Avioni i rrezuar mungojne akoma 100 trupa te viktimave

Avioni i rrezuar, mungojne akoma 100 trupa te viktimave

Mund të mungojnë në apel akoma rreth 100 trupa të viktimave nga rrëzimi i avionit “Malaysia Airlines” në Ukrainë. Në trenin-frigoriferik të kufomave të arritur në Kharkov, sipas inspektorëve holandezë, janë vetëm 200 kufoma, pavarësisht se qeveria e Kievit, në momentin e mbylljes së 4 vagonëve frigoriferikë, ka numëruar 282 trupa të pajetë, duke shpjeguar që 16 të tillë që mungojnë, janë karbonizuar nga shpërthimi.

Përgjegjësi mjekësor holandez, Jain Tuinder, ka siguruar që, “nuk do të nisemi, deri sa çdo trup të jetë gjetur dhe grumbulluar. Duhet të kthehemi pas dhe të bisedojmë për të rifilluar kërkimet”. Nga ana tjetër, edhe zëdhënësi i vëzhguesve të OKB-së, Mikael Boçiurkiv, kishte nënvizuar se kishte shoqëruar të martën në zonën e tragjedisë disa ekspertë malajzianë, duke konstatuar praninë e mbetjeve të trupave akoma në zonën e rrëzimit të avionit.

Ndërkohë avioni “Malaysia Airlines” është goditur gabimisht me raketë tokë-ajër nga separatistët rusë në Lindje të Ukrainës dhe tragjedia nuk ka asnjë lidhje me Rusinë. Kështu është shprehur shërbimi i inteligjencës amerikane, CIA, sipas asaj që referohet nga mediet amerikane. Sipas shërbimeve sekrete të SHBA-ve, edhe pse Rusia vazhdon të armatosë rebelët në Lindje të Ukrainës, nuk ka prova që raketa e përdorur për të rrëzuar avionin ka ardhur nga Moska.

“Avioni është goditur me siguri nga një raketë tokë-ajër nga rebelët e mbështetur nga Rusia”, – kanë thënë shërbimet, duke cituar përgjime, foto satelitore dhe mesazhe në rrjetet sociale të postuara nga separatistët, disa prej të cilave kanë qenë autentike sipas ekspertëve amerikanë. Por CIA, nuk ka qenë në gjendje të thotë se kush e ka lëshuar raketën ose nëse rusët ishin të pranishëm në momentin e goditjes.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama