K.S. Tirona legjenden e krijoi dhe e prishi politika

K.S. Tirona, legjenden e krijoi dhe e prishi politika

K.S. Tirona është një nga pak ekipet shqiptare të futbollit që e pësoi paq nga sistemi i kaluar. Megjithatë, klubi gjeti forca brenda vetes të mbijetonte dhe më shumë akoma të koleksiononte titujt më të shumë të kampionateve shqiptare. Anipse çdo gjë e bukur e ka një fund, pasi Tirana, sot, paradoksalisht, ka mbetur në fund të kampionatit dhe me shumë gjasa është drejt dështimit total, duke zbritur në kategoritë inferiore...po prej politikës

Duhej të ishe i përçarturi më i madh të kumtoje vite të shkuara se Tirana do të ishte në fund të klasifikimit në kampionatin e futbollit. Kjo s’ndodhi edhe kur Tirana ishte në momentet e saj më të këqija, kur atakohej nga pushteti komunist. Por, ja që jeta shpesh është më e habitshme se ëndrra. Në kampionatin e sivjetshëm të sezonit 2013-2014, Tirana jo vetëm është në fund të klasifikimit kombëtar por edhe e zhytur në fund me një këmbë drejt rënies nga kategoria superiore...prej politikës së sotme. Paradoksi është se ekipi që i mbijetoi politikës së kaluar të represionit, nuk i shpëtoi dot politikës së kohës së demokracisë


Shkëlqim Muça, një nga lojtarët më të njohur të ekipit të viteve ’80, është i bindur: Kjo Tiranë është e mbaruar dhe më shumë akoma, një histori që i përket së shkuarës. Për Muçën dy janë arsyet e kësaj katastrofe: Problemi i menaxhimit dhe financimi i saj.” Që kur u kthye në Shoqëri Aksionere dhe e ndryshoi statusin juridik nuk u godit në shenjë. Nuk duhej të bëhej kthimi në shoqëri aksionere por duhej të privatizohej. Kështu, Tirona shkoi nga shteti në shtet. Bashkia, që është pronari kryesor s’jep para. Por, thjesht bën kontakte me sponsorizues. Me pak fjalë, është një produkt pa cilësi, që edhe pse ka sponsorizime në fakt s’janë mbështetje. Në fillim duhet të ngrihet struktura dhe të punohet si në Evropë”.


Kriza e rezultateve sportive të K.F.Tirana, tashmë s’është vetëm problem i ekipit dhe Bashkisë si pronare e saj, por e gjithë dashamirëve të saj, qytetarëve kryesisht autoktonë vendas. Pa asnjë mëdyshje, faji kryesor është tek një dhe vetëm një: Bashkia e Tiranës, që ka marrë përsipër të menaxhojë ekipin. Jo më kot, për disa herë me radhë, në ditët e fundit, tifozët e Tironës kanë dalë në protesta të hapura kundër kryebashkiakut Basha, që pak javë më parë premtoi jo vetëm fundin e këtij problemi, por nga ana tjetër edhe ringjitjen e Tironës, që ai e përdori si kapital politik. Kuptohet tashmë pezmi ndaj sorrollatjes të Bashkisë, pronë e së cilës është Shoqëria Aksionare K.F.Tirana. Indriti Fortuzi, një nga lojtarët e fillim viteve ’90 dhe i angazhuar me ekipin shprehet për JAVA se: “Fillesat e këtij problemi i takojnë disa viteve më parë se sot. Borxhet e krijuara prej disa vitesh, sot janë bërë të papërballueshme për Klubin dhe me gjithë financat që ka dhënë Bashkia apo Donatorët borxhi i akumuluar është shumë i madh. Administrimi mjaft i dobët nga ana financiare i Klubit përpara dhe pas krijimit të SH.A. mendoj se është shkaktari kryesor i gjendjes ku ekipi ndodhet sot. Kjo gjendje financiare e rënduar solli edhe problemin e dytë, i cili është mungesa e Merkatos. Këto dy faktorë mendoj që janë më të rëndësishmit në mes të shumë problemeve që ka Tirana”, ka thënë ai.


Bashkia e Tiranës


Ekipi i “Tironës” që nga 12 tetori i vitit 2011, me vendim të Këshillit Bashkiak është shndërruar në Shoqëri Aksionere nën pronësinë e plotë të Bashkisë, e cila zotëron 100% të aksioneve të saj. Asetet aktuale të klubit të futbollit të Tiranës vlerësohen në total me 5 miliardë Lekë, ku përfshihen fusha “Skënder Halili” dhe stadiumi “Selman Stermasi”. Problemet dhe kriza financiare prej muajsh e kanë telekosur Tironën, që ndërkohë ka një administratë të fryrë që për hir të së vërtetës nuk ka pasur problemet e lojtarëve. Ndërkohë që lojtarët nuk paguhen dhe para disa kohësh disa prej tyre iu drejtuan madje edhe Gjykatës Sportive, administrata i merrte rrogat në rregull. Kjo bëri që pas shumë kohësh, një pjesë e lojtarëve t’i iknin Tironës. Problemi i Tironës ka nxjerrë probleme edhe te simotrat e saj në kampionat që drejtohen nga Bashkitë respektive të qyteteve të mëdha, të tilla si Shkodra e Vlora. Por, mbi të gjitha problemi qëndron edhe te Federata, që në fillim të kampionatit kombëtar, toleron bilancet ekonomike, që prezantojnë ekipet shqiptare.


Me çfarë kuptohet, në fatin e këtij klubi, përgjegjësia e plotë e dështimit të deritanishëm është mënyra e zgjedhur për menaxhimin e tij. “Klubi është bërë strehë për dembelët. Ky status i tanishëm nuk preket, pasi s’do politika. Duhet me ligj që të falimentojë dhe duhet nxjerrë në shitje një pjesë e paketës. Arsyetimi pse nuk e kanë bërë deri më tani ka qenë se: Tirona është aset me vlerë të madhe. Por, për mendimin tim Tirona po mbahet peng”, thotë Shkëlqim Muça. Logjika flet ndryshe: nëse Tirona do të kishte këtë vlerë kaq të madhe sa pretendohet atëherë s’do të kishte këto borxhe, në një ekonomi të mirëfilli tregu. Por, Basha, dhe me sa duket njerëz që nuk e ndjejnë fare Tironën, nuk kanë llogaritur se nëse ekipi do të bjerë nga kategoria, atëherë pesha mbi bashkinë që do të kërkojë mandatin e radhës, do të jetë e madhe. Dhe, zgjedhjet lokale të vitit 2015 s’janë asfare larg.


“Futbolli duhet të menaxhohet mbi bazë të buxhetit që realisht ka në arkën e Klubit. Ky është ndryshimi i parë dhe kryesor. Nuk mund të paguhen lojtarë apo trajnerë duke shpresuar në donacione të pasigurta apo në dëshirat e Administratorëve pa një buxhet të garantuar në çdo fillim sezoni. Të gjithë sponsorat apo Donatorët duhet të fusin në arkën e klubit shumën e planifikuar dhe vetëm në bazë të këtij buxheti mund të bëhen kontrata duke pasur të garantuar anën financiare dhe duke mënjanuar riskun e futjes në borxhe të Klubeve”, shprehet Fortuzi.
Protestat për Tironën


“Tirona” ka të koleksionuar në historinë e vet jo vetëm faktin se nuk ka dalë kurrë nga Kategoria Superiore, por ka në pronësi 24 tituj kampion. Vendi më ‘katastrofal’ që ka arritur në kampionat ka qenë deri më tani vendi i gjashtë. Kurse tani është absolutisht në fund. Ndaj, e kupton realisht pezmin e tifozëve që në protestat e tyre kanë shpalosur slogane të tilla si: “Basha, ti shkatërrove ekipin e futbollit”, “Basha mbaji premtimet e bëra”, “Basha të zgjidhë krizën e ekipit të futbollit”, “Këtu vetëm për Tiranën, nuk e meritojmë vendin e fundit”, në shumë prej parullave që tifozët kanë hedhur gjatë protestës së tyre. Dhe, në më të shumën e herës, asnjë zyrtar i Bashkisë së Tiranës, nuk ka dalë t’i takojë tifozët. Fjala e këtyre të fundit ka marrë shkak nga ajo që Basha kish thënë kohë më parë: “Sfida të vështira kemi boll përpara dhe një prej tyre është të rikthejmë bardheblutë e Tiranës në kampionë të Shqipërisë siç e meritojnë. Kjo është një sfidë e vështirë, por ju jap fjalën se kryetari i bashkisë nuk i harron kurrë premtimet e tij dhe së bashku me donatorët e rinj e të vjetër, do të bëjmë gjithçka për të kthyer ekipin e Tiranës atje ku e meriton”, premtoi zoti Basha. Fjalë realisht politikani, që e kanë zhytur Tironën e madhe në batak, në atë ku s’ishte mësuar kurrë të qëndronte.


...


Edhe pak ditë na ndajnë derisa të fillojë kampionati kombëtar dhe ekipi që drejtohet nga Gugash Magani, një personalitet i futbollit shqiptar, që ka ndjekur dy trajnerë fatkeqë të Tiranës, respektivisht Alpin Gallon dhe Sokol Bulkun, pret të kalojë të pamundurën. Tashmë qëndrimi është ëndërr, po aq e bukur sa atëherë kur Tirana luftonte vetëm të ishte kampione e Shqipërisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama