Doshi shperthen kunder Tahirit Policia u mbush me tepelenas

Doshi shperthen kunder Tahirit: Policia u mbush me tepelenas

Deputeti i PS-së debaton me Xhafajn për gradat në polici. “Artan Didi u mor nga rruga pa gradë, siç u bë në kohën e Berishës me tropojanë, tani po bëhet me tepelenas”

Jo vetëm opozita ka kritika për ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri lidhur me emërimet që ai ka bërë në radhët e Policisë së Shtetit, por edhe deputetët socialistë. Tom Doshi ka shpërthyer në kritika dje në Komisionin e Ligjeve ndaj ministrit Tahiri, për emërime krahinore në radhët e forcave të rendit. Ai e ka nisur me vetë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Artan Didi, për të cilin ka deklaruar se është marrë nga rruga dhe pa gradën përkatëse dhe është emëruar në atë detyrë. Po ashtu, Doshi ka deklaruar se të gjithë emërimet e drejtuesve të policisë janë bërë duke patur si kriter vendlindjen nga Tepelena, nga është me origjinë dhe vetë ministri Tahiri. Madje ai ka shkuar deri aty sa ka hequr vija paralele mes kohës së Berishës, kur sipas tij policia ishte e mbushur me tropojanë dhe kohës së tanishme, kur policia është e mbushur me tepelenas. Gjatë shqyrtimit të projektligjit deputetët kanë patur pakënaqësi për zgjidhet që jep drafti për sistemin e gradave, pasi sipas tyre përdoren dy filozofi të ndryshme për gradat e ulëta dhe gradat e larta. Deputeti Pandeli Majko ka kundërshtuar propozimin që bëhet në projektligj që gradat e ulëta në polici të kenë të drejtën e 28 ditë leje në vit dhe drejtuesit e lartë, 42 ditë.

Doshi:Tani me këto propozime që keni bërë ju që do të kalojmë sot, këta njerëz që janë emëruar gjatë këtyre 300 ditëve dhe që nuk e meritojnë këtë gradë, me çfarë statusi do të drejtojnë? Kështu është Drejtori i Përgjithshëm, që ka ardhur prej rruge dhe ka marrë këtë gradë. Pra nuk bëhet fjalë që bëhen tri propozime. Këtu nuk është bërë asnjë propozim tjetër, vetëm një propozim është bërë.

Xhafaj: Do t’i nënshtrohet ligjit.

Doshi: Ne vendosim që Policia e Shtetit është e pavarur. Ndërsa unë them që Policia e Shtetit është politike. Emërimet i bën ministri dhe fakti tregon që gjithë drejtuesit sot në Policinë e Shtetit janë tepelenas. Dhe veriorët, asnjë nuk ekziston në Policinë e Shtetit, të gjithë janë tepelenas. Pra të gjitha emërimet që bën ai janë politike. Ministri i Rendit është post politikë dhe kompetencat i ka Drejtori i Përgjithshëm. Drejtori i Përgjithshëm për mua nuk ka kompetenca, sepse edhe për një kapter duhet të marrë leje te ministri. Unë propozoj që këto të ndahen sot, meqë duan të kalojmë ligjin për Policinë e Shtetit.

Xhafaj: Këto do të ndahen kur t’u vijë radha.

Doshi: Jo radha, nëse do me e kalu këtë ligj sot, kalon dhe kalon në parlament.

Xhafaj: Po jo mo, si do kalojë sot në parlament mo zotëri, ça po thua.

Doshi: Ky që them unë është neni më i rëndësishëm.

Xhafaj: Jo vazhdon debati, janë 144 nene.

Doshi: Ky që them unë është më i rëndësishmi, emërimi i drejtorit.

Xhafaj: Është përpara ai, ka kaluar ai. Ky është neni për gradat.

Ndoka: Ky është neni i tepelenasve.

Xhafaj: Jo mo nuk është ashtu si thua ti. E ke gabim edhe ti edhe Toma e ka gabim.

Doshi: Nuk e kam gabim, se e kemi me prova.

Xhafaj: Po mirë,ti ke mendimin tënd, unë kam timin. Ne jemi përsëri kolegë.

Dosha: Siç u bë në kohën e Berishës me tropojanë, është bërë dhe tani me tepelenas.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama