E verteta e teorive te komplotit

E verteta e teorive te komplotit

Grekët thonë një histori kundër vetes, që lidhet me prirjen e tyre për të besuar teoritë e komplotit. Ata tregojnë se si Zoti vendosi që t’i japi secilit komb, si dhuratë, një tipar special kombëtar. Ditën e caktuar, përfaqësues të kombeve të botës hynë në praninë hyjnore dhe aty morën dhuratat. Amerikanët morën optimizmin, francezët elegancën, britanikët stoicizmin, rusët kurajën, iranianët dinakërinë e kështu me radhë.

Delegacioni grek erdhi me vonesë, pikërisht në një kohë kur kombet e tjerë po largoheshin. Zoti u kërkoi ndjesë dhe u shpjegoi se i vinte keq, por i kishte dhënë tashmë të gjithë karakteristikat e dëshirueshme dhe nuk i kishte mbetur asnjë. Grekët u zemëruan dhe protestuan me furi, duke thirrur “pra, edhe ti o Zot, i jeni bashkuar komplotit kundër nesh. E prisnim gjithmonë që kështu do të ndodhte. Fillo pra, na thuaj kush të paguan dhe përse komploton kundër nesh?” I zemëruar, Zoti ua ktheu: “Shumë mirë pra, ju grekët do të kenë një dhuratë për akuzat tuaja. Në të ardhmen, do të jetë pjesë e karakterit tuaj kombëtar që të besoni gjithmonë në teoritë e komplotit, për të shpjeguar gjithçka që ndodh rrotull jush”.

Këtë histori ma ka treguar fillimisht një historian grek qipriot në vitin 1975, një vit pas pushtimit të një pjese të ishullit të Qipros nga turqit. Ai donte të më thoshte se një arsye e kësaj që kishte ndodhur, ishte se grekët dhe greko-qipriotët ishin shumë të prirur ta shihnin politikën nga prizmi i komploteve, dhe e harronin faktin strategjik, pra që Qiproja ndodhej 965 kilometra larg nga Athina, dhe 65 kilometra larg nga Turqia.

Teoritë konspirative janë të dëmshme, sepse ato i lejojnë individët, komunitetet dhe qeveritë që të largojnë vëmendjen nga problemet realë dhe e zhvendosin fajin tek dështimet gjetkë. Brenda një ore pas rrëzimit të avionit të Malaysian Airlines në Ukrainë, kishin filluar të vërtiteshin histori të tilla në internet dhe kudo, pra se kush me saktësi e rrëzoi avionin e pasagjerëve, përse avionë civilë fluturonin mbi një zonë lufte, aty ku dy avionë ushtarakë ishin shkatërruar tashmë prej raketave.

Shkojmë pas një muaj në kohë, dhe shohim marrjen e një pjesa të madhe të Irakut verior nga disa mijëra luftëtarë të ISIS-it dhe aleatëve të tij. Ishte një prej humbjeve më të turpshme dhe të panevojshme në histori, dhe ndodhi sepse ushtria irakene ishte kalbur tashmë prej sektarizmit dhe korrupsionit. Megjithëkëtë, Kryeministri Nuri al-Maliki fajësoi për këtë humbje një komplot, ku ai identifikoi kurdët si dora e fshehtë prapa shpërbërjes së ushtrisë. Ai pretendon se kryeqyteti kurd, Erbil, “është qendra e ISIS-it, Baathistëve, al Kaedës dhe terroristëve”. Qëllimi i tij është të bindë shumicën shiite se u është ngulur thika pas shpine prej tradhtarëve kurdë. Fatkeqësisht, ai gjen shumë mbështetës në komunitetin e tij shiit, që thonë se dështimi i madh i Sadam Huseinit ishte që nuk i shfarosi krejt kurdët.

Teoritë e komplotit shpesh herë burojnë prej bashkimit të pikave që në të vërtetë janë të ndara e s’kanë pikë lidhjeje mes tyre. Kjo bëhet duke pyetur “cui bono?” ose “kush përfiton?” nga një ngjarje, dhe më pas të supozohet se përfituesi është edhe dora e fshehtë prapa asaj që ka ndodhur. Një shembull i mirë është rritja e ISIS-it dhe lëvizjeve xhihadiste në Siri dhe në Irak, gjë që shkonte në avantazh të presidentit Bashar al-Assad, sepse sado që nuk e pëlqejnë atë vetë, shumë sirianë dhe fuqi të tjera të huaja preferojnë më mirë Assadin, se sa xhihadistët e llojit të al Kaedës.

Media perëndimore, diplomatët dhe opozita “e moderuar” siriane pretenduan se Assadi jo vetëm përiftoi prej ekzistencës së ISIS-it dhe Jabhat al Nusras, por ai ishte i lidhur fshehtësisht me to. “Vini re që ISIS-i nuk i sulmon forcat qeveritare”, thonin njerëzit me një farë cinizmi në Beirut, ndonëse ISIS-i ishte përgjegjëse për marrjen e bazës ushtarake Minnigh në veri të Aleppos, një prej fitoreve të pakta të rebelëve vitin që kaloi.

Politika ka të bëjë kryesisht me shfrytëzimin e gabimeve që bën kundërshtari. Vështirë të habisë ndokënd fakti që Assadi, pasi denoncoi të gjithë ata që protestonin kundër sundimit të tij si “terroristë”, duhet të ketë një stimul për të nxjerrë në pah dominimin e xhihadistëve në zonat e kontrolluara prej rebelëve. Përse duhej që Assadi të luftonte ISIS-in, kur po zhvillonte një luftë civile me pjesën tjetër të opozitës? Por ka qenë gjithmonë një ekzagjerim absurd të imagjinosh, siç e thonë pa u menduar teoricienët e komploteve, se ISIS dhe al Nusra kanë qenë krijesa të qeverisë në Damask.

Teoritë e komplotit e kanë terrenin e tyre më pjellor në Lindjen e Mesme, por ato kanë edhe shumë konkurrencë në pjesë të tjera të botës. Mendoni skenarët, sipas të cilëve Shtëpia e Bardhë ka qenë dora e fshehtë prapa sulmeve të 11 shtatorit dhe shkatërrimit të kullave binjake. Arsyeja, sipas teorisë, është se kjo shkonte në avantazh të administratës së Presidentit Bush, duke i mundësuar atij të paraqitet si mbrojtës i kombit, pra duke i bërë disa të thonë se ai ka qenë bashkëfajtor në komplotin e al Kaedës. Kjo marrëzi maskoi faktin – i fshehur fajësisht apo injoruar nga Shtëpia e Barhdë – se ka prova të forta që lidhin sulmet e 11 shtatorit me mbështetës dhe simpatizantë në Arabinë Saudite.

Ndjekësit e teorive të komplotit kanë edhe të paktën katër motive të tjerë të fortë: një prirje e natyrshme e njeriut për të ndërlikuar gjërat dhe rrëfyer një histori interesante; vërtetimin se armiku është jo vetëm i keq, por edhe djallëzor e dinak; fitimi i parave – mendoni pak gjithë ata artikuj, libra dhe filma për vrasjen e Kennedyt, që nuk do të ishin shitur nëse versioni zyrtar i atentatit do të kish qenë korrekt.

Një arsye e katërt përse teoritë e komplotit janë kaq në modë është se një pjesë e tyre është e vërtetë. Kjo është e vërtetë sidomos në Irak dhe në Siri, me traditat e tyre të gjata të qeverive baathiste që kanë ardhur në pushtet përmes komploteve ushtarakë dhe që më pas janë përpjekur gjithmonë të zbulojnë komplote të tillë kundër sundimit të tyre.

Javën që kaloi po bisedoja me një kurd të Sirisë dhe po e pyesja në lidhje me ofensivën aktuale të ISIS-it në Sirinë lindore, ku po marin vendburimin e pasur me naftë të Deir Ezzorit dhe po sulmojnë enklavat kurde në veri. Ramë dakord që, duke parë zemërimin ndërkombëtar në tre javët pasi ISIS-i mori Mosulin në 10 qershor, çuditërisht kishte shumë pak reagim për ofensivën e re të ISIS-it në Siri. Arsyeja është se këtë herë, vëmendja ndërkombëtare është e fokusuar në bombardimin e Gazës nga Izraeli. “A mendon se është e mundur”, më pyeti miku im sirian jo pa qëllim, “se ISIS-i mund të ketë organizuar vrasjen e tre adoleshentëve izraelitë – dihet që ai ka celula militantësh në Bregun Perëndimor – duke ditur që kjo do të provokonte një sulm izraelit ndaj Gazës, dhe do të largonte vëmendjen nga operacionet e tij?” Në atë kohë, qesha dhe e “hodha tutje” këtë ide, thjeshtë si një tjetër teori komploti e bazua jo mbi prova reale. Por tani që e mendoj sërish, nuk jam i sigurtë.

Më kujtohet që në vitin 1982, ambasadori izraelit Shlomo Argov u plagos rëndë në Londër nga tre vrasës, që punonin për lëvizjen Abu Nidal që udhëhiqej prej shërbimit të fshehtë iraken. Qëllimi ishte të provokoheshin izraelitët të pushtonin Libanin dhe të përfshiheshin në një luftë me Sirinë, e cila ishte aleate e Iranit në luftën Iran-Irak si dhe ishte një armike e urryer e Sadam Huseinit. Izraeli e dinte që atentati ishte vepër e Irakut, por pavarësisht kësaj ai e përdori si justifikim për të pushtuar Libanin dhe shtypur Organizatën për Clirimin e Palestinës.

A mos ndoshta dikush brenda ISIS, që thuhet se është një organizatë terroriste e mbushur me ish besnikë të Sadamit, ka menduar një komplot të ngjashëm? Me sa kuptoj, pavarësisht gjithë atyre teorive qesharake, ka komplote të vërtetë në jetën reale.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama