Ethet e arit po shkaterrojne historine

Ethet e arit po shkaterrojne historine

Kjo rrënojëz kishe në një nga kodrat e Marikajt është habia më e madhe se deri ku ka arritur çmenduria e thesarkërkuesve shqiptarë. Ata kanë ngjitur një karkalec apo kushedi se çfarë në një majës kodre, ku edhe me këmbë shkohet me vështirësi dhe kanë gërmuar buzë një muri kishezë në Kuç deri në thellësinë gati katër metra. Askush nuk i ka parë vallë?! Askush nuk e di! Kot të pyesësh sepse edhe ty të vetë do të marrin për thesar-kërkues. Rrënojëza është kuptohet pa Zot, sepse s’është monument, kurse rajonit duket se i intereson fare shumë pak...

Një specialist i muranave dhe i teknikave të ndërtimit mund të hidhte menjëherë dritë për objektin. Por, s’ka asnjë të tillë atypari, ndërsa pas një endje prej 25 minutash nga një rrugë lokale në Kodrat e Marikajt, as që të shkon ndërmend një syresh. Kam dëgjuar se ky vend është zbuluar krejt rastësisht. Domethënë nga monumentet. Në një udhëtim për jashtë vendit, shumë vite të shkuara, një nga specialistët e monumenteve kishte parë muranën nga sipër dhe në kthim ua kish rrëfyer kolegëve, që e kishin identifikuar menjëherë falë një banori të zonës. Aty ka qenë gjithnjë!-u kish thënë djali i habitur. Kjo ka kohë, por ajo që na trand dhe e vetmja gjë e cila të mbetet në mënd është çmenduria gati patologjike e një bashkëkombësi që e ka ngjitur karkalecin këtu apo një mjet të tillë, apo kushedi se çfarë për të gërmuar. Dhe ka gërmuar me një saktësi të tillë ngjitur me murin e mbetur, derisa edhe ka shkuar plot katër metra poshtë.
...
Zamiri, një nga punonjësit e vjetër të Institutit të Monumenteve që pret rikthimin në punë pas furtunës, ka qenë dhe më parë. Shumë kohë më parë. Me kurajën e vet dhe indikacionet e tij kemi përshkruar një monopat dhe jemi ngjitur deri më aty. Atij do t’i lutem për foto më vonë. Muri i kishëzës që na shfaqet është i vetmi objekt murane i dukshëm kurse një e çarë, nuk e di pse më bën të mendoj se është absida. Kjo tokë ka qenë e mbjellë me kisha dhe ky rajon i përkiste pastokës së qendrës së Epirit të Ri. Por për vjetërsinë s’bëhem dot specialist. Shekulli i XI dhe XII, më konfirmon dikush prej restauratorëve pensionistë, kur ia përshkruaj. Muri ka gjurmë suvaje ndërsa teknika e ndërtimit është gur i rregullt me shtresa tulle, gjë që të bën se ka pak erë Bizanti. Mundohemi të zemë këndet tona dhe fotografojmë. Deri në njëfarë rruge kemi përshkruar në shoqërinë me një grua të re, që ecën pak e hepuar dhe anash, ku-ta-dish mbase nga frika e dy fytyrave të panjohura, që e pyesin. Na ka thënë se rruga ishte 10 minuta, por për këmbët tona dhe me shkallën e saj të matjes së kohës, kuptohet se na ka vajtur më shumë se kaq. Anipse jemi aty dhe ndërsa përgatisim aparatet na shkon syri të shkojmë stratigrafinë e vendit, që thesarkërkuesit e kanë bërë pothuaj gati. Duket qartë se ka pasur dhe një ndërtim poshtë dhe ti habitesh sesa thellë qëndron një tjetër ndërtim. Eshtrat e një qyqari, të panjohuri, mu në mes të një stratigrafie dheu dhe gurësh, zbardhin teksa dielli bën lodërzat e veta në këtë ditë shkurti. Edhe atë se ka kursyer vegla gërryese, që në këtë rast ngjan si vullnet i qoftëlargut.


Kisha e Kuçit


Për ata që se dinë, ky vend dhe hapësira njihet si Kisha e Kuçit. Përbën një vend pelegrinazhi për banorët në një ditë të caktuar të vitit. Është si gëzim nga ku mblidhen bashkë që nga fshatrat përreth dhe qëndrojnë bashkë në një ditë. Ende ka bidona uji të mëdhenj, gjëra plastike, por edhe fishekët e gjuetisë, ndërsa ajo që më mban gjatë të interesuar janë fosilet e shumëllojta të shpërndara ngado. Natyra ka lënë gjurmët e kapriçove të saj qindra-mijëra vjeçarë. Sikur të jem fëmijë, nuk rresht së kompletuari dhe marrë forma të ndryshme. Kam gati një marri fëmije dhe ngazëllim që ma liron krejt lodhjen. Kisha e Kuçit nuk është se ka shpëtuar nga interesimi i studiuesve por Shqipëria është kaq shumë e mbjellë me to, saqë askush nuk do t’ia dijë më për specifika. Ndoshta komuna afër apo ku ta dish, nuk e di nëse Kuçi varet direkt nga Vora mund të kishte pak kujdes dhe këtë vend ta trajtonte si duhej. Na vjen të qeshim sesi mund të ndodhë në vende të tjera, që thesarkërkuesit, të cilët kanë mbirë si kërpudhat pas viteve ’90 të shekullit të shkuar të kenë gjetur gjë. Këto kodra përbëjnë gjurmët e një jetesë të hershme dhe këtu ku jemi ka mundësi të ndodhet një nekropol i thjeshtë, qendra e të cilit mund të jetë shumë afër. Por me njohuritë që kemi dhe mundësitë nuk mund të bëjmë pothuajse asgjë. Kisha mendoj se është jo shumë e vjetër. Me pak rikonjicion dhe përkushtim mund të bëhej një nga indikacionet atraktive për një hartë interesante për rajonin, që do t’i shërbente Vorës!


 Nga ecnin këta njerëz? Ku ishin udhët që përshkonin? Ku furnizoheshin? Me kë jepnin e merrnin? Si ishte peizazhi gjeografik? Kuptohet se përballë ishte deti dhe orientimi dihet, po ku shpërndaheshin më pas? Deri ku ishin kënetat!? Pse kishte një objekt të tillë kulti pse kanë ndërtuar mbi një kishë tjetër. Stratigrafia thotë shumë gjëra, por jo mundësitë e njohurive tona. Shtresëzimi që më duket interesant dhe që tregon hapur një ndërtim të ketë qenë më parë, ka qenë dhe një drejtim i mirë për kërkuesit që e kanë ngrehur me themel gërmimin e tyre. Po a ka pasur ndonjë afresk? Kush e menaxhonte? Një qese plastike dhe mbeturinat e saj tregon se njerëzit e kanë pasur me nge gërmimin.  Kurse disa thellima në mure tregojnë se kërkimet janë bërë deri te muret. Mund t’i imagjinoj. Të shkujdesur. Dikush e ka cigaren e dredhur. Dikush me cigare të zakonshme. Gjurmët i sheh përreth. Sytë në fund të mbeten drejt vrimave nëpër mure. Në fillim dyshojmë se mund të jenë mbajtëse për ndonjë lloj platforme kapriate, por këtë e hedh shpejt pas sepse ato janë shumë poshtë nivelit...
 
Intermexo


Me krijimin e Temës së Durrësit në fillim të shekullit të IX, ku u përfshinë përafërsisht trevat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, duket se u riorganizua dhe administrata kishtare.
Por pas rënies së Perandorisë Bizantine në sundimin e feudalëve latinë në vitin 1204 në territorin e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut krijohen një sërë peshkopatash të reja, të lidhura me Perëndimin Katolik, ku këto pjesë të territorit të Shqipërisë së Mesme ishin të lidhura me Durrësin.


Relacionet e të dërguarve të papës gjatë shekullit të XVII mbi gjendjen në trevat shqiptare dhe ku mund të ketë të dhëna, janë botuar dikur nga Injac Zamputi. Studimet e para të arkitekturës së këtyre ndërtimeve i ka bërë Teodor Ipen, konsulli austriak i fillim shekullit të shkuar. Por a ka qenë afër Marikajt? Duke u mbështetur nga ai kanë ardhur dhe dhjetëra të tjerë të pasionuar dhe studiues, por pas Luftës një pjesë e nderuar studiuesish shqiptarë do të merreshin me to...Mes tyre do shquaje Aleksandër Meksi që na ka lënë vështrime dokumentare dhe këqyrje shumë serioze në terren. Po edhe ai se di fare dhe nuk ka qenë këtu habitshmërisht!
 
Të çmendurit


Nëse ky vullnet që ka bërë këtë batërdi do të ishte për gjëra të mira, Shqipëria me siguri do të ishte një parajsë e vogël mesdhetare. Këtë themi teksa bisedojmë, ndërsa Zamiri ruan kaviljen e dëmtuar dhe ecën duke qeshur. Në fakt qeshim me çmendurinë, por më shumë me një mundim që mund ta kishin kursyer për diçka tjetër. Po sikur të kenë gjetur gjë? Kuçi nuk është në listën e monumenteve, me sa di, por fotografi i njohur ndahet dhe fotografon. I vjen keq që çmenduria e ka kapur zonën. Është shpesh një nga sinjalizuesit e parë te medias, edhe pse kjo i ka kushtuar shumë. Ikim. Ndërkohë që zbresim e fshati afrohet më shumë, sërish na duhet të zgjedhim mirë udhën, që për hir të së vërtetës është më e lehtë. Mrekullia e objektit na shoqëron në rrugën e kthimit. Në fat jemi ne të çmendur që në këtë ditë të bukur ku Tirana sapo i ka shpëtuar një vale shiu po jeton shtriqjen e saj, kurse nga ana tjetër Durrësi duket i lëbyrur qetësisht nga një bardhësi e bukur që i vjen nga deti. A thua do të vinë sërish thesarkërkuesit? Patjetër. Për fat të mirë të tyre Vora po bën rrugët lokale dhe duket se rruga e shtruar me një shtresë të pastër çakëlli, që ka shkuar deri  në Kuç, shpejt edhe do asfaltohet. Që do të thotë se ka shumë më tepër mundësi për kërkime. Nuk e di se kur do shkojë por tani është e mjaftueshme. Të patën dikush do të kujdeset që ta ruajë. Çfarë historie mund të ketë vallë ky vend? Ata që pyes nuk më thonë asgjë. Mbetem me fosilet e mi dhe me çmendurinë e thesarkërkuesve. Kjo është histori mbi histori, sesi në nxjerrim ropullitë e trashëgimisë për makutërinë tonë fizike, ekonomike ziliqare.
...
Këtë pyes kur kthehem nga Zamiri gjatë kohës, që më shton për lloj-lloj vendesh të tjera, ku gjëma të tilla janë fare të zakonshme.


Shqipëria, prej kohësh, ka një hordhi të tërë thesar-kërkuesish. Ata kontrollojnë nga veriu në jug objektet tona të trashëgimisë dhe nga njerëz që janë të lidhur me monumentet kam një referencë është se janë një bandë që fijet i kanë vetë deri te njerëzit që pretendojnë se merren me monumentet. Kjo është arsyeja pse rrënimi vazhdon dhe njerëzit e monumenteve janë të pasur. Pak ditë më parë para syve të autoriteteve të Gjirokastrës ra shtëpia e Hadërajve, kurse kjo kishëz këtu duket se e ka mbyllur profilin e vet. Se ç’kam një përshtypje që këta njerëz kanë frikën e Zotit. Po, vërtetë duhet ta kenë sepse muri ka mbijetuar...Po deri kur? Derisa e keqja të na mbysë vetë neve. Është dimër. Një dimër i ngrohtë i vitit 2014, që i rrëmben ditët pranverës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama