Faktori shqiptar ne Maqedoni pengese per regjistrimin e popullsise?!

Faktori shqiptar ne Maqedoni, pengese per regjistrimin e popullsise?!

Çështja e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni, ka ngelur pezull që prej vitit 2011, ku dështuan përpjekjet për të njohur numrin e përgjithshëm të popullsisë maqedonase dhe asaj shqiptare. Shkak për këtë ishin mosmarrëveshjet e shumta në atë kohë mes partive të koalicionit qeverisës lidhur me metodologjinë e zbatimit të këtij procesi. Mosmarrëveshjet kryesisht kishin të bënin me përfshirjen ose jo në regjistrim të shtetasve të Maqedonisë që jetojnë më shumë se një vit jashtë vendit, e që besohej se ndikojnë në ngritjen apo uljen e përqindjes së popullatës shqiptare në Maqedoni.

Pikërisht kjo “frikë” ndaj faktorit shqiptar, dhe rritjes së numrit të popullsisë shqiptare në Maqedoni, mësohet të jetë shkaku kryesor i dështimit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011.

Fati Iseni, ish anëtar i Komisionit Shtetëror për regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, konsideron se dështimi i para dy viteve ka ardhur nga frika  e rritjes së përqindjes së popullatës shqiptare në Maqedoni.

“Konsideroj se esenca e mos organizimit të regjistrimit të popullsisë qëndron kryesisht në arsyet politike. Në bazë të analizave të bëra viteve të fundit, ose nga viti 2002 e këndej, është më se e qartë se numri i shqiptarëve  shtohet dita ditës, ndërsa tek pala maqedonase kemi një rënie shumë të dukshme dhe sigurisht se kjo i shqetëson ata, prandaj edhe dëshirojnë që të blejnë kohë, por një ditë kjo do të realizohet, pasi nuk mund t'i iket përgjithmonë“, thotë Iseni.

Ditët e fundit janë vënë re përpjekjet e para për të rivënë në jetë procesin e regjistrimit.  Kryeministri Nikolla Gruevski, i ka shkruar një letër kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti për nevojën e realizimit të këtij procesi statistikor, por nuk ka marrë ende përgjigje, meqë sipas BDI-së, nevojitet një studim i detajuar për këtë çështje nga një grup i ngritur enkas për regjistrimin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama