Goli jashte eliminon Skenderbeun

Goli 'jashte' eliminon Skenderbeun

Skënderbeu i ka dhënë lamtumirën Ligës së Kampioneve që në turin e dytë të turneut, pasi është eliminuar falë rregullit të golit jashtë fushe përballë BATE Borisov. Pas barazimit 0-0 në sfidën e parë, korçarëve u nevojitej një fitore minimale për të kaluar direkt në turin tjetër. Por avantazhi i kundërshtarëve ndryshoi fatet e ndeshjes në favor të ekipit mik e më pas, korçarët nuk arritën të konkretizonin shumë raste të krijuara për të shënuar golin e dytë pas barazimit të Radas. Një gol i anuluar nga gjyqtari dhe dy shtyllat e goditura nga korçarët janë pengu i madh i skuadrës së Josës, që kishte mundësitë reale për të kaluar në turin tjetër të turneut.

Meqenëse Skënderbeut i duhej një fitore për të kaluar turin, Josa kishte hedhur në fushë një lojtar tipik ofensiv si Berisha për të zëvendësuar të dëmtuarin Ademir. Por minutat e para të sfidës flasin më shumë për BATE që provon të shënojë kryesisht nëpërmjet goditjeve standarde. Mbrojtja korçare tregohet e vëmendshme edhe në depërtimet e skuadrës bjelloruse, duke nxjerrë shpesh në pozicion jashtë loje sulmuesit kundërshtarë. Por me kalimin e minutave, nisma i kalon ekipit shqiptar, që duke qarkulluar më shumë topin, zhvendos aksionet në gjysmëfushën kundërshtare. Korçarët gjejnë edhe golin me anë të Sefës në minutën e 21-të, por gjyqtari e anulon për një kontakt mes Prognit dhe portierit Çernik, mes protestave të lojtarëve të Josës që e cilësuan këtë një vendim të gabuar.

Megjithatë, Skënderbeu e pëson që me gjuajtjen e parë të kundërshtarëve në kuadrat. Volodko harkon saktësisht nga e majta për Olekhnoviç, i cili i vetëm në zonë, godet me kokë dhe topi pasi përplaset në traversë, përfundon në rrjetë pas krahëve të Shehit. Korçarët nuk dëshpërohen, por mundohen menjëherë të gjejnë barazimin me Prognin që vetëm dy minuta pas dizavantazhit godet shtyllën, pas një grushtimi aspak të sigurt të portierit kundërshtar. Ekipi i Josës vazhdon të sulmojë, por nuk arrin të gjejë të çarat për të shënuar në portën kundërshtare, me BATE që mbyll në avantazh pjesën e parë.

Fraksioni i dytë i lojës është shumë më entuziazmues, me korçarët që krijojnë raste të njëpasnjëshme para portës së Çernik. Është Orelesi që vë i pari në provë reflekset e tij me një diagonale në minutën e 55-të, për të vazhduar më pas me tentativat e Sefës e Prognit. Josa e kupton se duhet diçka më shumë dhe hedh në fushë Ribajn e Jashanicën në vend të Berishës e Osmanit, me lëvizjen që rezulton e suksesshme, pasi pak minuta më vonë, Skënderbeu gjen barazimin. Është Radas që gjuan direkt e në portë në një goditje dënimi rreth 34 metra larg kuadratit, me portierin Çernik që gabon përsëri në kontroll dhe lë që sfera të përfundojë në rrjetë. Nga ai moment, në portën bjelloruse fillon një rrebesh i vërtetë rastesh ku thuajse secili nga lojtarët e Skënderbeut ka mundësinë për të dërguar topin në rrjetë. Nga jashtë zonës provojnë me radhë Vangjeli, Progni, Radas, Orelesi, Arapi e Lilaj. Megjithatë, rasti më i mirë vjen në këmbët e Ribajt në minutën e 88-të të sfidës, kur pas një aksioni të Prognit në krahun e djathtë, topi përfundon te sulmuesi 24-vjeçar. Por devijimi i tij drejt kuadratit përfundon në shtyllë, duke shpëtuar përsëri portën e BATE-s. Me Skënderbeun e hedhur krejtësisht në sulm, bjellorusët rrezikuan të shënonin në kundërsulm golin e dytë në minutat e fundit, por Shehi ruajti rrjetën e paprekur me ndërhyrje vendimtare. Megjithatë, as grinta e portierit, i kthyer në një mbrojtës të mirëfilltë, nuk shërbeu që skuadra të gjente golin e kualifikimit. Ndaj pas 4 minutave shtesë, korçarëve iu desh të dorëzohen falë rregullit të golit jashtë fushe, duke i dhënë lamtumirën aventurës europiane për këtë edicion.

 

Mirel Josa, trajneri i Skënderbeut

“Ishte një ndeshje e mirinterpretuar nga ne. Nuk duhet të them gjë tjetër, tani duhet të përqendrohemi për sa i përket vazhdimësisë së mëtejshme. Po të ishte fati me ne, mund të kualifikoheshim, fati është faktor i rëndësishëm. Por, përveç tij, duhej të kishim shfaqur edhe ne zgjidhje më të mira në fazën sulmuese. Ndërtuam lojë, por në momentin që dilnim për finalizim, gabuam në zgjedhjet që bëmë. Duhej të ishim pak më të qartë, sidomos në momentin kur pamë pasigurinë e portierit të tyre”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama