Beteja per Himaren tensioni i ri mes Tiranes dhe Athines

Beteja per Himaren, tensioni i ri mes Tiranes dhe Athines

A do të ketë pasoja në marrëdhëniet shqiptaro-greke bashkimi i Himarës me një copë të Labërisë? Kërcënimi me integrimin dhe pse një referendum nuk është zgjidhja e duhur

Tirana dhe Athina janë përfshirë edhe një tjetër herë në debat për Himarën. Arsyeja është ndarja e re territoriale, që e bashkon këtë zonë të trazuar të Jugut me Vranishtin e Labërisë. E ndërsa afati për miratimin e ndarjes së re po shkon drejt fundit, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka rritur presionin ndaj qeverisë shqiptare. Javën e kaluar, ai bëri një vizitë urgjente në Athinë, ku u prit nga ministri i Jashtëm, Evangelos Venizelos.

 

Më parë, kreu i diplomacisë greke paralajmëroi homologun Bushati se me ndarjen e re territoriale po hapte një konflikt të ri me Greqinë dhe po vështirësonte rrugën e mëtejshme të integrimit të Shqipërisë. Por çfarë ka ndodhur realisht, që ka zemëruar përfaqësuesit politikë të elementit grek në Shqipëri? Në pesë variantet e komisionit të reformës territoriale, vetëm njëri prej tyre parashikonte bashkimin e Himarës me Lukovën, ndërsa të tjerat i kishin ngjitur kësaj bashkie edhe një pjesë të Labërisë. Por ky vendim, i marrë tashmë me hartën përfundimtare është kundërshtuar fort prej Dules, Vasil Bollanos dhe drejtuesve lokalë të minoritetit grek.

 

Qeveria shqiptare ka qenë e prerë në qëndrimin e saj: Himara nuk është zonë minoritare. Kriteret për këtë zonë kanë pasur në fokus krijimin e një hapësire funksionale, sipas ministrit Bledi Çuçi. Por PBDNJ vazhdon të mbajë ndezur “zjarrin” e debatit për Himarën. Ai ka paralajmëruar një referendum në këtë zonë, ku vetë banorët të shprehen se cilin variant pranojnë. Kryetari i Bashkisë, Gjergji Goro thotë në një intervistë për MAPO-n: Dakord, le ta bëjnë. Por pse vetëm për Himarën? Po të pyesësh Lukovën, edhe ata nuk janë dakord të bashkohen me ne, se të gjitha lidhjet i kanë me Sarandën. Çështja e Himarës, që në optikën helene është trajtuar gjithnjë si një “copë toke greke” në mes të Shqipërisë është ndoshta më e debatuara për vite e vite me radhë në Shqipëri. Megjithëse historianët e kanë thënë fjalën e tyre, duket se kjo bashki do të vazhdojë të krijojë tensione në marrëdhëniet shqiptaro-greke, edhe për shumë vite.

 

Goro: Dule bën lojë politike me Himarën, u kujtuan si kofini pas të vjelit

Kreu i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro thotë se zgjerimi i njësisë do të sjellë më shumë fonde për komunitetin. “Mua më vjen keq, sepse nuk kam dëgjuar ndonjë bashki që zgjerohet, të thotë nuk e duam këtë komunë. Qëndrimet e qytetarëve janë të ndryshme”

 

Kryetari socialist i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro pohon se ndarja e re territoriale krijon më shumë mundësi për zonën e tij. Ai priret ta shohë gjithë debatin e krijuar në rrafsh pragmatist, ndërsa i cilëson politike deklaratat e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Zoti Goro, Këshilli Bashkiak i Himarës para dy ditësh dështoi të mblidhej, pasi këshilltarët e PBDNJ-së dhe PD-së nuk morën pjesë në mbledhje, duke bërë që të mos arrihej kuorumi. Çfarë po ndodh realisht me këshillin dhe a jeni ju tashmë, si kryetar bashkie në vështirësi kundrejt kësaj situate?

Po s‘ka pas asnjë bashkim votash. E kanë shitur kështu se kështu ka dashur ta shesë pala e PBDNJ-së. Nuk erdhën në mbledhje këshilltarët  e PBDNJ-së. Ata kërkuan me këmbëngulje ndryshimin e rendit të ditës, që të diskutohej një kërkesë e tyre. Bëhej fjalë për diskutimin e çështjes së reformës territoriale. Në përgjithësi, kërkesa të tilla hidhen në votë dhe nëse vendos këshilli, atëherë pranohet.

Çfarë përmbante kërkesa e PBDNJ-së?

Përmbante diskutimin e çështjes së reformës territoriale. Kujtohen tani të diskutojnë, si kofini pas të vjelit. I ftoi kryetari i Këshillit që të vinin dhe të hidhej në votë, por ata kishin parë se aty kishte disa mungesa dhe thanë nuk vijmë as ne. Kështu nuk u bë e mundur të realizohej kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes. Dy anëtarë të këshillit të PD-së nuk erdhën në mbledhje.

Ju si kryetar bashkie, i mbeteni ndarjes që ka bërë komisioni, nuk jeni kundër?

Ne duam që të jetë bashki Himara, kjo na intereson.

Pra sipas hartës që ka përcaktuar komisioni?

Po çfarë të ndryshojmë në të? Të themi që nuk duam këtë, e nuk duam atë. Mua më vjen keq, se unë s’kam dëgjuar ndonjë bashki, e cila zmadhohet dhe të thotë nuk e duam këtë. Kam dëgjuar komuna që shkrihen dhe i bashkohen bashkive të mëdha, të thonë që nuk duam të vemi atje.

Kësaj i bie që duhet të ishte Vranishti të ngrihej dhe të thoshte që nuk duam të shkojmë me Himarën…

Po kështu i bie, se shkrihen si komunë dhe i bashkëngjiten një bashkie. Me një fjalë, niveli i tyre drejtues shkon në vend tjetër. Nuk është se bashkisë Himarë i hiqet diçka dhe shkon në Vranisht.

Ju jeni kryetar Bashkie i Himarës ndaj doja të pyesja cili është qëndrimi më dominues në i qytetarëve të Himarës lidhur me këtë çështje?

Realisht qëndrimet janë të ndryshme. Duke futur tema të ndryshme, si krishtërimi, feja, Greqi- Shqipëri, detyrimisht ka probleme. Por në përgjithësi, nuk e thonë hapur që jemi kundër. Sepse ne kemi lidhje me ta, kemi marrëdhënie, kemi krushqi, shumë i kemi këtu. Me pak fjalë, jemi fqinjë. Historikisht kemi qenë bashkë, nuk na ka ndarë ndonjë gjë e madhe.

Ju personalisht gjatë kësaj periudhe nga elementët grek keni patur ndonjë presion për këtë çështje?

Jo, unë vetë jo.

Po lëvizja e Dules që vete e ankohet në Greqi si ju duket?

Dulja e bënë politikisht lojën. Atij nuk i intereson shumë ça përfitojnë himariotët, i intereson ca përfiton partia e tij. Ndërsa mua më intereson çfarë përfitojmë ne si popull, si shërbime, si interesa, si investime që mund të futemi në lojë për këto fondet e Bashkimit Europian. Sa më i madh të jetë një territor, sa më shumë popullsi, aq më mirë.

PBDNJ ka kërcënuar edhe me një referendum për këtë çështje. Sa i mundshëm është një gjë e tillë të bëhet në Himarë?

Po le të bëhet. Ne nuk kemi frikë as nga referendumi dhe as nga një gjë tjetër. Në popull do shtrohet çështja. Por lind pyetja tani, vetëm në Himarë do bëhet referendum? Hajde e bëjmë në gjithë Shqipërinë, sepse unë po dëgjoj gjithandej që po ngrihen si kofini pas të vjelit. Pasi vendoset, thuhet nuk jemi dakord. Kjo është një reformë që duhet bërë, është e domosdoshme. Nga njëra anë thonë është e domosdoshme dhe nga ana tjetër, thonë nuk duam me këtë. Ja, marrim rastin e Lukovës, duan ata që të vijnë me Himarën? Ja të them unë që ata nuk duan, sepse duan me Sarandën. Pse? Sepse të gjitha lidhjet me Sarandën i kanë patur historikisht. Gjykatat, pronat, marrëdhëniet, punët, të gjitha me Sarandën, me Himarën s’janë lidhur kurrë. Para viteve ‘40 po, mund të ishin, por më pas s’kanë pasur lidhje. Pra, po t’i pyesësh ata, do thonë duam të vemi me Sarandën. Çfarë bëhet në këto raste? U mor mendimi, u shprehën, disa kështu e disa ashtu dhe ata që u morën me këtë punë i panë të gjitha dhe vendosën.

Ardit Bido: Himara në kufijtë natyralë, kërcënimet  e Greqisë s’duhet të trembin askënd!

 
Zona e Himarës dhe komuna Livadhja janë dy pika të nxehta të hartës së re territoriale. Si e gjykoni zgjidhjen e komisionit të reformës për këto dy zona dhe presionin që vjen nga Athina për qeverinë shqiptare?

Duke qenë se këto çështje që ju prekni, janë pjesë e propozimeve të grupit të punës së ngritur pranë PDIU-së, të cilin pata fatin ta drejtoja, më lejoni të sqaroj edhe një herë rëndësinë e tyre. Së pari, në rastin e zonës së komunave minoritare në Shqipëri,  bëhet fjalë për disa ndryshime shumë të vogla, në respekt të plotë të minoritetit, që bëhet vetëm dhe vetëm për të ruajtur funksionalitetin e bashkive përreth. Qeveria nuk mund të krijonte bashki dhe t’i dënonte ato paraprakisht me vdekje ekonomike, siç ndodhte me propozimet për Delvinën, Sarandën dhe Konispolin. Kështu, Delvinës iu shtuan fshatrat Shijan, Kardhikaq, Muzinë dhe Pecë, që përbëjnë hapësirën ekonomike të rrugës së vjetër kombëtare Sarandë-Delvinë-Muzinë, duke shpresuar që me aq do të mund të mbijetojë ekonomikisht Bashkia e Delvinës. A janë këto fshatra të mjaftueshme? Absolutisht jo! Nëse pyesni banorët e Buronjës (Mavropullit) apo ndonjë fshati tjetër do ta kuptoni se Delvina duhet të zgjerohej më tej. Por, në respekt të krijimit të një bashkie minoritare, në propozimet tona, që u cilësuan racionale nga qeveria, sepse ashtu ishin, ne u kufizuam vetëm në fshatrat me shumicë shqiptare që rastiste të gjendeshin gjatë kësaj rruge, dhe nuk u zgjeruam në fshatra kufitare me shumicë minoritare. Për të qenë i sinqertë, ka pasur edhe propozime të tjera të ardhura nga zona, për të cilat ne jemi në dijeni, që parashihnin bashkimin e gjithë komunës Mesopotam me Delvinën për t’i mundësuar funksionalitetin. Mirëpo, u zgjodh që në këtë hapësirë “sui generis” të mundësohej funksionaliteti duke respektuar në maksimum minoritetin.

 

Në Sarandë, e gjithë zona nga ish- kampi i punëtorëve e deri në Ksamil, përfshi plazhet e njohura si ai i Manastirit apo Pasqyrave, liheshin artificialisht në Bashkinë e Livadhjasë, edhe pse janë lagje të qytetit. E njëjta gjë ndodhi edhe në Konispol. Tre fshatrat e Komunës Livadhja për të cilat ne flasim: Sopiku, Pandelejmoni dhe Vagalati përbëjnë një fushë të dytë, fushën poshtë fshatit Livadhja, që bashkë me fushën e Vrinës do t’i mundësojë mbijetesën Bashkisë së re të Konispolit. Aq më tepër që shumica e banorëve të tre fshatrave të marra së bashku janë të etnisë shqiptare.

 

Pra, arsyet kanë qenë tërësisht për vitalizimin e këtyre zonave, por edhe këtu është respektuar në maksimum minoriteti dhe është kufizuar vetëm në fshatrat që ishin tërësisht të domosdoshme. I thashë këto për të treguar seriozitetin në respektimin e minoriteteve, me të cilat u veprua edhe nga ana e grupit të punës që drejtoja. Pasi thashë këtë, dua të saktësoj se Shqipëria nuk ka asnjë detyrim që të krijojë bashki artificiale me shumicë minoritare. Ky detyrim është vetëm nëse ka hapësira të atilla, që përbëjnë realisht komunitete; pra qytete dhe zona rurale që përbëjnë shumicë minoritare. Në rastin tonë, qytetet janë shqiptare si Delvina, Saranda apo Konispoli dhe konventat ndërkombëtare kërkojnë që të mos kishte bashki minoritare, por bashki të përziera. Mirëpo, për shkak të madhështisë së kombit shqiptar për të respektuar minoritetet edhe në kërkesa të tilla, ku nuk është e detyruar, çoi në këtë përfundim. Himara është në çdo aspekt në kufijtë natyralë.

 

Së pari historia, na tregon për Himarën e 50 dhe 60 fshatrave dhe jo Himarën e 7 fshatrave; kështu që Himara po zgjerohet në kufijtë e natyrshëm të krahinës së vet. Që Himara nuk ka minoritet, kjo dihet. Mirëpo, edhe sikur të marrim tezat e dyshes Dule-Bollano, sërish Himara duhet të zgjerohet. Ata pretendojnë se tre fshatrat dygjuhëshe të Himarës Fshat, Dhërmiut dhe Palasës përbëjnë minoritet. Edhe në pretendimin e tyre, vetë fakti që shumica e fshatrave të Bashkisë Himarë janë tërësisht shqiptare (Vunoi, Iliasi, Piluri, Qeparoi, Kudhësi) e bën të vetëkuptueshme se Himara nuk mund të trajtohet ndryshe nga pjesët e tjera të vendit. Pra, edhe në logjikën e tyre, Himara duhet të zgjerohet me Vranishtin dhe Lukovën. Në këtë mes, duket se ata po qahen në Athinë, më shumë për të siguruar ndonjë fond shtesë, sesa për të kërkuar të drejtën. Edhe këtë here, shteti grek po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë, duke na kujtuar se jemi një vend që aspiron për t’u bërë vend anëtar në BE. Kërcënimet në proceset e anëtarësimit nuk duhet të trembin më askënd, sepse për nga vetë materiali, ndarjet territoriale janë tërësisht çështje të brendshme.

 

Por, nëse ndonjë deputet bie pre e tyre dhe për shkak të kësaj nuk voton këtë reformë, atëherë do të jemi në kushtet e tradhtisë. Sepse një ndërhyrje e një shteti të huaj në punët e brendshme të Shqipërisë, në momentin që ndikon në votat e ndonjë deputeti, atëherë ai deputet është qartazi një marionetë e një shteti të huaj. Në këtë aspekt, në mendimin tim, qeveria duhet të reagojë, duke ndjekur shembullin grek. Thënë ndryshe, nëse Greqia do të arrijë të ndalojë këtë reformë, atëherë ne duhet të ndjekim shembullin “evropian” të Greqisë, që nuk pranon krijimin e asnjë njësie të pushtetit vendor me shumicë minoritare, por krijon në zonat minoritare superprefektura “sui generis”, që bashkojnë territore të popullsive të ndryshme për të bërë shumica greke. Këto dy superprefektura në Greqi i emëronin prefektët, në mënyrë që dhe në zonat minoritare të kishte prefektë grekë. Mendimi im personal, është që ky shembull antievropian nuk duhet të gjejë zbatim. Mirëpo, nëse gjendemi me shpatulla pas muri, edhe tre bashkitë me shumicë minoritare le të shkrihen, sipas shembullit grek, dhe të bëhen me shumica shqiptare, meqenëse Greqia dashka të ndjekim një shembull të një shteti “evropian” si ajo vetë!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama