dhe energji që shqiptarët mbajnë mend nga fushat e blerta. “Por tani kemi përpara ndeshjen me Portugalinë në Fier. Jemi optimistë”, – vijon ai për ta shtensionuar situatën, por edhe për të sjellë panoramën e gjerë të ekipit, punën që qëndron pas –nëse dikush do të ndalej vetëm te kritika  për humbjet. Ama ka pasur raste kur edhe kanë krenuar, si në ndeshjen e luajtur kundër Greqisë në Durrës, ku vajzat tona korrën një fitore të rëndësishme –ndoshta të dytën historike pas fitores së viteve më parë të Kombëtares së meshkujve. “Kishte shumë tifozeri atë ditë që na përkrahën. Më erdhi mirë, pasi vajzat kanë nevojë për inkurajim”.

 

Për një ekip të sapoformuar, me vajza të reja ku mosha mesatare shkon nga 17-19 vjeç, (përjashtuar këtu kapitenen e skuadrës, e cila i ka mbushur tridhjetë vjeç, “por ka gjendjen dhe përgatitjen fizike më të mirë dhe stërvitet edhe nga dy herë në ditë, më shumë se kushdo tjetër”, – nxiton të sqarojë Altini), me një kampionat  kombëtar për femra që është në zanafillat e tij dhe ku atij si trajner i duhet të sillet e vërtitet për të rekrutuar në mes të vetëm 200 futbollisteve, përfaqësuesja shqiptare e femrave nuk ka si të mos shihet vetëm me sy pozitiv. “Mendoj se gjërat po ecin për mirë. Nëse e krahasoj ekipin me ditët e para, ka ecur goxha. Arritëm të kalonim fazën paraeliminatore në Maltë kur sapo ishim krijuar si ekip”, – thotë Altini, ndërsa kujton fjalët inkurajuese të arbitres në ndeshjen e fundit. Kishte rastisur e njëjta edhe me ndeshjen në Maltë. “Ekipi yt është shumë më i mirë dhe më i fortë nga ai që pashë në Maltë”, – i ishte drejtuar ajo pas ndeshjes. Për Altinin si trajner ishte një rrahje e ngrohtë krahësh.

 

“E shoh si eksperiencë shumë pozitive edhe për karrierën time si trajner. Është një test për mua për të ardhmen”, – vijon ai, duke sqaruar se nuk u gjend krejt rastësisht në drejtimin e ekipit të vajzave. Pas një eksperience me ekipin e futbollit për femra “Tirana AS” në kampionatin shqiptar –me të cilin fitoi kampionatin dhe kupën –mendimi i tij për themelimin e një përfaqësueseje femrash përkoi me ftesën e kreut të FSHF-së që ai të merrte në dorë frerët e ekipit për femra të futbollit, ende të pakrijuar. I njohur me gjendjen e futbollit të femrave, që në Shqipëri numëron vetëm 7 vite jetë nga krijimi i kampionatit, Altini e kishte të mprehur syrin për rekrutimin e talenteve për kombëtaren, ndërsa agjentë nga jashtë – ata që kanë detyrën të nuhasin edhe talentet mashkullore – afruan drejt Kombëtares disa vajza, një prej të cilave vjen nga Australia, portierja nga Italia dhe një futbolliste tjetër nga Gjermania. “Ndonjëherë është problem, sepse vajzat që jetojnë jashtë nuk na përgjigjen për të gjitha ndeshjet, për shkak të impenjimeve personale dhe profesionale”. Pengesa më e madhe që has Rraklli si trajner është  mungesa në numër e potencialit për ekipin e Kombëtares. “Më kujtohet një episod për të qeshur në një nga seminaret e trajnerëve. Ishim mbledhur nga e gjithë bota ne trajnerët për femra dhe u vendosëm në grup diskutimi dhe më ra në grup edhe trajnerja e Gjermanisë. E nisa unë i pari diskutimin mbi problematikat që has tek ekipi. U thashë se nuk dija nga t’ia nisja, por problemi më i madh është se nuk ka shumë futbolliste femra dhe më vështirësohet shumë zgjedhja e tyre  për në Kombëtare. Kur erdhi radha e Gjermanisë, ajo tha se e kishte shumë të vështirë të bënte formacionin e Kombëtares pasi kishte shumë talente dhe duhet të zgjidhte mes mijëra futbollisteve, duke thënë se të gjitha janë të mira për në Kombëtare. I thashë: “Më jep formacionin e tretë apo të katërt dhe shihe po nuk të rraha”. Qeshëm të gjithë”.

 

Kur bëhet fjalë për Kombëtaren shqiptare e sidomos për një ende shumë të re si ajo e femrave, vështirësitë dhjetëfishohen dhe Altin Rraklli si ish-futbollist i Kombëtares dhe si trajner i njeh mirë. “Kemi një ekip në moshë të re dhe ideja është të krijojmë një skuadër afatgjatë për të ardhmen”. Thotë se dy lojtare të Kombëtares kanë kaluar nga kampionati shqiptar drejt kampionatit hungarez për shkak të performancës së tyre të mirë. “E mira do të ishte sikur krahas kampionatit ku kemi vetëm 9 ekipe dhe 2 priten t’i shtohen kampionatit vitin tjetër, të futej që në shkolla të të gjitha cikleve, 9-vjeçar dhe të mesëm si lëndë futbolli, ku të kishim mundësi të rekrutonim që atje”. 

 

Me gjithë vështirësitë edhe në përgatitjen fizike të futbollisteve, Altini thotë se në disa ekipe po investohet shumë dhe kanë elementë të mirë.

 

Tanimë ai është aq i vëmendshëm saqë nuk humbet thuajse asnjë nga ndeshjet e kampionatit për femra, gjithmonë me syrin për të zbuluar talente të reja e për t’i afruar në ekip.

 

Si trajner thotë se ka famën e të qenit i rreptë, i sertë, herë-herë aspak tolerant, por shumë korrekt. “Ka raste kur as vetë nuk e kuptoj që po bërtas shumë”, – thotë ai duke qeshur dhe tregon se në fillim habitej pse nuk kuptonin ca koncepte që ai vetë kur ishte futbollist i dinte shumë mirë. “Por pastaj zbutem, e kthej në humor për të mos i dekurajuar. Janë të reja dhe kanë shumë për të mësuar. E rëndësishme që luajnë me pasion dhe me dashuri për ngjyrat e Kombëtares dhe jo përkundrejt ndonjë stimuli financiar. Në profesionin e trajnerit më shumë se strategjia tekniko-taktike ke rëndësi aspekti psikologjik. Dhe unë jam bërë nga pak psikolog për secilën nga lojtaret”. Është i mirëkuptueshëm dhe u jep zemër kur kanë ankth dhe pasiguri përpara ndeshjeve të rëndësishme, ama kur vjen puna tek oraret e paraqitjes në formacionet përpara ndeshjeve nuk toleron aspak. As edhe një minutë vonesë. “Pikat e mia më 3 forta janë korrektesa dhe disiplina. Në këtë sport po nuk i pate këto të dyja, është e kotë. Pastaj kushtet i kanë. Federata na i krijon njësoj, si të përfaqësueses së meshkujve”,- thotë Altini.

 

Ekipi i femrave me humbjet e fundit kundër Belgjikës dhe Holandës, renditet në vend të parafundit dhe Altin tregohet realist se synimi që i ka vënë vetes në këtë sezon është të ruajë këtë vend. “Dua që ta ruajmë këtë vend dhe në fund të kemi arritur rezultatin e 6 apo 7 pikëve. Jemi ekipi më i ri kundër ekipeve me prestigj dhe famë. Për mua kjo është sfidë dhe më pëlqejnë sfidat”, – thotë ai, ndërsa nuk e fsheh se ambiciet e vërteta i ka nga ekipet e meshkujve. “Atje edhe futbolli është më i fortë, më i vërtetë”, – pranon  ai, por kurrsesi nuk do të pranonte ndonjë ofertë në këtë moment që do ta çonte për të braktisur ekipin e vajzave. “Gjërat për të cilat angazhohem, i çoj deri në fund, nuk i lë kurrë në mes dhe tani sikur vetë ekipi i Barcelonës të më bënte ofertë, nuk do e pranoja. Mendoj se kjo përvojë po më rrit në punën time si trajner dhe po pres momentin e duhur për të pranuar ftesën e ndonjë ekipi për të qenë trajner”, – përfundon  Rraklli, ndërsa sytë dhe mendimet i ka të përqendruar te ndeshja e radhës me vajzat, për të arritur synimet që i ka vënë vetes si trajner me ekipin kombëtar të vajzave.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama