Avokatja e Karelit U denua ne fshehtesi edhe me 8 vite burg

Avokatja e Karelit: U denua ne fshehtesi edhe me 8 vite burg

Dy gardianët e fundit, nga 15 të akuzuarit si shkaktarët e torturimit për vdekje të Kudret Kumes janë lënë dje nën masën “detyrim paraqitje” në polici njëherë në muaj. Kështu mbyllet paraprakisht gjyqi ndaj të akuzuarve për një nga skandalet më të mëdha të shënuara dhe të bëra publike vitet e fundit në Europë, ndërkohë që prokuroria ende nuk ka marrë në pyetje drejtuesin e burgut të Nigritas dhe mësohet se, madje për të, nuk ka as akuzë konkrete. Në seancën e djeshme të zhvilluar në gjykatën e Serresit, mësohet se njëri nga gardianët, përveç detyrimit për t’u paraqitur, nuk ka të drejtë të largohet as nga Greqia deri në përfundimin e plotë të hetimeve, ndërsa nga 15 gardianët që janë verifikuar me pamje filmike, gjenden pas hekurave vetëm 6 gardianë, ndërsa të tjerët janë lënë të lirë me detyrim paraqitje, garanci bankare si dhe pa asnjë lloj mase sigurie. Nga të hetuarit, bëhet e ditur se vetëm një nga gardianët ka mohuar të ketë qenë në turn në momentin kur është sjellë i burgosuri shqiptar në ambientet e burgut të Nigritas. Derisa hetuesit e çështjes të përfundojnë hetimet, është vendosur që gardiani të qëndrojë i lirë pa asnjë masë shtrënguese. Mirëpo, ndërsa vrasja barbare e Kudret Kumes ka tronditur jo vetëm Greqinë e Shqipërinë, drejtësia greke shfaqet mjaft e kujdesshme në publikimin e emrave të dhunuesve deri në vdekje të shqiptarit, ndërsa nga ambientet e burgut të Malandrinos vijnë detaje të tjera tronditëse në lidhje me padrejtësitë që janë bërë ndaj Kudret Kumes, 43-vjeçarit që iu mor jeta nga dhuna çnjerëzore që ushtruan gardianët dhe policia e burgut të Nigritas nën urdhrin e drejtorit të burgut, Haris Konsolidis.

Dënim shtesë shqiptarit

Edhe pse ende prokuroria e Serresit nuk ka mbledhur asnjë të dhënë mbi shkaqet që çuan shqiptarin për të kryer aktin e vrasjes së gardianit të Malandrinos, bëhet e ditur se ditën e vrasjes Kume është njohur me një tjetër vendim dënimi. Janë të dhënat që dalin tashmë nga drejtues të burgut të Malandrinos, të cilët mësohet se kanë kryer edhe dëshmi mbi faktin që ndaj shqiptarit kishte ardhur një vendim nga Gjykata e Pireut që e dënonte me 8 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike brenda ambienteve të burgjeve. Në fakt, ndonëse ende nuk janë bërë publike të dhënat, bëhet me dije se Kume nuk kishte asnjë lloj akuze të tillë në burgun, nga ku priste të fitonte lirinë, por mësohet se shumë vite më parë, gjatë një transferimi nga një burg një tjetrin është pretenduar se Kumes ju gjet një sasi heroine. Nuk dihet ende se sa ka qenë sasia, por sipas të dhënave, në bazë të këtij fakti, gjykata i ka dhënë edhe një dënim shtesë shqiptarit prej 8 vitesh. Këtë vendim mësohet se Kume e ka mësuar ditën që ka kryer edhe vrasjen, ndonëse drejtori i burgut të Malandrinos nuk ia komunikuar vendimin shqiptarit. Mësohet se fillimisht Kumes i është mohuar lirimi si penalizim për posedimin e një celulari, ndërkohë që me 25 mars ka vendosur të kërkojë hollësi mbi datën e lirimit të tij si dhe mundësinë për të marrë ndonjë ditë leje. Por asnjë njëra as tjetra nuk kanë ndodhur. Atij iu ka bërë me dije se s`mund të lirohej e as të merrte lejen, pasi duhej të qëndronte me vendim Gjykate edhe 8 vite të tjera në qeli, fakt që e ka acaruar në kulm shqiptarin. Ky mendohet të jetë edhe momenti i përballjes me gardianin grek Tsironis, i cili si gjithnjë e ka provokuar të burgosurin shqiptar, derisa i ka hyrë edhe në ambientet e brendshme të qelisë.

Dosja ndaj Kumes

Autoritetet e burgut të Malandrinos kanë bërë me dije ditëve të fundit se ndaj shqiptarit kishte mbërritur edhenjë dënim tjetër prej 8 vitesh. Por pavarësisht vendimit, ende askush nuk është në dijeni të flasë për një dosje konkrete për akuzën e trafikut të lëndës narkotike brenda ambienteve të burgjeve, ndërsa ka qenë edhe një avokate që ka mbrojtur të drejtat e shqiptarit e cila ka dëshmuar disa ditë më parë publikisht se, shqiptari nuk ishte në dijeni të marrjes së ndonjë vendimi. Në një dalje publike, grekja që e ka njohur dhe ka komunikuar edhe kohëve të fundit me Kumen, ka shpjeguar se shqiptari i kishte treguar se së shpejti do të lirohej dhe do të kthehej në Shqipëri. Mirëpo, ende mediet greke nuk kanë bërë të ditur asnjë fakt në lidhje me këtë dënim, ndërsa pritet që të afërm të Kumes në Shqipëri të kërkojnë edhe njohjen me të gjitha akt-akuzat dhe vendimet e dënimeve ndaj njeriut të tyre, të cilit ia morën jetën nga torturat gardianët e Nigritas. Aktualisht e vetmja përpjekje që ka bërë drejtësia shqiptare është një letër-porosi e nisur nga prokuroria e Fierit për homologët e Serresit në lidhje me vrasjen dhe përgjegjësit e masakrës ndaj shqiptarit. Ndërsa ende nuk bëhet e ditur se çfarë do të bëhet me zemrën e Kumes, të cilën mjeko-ligjorët grekë e shkulën nga trupi i shqiptarit dhe e mbajtën për ekspertim profesional në Athinë. Familjarët e Kudret Kumes vijojnë të besojnë se zemra e djalit të tyre do të kthehet shpejt, ndonëse prej më shumë se një jave u fol se ajo është dorëzuar tek autoritetet tona në Athinë.


Siguria

Lirimi i gardianëve, frikë e hakmarrjes nga “Zero Banda”

Edhe pse një javë më parë Athina do të tronditej nga shpërthimi i një autobombe, shpërthim i paralajmëruar nga një sms e dërguar në një media në orën 05.15 minuta, me orën lokale të Greqisë, që më vonë u konsiderua si nisja e hakmarrjes për Ilia Karelin, gjykata e Serresit ka vendosur të lërë të lirë 9 prej gardianëve të përfshirë në vrasjen e shqiptarit. Ndonëse drejtuesi i burgut mësohet se është larguar prej disa ditësh dhe nuk dihet ende se ku është vendosur, autoritetet e policisë greke po punojnë prej ditësh për të bërë të mundur zbulimin e bandës që mori përsipër sulmin terrorist. Tashmë vëmendja përqendrohet në zonat në ta cilat banojnë gardianët e liruar, ndërkohë që 6 të mbajturit në burg, mësohet se janë vendosur në një burg të sigurisë së lartë dhe se mbahen nën vëzhgim të rreptë nga autoritetet përgjegjëse të një burgu në Selanik. Me 8 prill autoritetet policore greke u vunë në alarm pasi një grup kriminal i vetëquajtur “Zero Banda” morën përsipër shpërthimin e një granate në automjetin në pronësi të gardianit G. Baradakis. Ky sulm është një akt minimal kujtese për vrasjen e të burgosurit Ilia Kareli, u tha në deklaratën e grupit kriminal. “Paralajmërim: Të gjithë gardianët që morën pjesë në torturimin, vrasjen në grup të Ilia Karelit quhen nga sot të shënjestruar. Njoftojmë që ata që nuk u arrestuan, se emrat e tyre janë tashmë të njohura përmes akt-akuzës por edhe rretheve të të burgosurve. Janë në listën përfundimtare “të fshirjes”. Kudo të që të fshihen, në çdo detyrë që të ndërrojnë të dijnë që do t’i zbulojmë dhe do të bien në pritën tonë. Sa u përket gardianëve të burgosur, ata të dinë që në çdo burg apo sektori sigurie që të shkojnë do të takohen me fatin e tyre. Orët e tyre janë të numëruara”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama