Avione apo mushkonja? Perballja Rama-Berisha per trafikun e droges

Avione apo mushkonja? Perballja Rama-Berisha per trafikun e droges

Akuza, replika dhe ironi në Kuvend, por mungojnë provat dhe dokumentet për implikimin e Ushtrisë në trafik droge me avionë të vegjël 

Akuzat e PD-së për implikimin e bazave ushtarake në trafik droge me avionë kanë dominuar debatin e djeshëm në Parlament. Opozita ka ngritur këtë shqetësim, duke ripërsëritur pyetjet drejt ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nëse ka dijeni mbi informacionet që tregojnë se baza të ushtrisë janë përdorur për trafik droge.

 

Qeveria ka mohuar në mënyrë kategorike këto akuza dhe ka theksuar se nuk ka asnjë fakt që provon këtë pretendim. I pari që ka hapur këtë debat ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili bëri të ditur se Shërbimi Inteligjent i Ushtrisë dhe shërbimet e tjera ushtarake kanë informuar se në Gjadër kryhet trafik droge. Madje, ai nuk ka mbetur vetëm në këtë bazë, duke theksuar se avionë janë ulur edhe në Divjakë, si dhe në rrugën Tepelenë-Gjirokastër.

 

Pretendime këto që fillimisht janë trajtuar si qesharake nga mazhoranca, ku kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke ironizuar këto akuza janë shprehur se opozita ngatërron avionët që spërkasin mushkonjat në Divjakë me avionë që transportojnë drogë. Por përtej notave të ironisë, kryeministri Rama ka theksuar se qeveria që ai drejton është e gatshme të ndihmojë në hetimin e plotë të këtyre akuzave. Nga ana tjetër, ministrja Kodheli ka hedhur poshtë çdo pretendim të përdorjes së infrastrukturës ushtarake për këto qëllime, ndërsa ka theksuar se opozita nuk ka asnjë provë që të vërtetojë akuzat e saj. Ndërsa paraardhësi i saj, Arben Imami ka deklaruar se ministrja Kodheli tha nuk ka prova, por nuk iu përgjigj pyetjes së opozitës nëse ka informacione që bëjnë me dije se baza ushtarake janë përdorur për trafik droge.

Debatet në seancë

Berisha: …Ju doni të mohoni drogën në aeroport, por nuk e mohoni dot. Fakti që ju nuk e lejoni ministren të paraqitet në komision për të ballafaquar dokumentet, tregon se krimi ka ndodhur. Është 100 për qind e sigurt se jeni autorë të këtij krimi makabër. Shqipërinë po e zhysni çdo ditë në krim dhe në trafiqe…

Meta: Zoti Berisha, të lutem çojini të gjitha sms-të në prokurori që ju vijnë, për të gjithë avionët dhe reaktivët që zbresin në Shqipëri, sepse Parlamenti nuk është zyrë prokurorie.

Kodheli: …Në demokraci, barra e provës i takon atij që akuzon, jo atij që akuzohet. Ju thjesht akuzoni pa dhënë asnjë provë, pa thënë asnjë gjë më pak se FA është e përfshirë në trafikun e drogës.  Ju zotërinj nuk keni asnjë provë. Nuk ka asnjë provë të vetme dhe fakt të vërtetuar që FA janë të implikuara në veprime kriminale, për të cilat janë folur kaq shumë këtë javë. Nuk keni akuzuar vetëm FA, por gjithë këtë vend. Nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt…

Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare, ajo që dëgjoni ju nga këta qeveritarë me porosi të kryetarit të tyre, është një mashtrim i paskrupullt. Lidhur me çështjen e avionit dhe të trafikut të drogës në Gjadër, unë dua t’ju informoj ju me përgjegjësi të plotë se Shërbimi Inteligjent i Ushtrisë dhe shërbimet e tjera ushtarake, sipas burimeve të pakundërshtueshme të Forcave të Armatosura, të cilët urrejnë mashtrimet dhe krimin që po i kaplon, kanë informuar me kohë të përbetuarën këtu para jush (Kodhelin) mbi gënjeshtrën.

Braçe: Prova, prova…

Berisha: Aaaa doni prova, aeroplanin shkoni gjejeni ju. Ju transportoni me të. Ky përbetim është i papërgjegjshëm, është përbetim i Edi Ramës, i cili ka filluar të gllabërojë pronat e ushtrisë në mënyrë të paimagjinueshme. Ju garantoj se këtu do vijnë dosjet tuaja, se këtu kemi problem tjetër, problemin e drogës që ka kaluar bazat e ushtrisë. Do ju faktojmë çfarë mohoni ju! Në qoftë se zonja është kaq e sigurt, le të pranojë të paraqitet në komision, ku asaj do t’i jepen të gjitha të dhënat dhe të provojmë se me çfarë papërgjegjshmërie i lejon vetes të mashtrojë këtu shqiptarë, le të pranojë të konfrontohet me dokumente të pakundërshtueshme dhe jo me deklaratë boshe.

Meta: Zoti Braçe, se u mërzitët se ju përmendi Divjakën, por kam përshtypjen se ka ndodhur një keqkuptim shumë i madh, sepse ka nisur një aksion i Ministrisë së Shëndetësisë prej kohësh për spërkatjen në Divjakë dhe prandaj ndoshta kanë vajtur ato sms-të, sepse spërkatja nuk bëhet në kohë me diell, por bëhet pak kështu, në kohë të errët…

Rama: …Doktorit i shkojnë sms-të çdo natë se janë avionë që ulen në Divjakë, nuk janë avionë, janë mushkonjat. Janë mushkonja që nuk i gjëmon më njeri prej 20 vitesh. Dhe kështu që janë kthyer si avionë të droguar që pickojnë vazhdimësisht opozitën sot dhe opozita me drogën që merr nga mushkonjat, vjen këtu e pickuar dhe përpiqet të pickojë opinionin publik.

Meta: Jam i bindur Doktor që sms-të t’i dërgojnë socialistët e Divjakës, që pa dashje t’i krijojnë këto situata të paqena.

Berisha: Ratë në kurth, sepse për gjëra të tilla serioze, instinkti më ka thënë dhe më thotë se duhet një superkujdesje. Mesazhi ka ardhur tre muaj përpara se ju të shqiptonit për herë të parë termin spërkatje për mushkonjat dhe tani doni të mbroheni me spërkatësit e Beqjes, kjo është qesharake dhe mesazhi është botuar, është hapur gazeta.

Braçe: Ku i ke, ku janë botuar, apo në mendjen tënde?

Berisha: Tre muaj përpara është hapur gazeta “Rilindja Demokratike”, ndaj dhe kësaj here kunupi nuk ju shpëton dot. Kunupi do t’ju hajë të gjithëve ju.

Meta: Ky aksioni kundër mushkonjave duhet përshëndetur besoj, gjithsesi.

Berisha: (i drejtohet Metës) Ai duhet të të kërkojë falje se po të mohon ato që the se spërkatja nuk ka filluar.

Meta: Doktor, ne e kuptojmë më mirë njëri-tjetrin përmes shakave.

Imami: Më 19 mars, në 7 të mëngjesit, një avion i bardhë që vjen e ulet shpeshherë pasi ka përshkuar aksin Divjakë-Tepelenë. Sepse është raportuar disa herë për fluturimin e tyre njësoj si në Kolumbi për transport droge. Po, kam informacion për këtë

Braçe: Z. Imami nxirri shkresat, një më një, rresht për rresht, fjali më fjali, t’ua lexojmë sy e faqe shqiptarëve. Divjaka nuk ka nevojë për drogë, mbjell aq shumë në bujqësi dhe ka plot fitim. Në Divjakë nuk ka asnjë fshat që të ketë një fushë ku mund të ulen avionët.

Imami: Unë nuk citova një shkresë, por zoti deputet donte të thoshte që ka një shkresë. Në 19 mars në Gjadër ka shkuar policia, ka pyetur fshatarët, ushtarakët. Nuk mbulohet dielli me shoshë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama