Holanda drejt bojkotimit te Boterorit Russia2018 ?

Holanda drejt bojkotimit te Boterorit 'Russia2018' ?

Në Holandë shumë njerëz janë duke shtruar pyetjen nëse kombëtarja e tyre duhet ose jo të marrë pjesë në botërorin që do të zhvillohet në Rusi pas katër vitesh. Rrëzimi i avionit MH17 në lindje të Ukrainës, ku humbën jetën 298 persona shumica prej tyre me origjinë holandeze ka tensionuar në maksimum marrëdhëniet midis dy vendeve.

Holanda përfundoj e treta në kompeticionit e fundit të Kupës së Botës të zhvilluar në Brazil, por tani mundësitë që portokallinjtë të bojkotojnë Rusinë pas katër vitesh janë të larta.

Federata Holandeze e Futbollit (KNVB) ka pranuar se është përballur me këtë pyetje shpesh herë kohët e fundit. Por gjithësesi, ajo shprehet se është “shpejtë” për të marrë një vendim të tillë.

“Persona të ndryshëm kanë pyetur KNVB në lidhje me pjesëmarrjen në Kupën e Botës së vitit 2018 që do të zhvillohet në Rusi. Ne e kemi të qartë se Kupa e Botës në këtë vend do të jetë shumë emocionale për të gjithë adhuruesit e futbollit dhe të afërmit e viktimave. Gjatë këtyre ditëve të zeza KNVB është me familjet, miqtë dhe klubet e futbollit të viktimave”, thuhet në deklaratë.

Federata Holandeze njofton se vendimi për pjesëmarrjen ose jo në Kupën e Botës do të merret pas përfundimit të hetimeve për tragjedinë. “ KNVB mendon se është e rëndësishme që diskutimet në lidhje me vendimin për të marrë pjesë në Kupën e Botës që do të zhvillohet në Rusi, të shtyhet për një datë të mëvonëshme, kur hetimet për tragjedinë të kenë përfunduar”, theksohet në deklaratë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama