Dosja e Bleones kthehet ne piken zero bien akuzat per studentin

Dosja e Bleones kthehet ne piken zero, bien akuzat per studentin

Hetimi për zhdukjen e Bleona Matës kthehet sërish në pikën zero. Prokuroria e Kukësit nuk ka gjetur prova që implikojnë studentin Begzim Isa në zhdukjen pa gjurmë të vogëlushes më 22 maj të vitit 2010. E ndërsa dosja kundër Isës është drejt mbylljes, nëna e Bleonës bën apel për vazhdimin e hetimeve. Në një intervistë për “News 24”, Bukurie Veizi thotë se i dyshuari ka gisht në zhdukjen e së bijës. “Prokuroria nuk duhet të mbyllë hetimet. Begzim Isa ka gisht në zhdukjen e Bleonës, ai ka bashkëpunuar me Qamilen. Prokuroria ka dëshmi që flasin për përfshirjen e tij”,- është shprehur Bukuria.

 

Begzim Isa, i dyshuar për trafikim fëmijësh në Kosovë, u hetua për më tepër se 12 muaj në lidhje me zhdukjen e Bleona Matës. Në 16 prill, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj të riut, por pa akuzë për zhdukjen e Bleonës. I dyshuari është marrë i pandehur vetëm për akuzën e “rrëmbimit të të miturve me qëllim trafikimi”, vetëm për rastin e një 8-vjeçari, për të cilin edhe u arrestua në fillim të prillit 2013. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon në akuzën e saj se ish-nxënësi i shkollës së mesme mjekësore në Prizren ka tentuar ta trafikojë një 8-vjeçar, të cilin e kishte marrë pa dëshirën e tij, duke e larguar nga familja. Të afërmit e djalit 8-vjeçar me inicialet A.F. denoncuan zhdukjen e fëmijës së tyre një vit më parë në Kukës, duke akuzuar pikërisht Begzim Isën.

 

Për shkak se vazhdonte studimet në shkollën mjekësore në Prizren, u dyshua se i riu kishte planifikuar trafikimin e 8-vjeçarit drejt Kosovës. Policia kreu kontrolle në banesën ku mbahej fëmija dhe e gjeti atë, duke vendosur në pranga edhe Begzim Isën, i cili asnjëherë nuk e pranoi akuzën për trafikim fëmijësh. Pas arrestimit në lidhje me rrëmbimin e 8-vjeçarit, prokuroria e hetoi të riun edhe për rastin e Bleona Matës, vajzës së zhdukur pa gjurmë më 22 maj të vitit 2010 në zonën e Kukësit. Edhe pse hetimet zgjatën një vit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pohuar se nuk ka gjetur asnjë provë për implikimin e Isës në zhdukjen e vajzës së mitur katër vjet më parë. I dyshuari 21-vjeçar nga fshati Orgjost i komunës Zapod banonte në të njëjtën zonë ku ndodhi zhdukja e Bleona Matës.  

 

Për shkak të lëvizjeve të tij të shpeshta në Kosovë, u dyshua se ai mund të ishte implikuar në zhdukjen e Bleona Matës, por me sa duket prokuroria nuk ka gjetur elemente dhe prova për implikimin e tij në këtë ngjarje. Për këtë arsye, ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda është dorëzuar dosja penale ndaj të riut vetëm për akuzën e rrëmbimit të fëmijës 8-vjeçar, me qëllim trafikimin e tij në Kosovë në prill të vitit 2013. Bleona u zhduk në Zapod të Kukësit teksa shoqërohej nga 5 kushërira, mes të cilave edhe halla e saj. Kërkimet për gjetjen e saj janë shtrirë si brenda edhe jashtë vendit, por deri tani nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e Bleona Matës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama