Mourinho mbledh 141 milione euro nga 5 shitje a i ka bere mire llogarite?

Mourinho mbledh 141 milione euro nga 5 shitje, a i ka bere mire llogarite?

Jose Mourinho me të mbërritur tek Chelsea në vitin 2013, ka nisur një ristrukturim të plotë të skuadrës. Portugezi ka realizuar pesë largime të bujshme, duke mbledhur rreth 141 milionë euro. Por pyetja që ngrihet nga ekspertët anglezë të futbollit është: A i ka bërë mirë llogaritë Mourinho që largoi lojtarë premtues si Lukaku, David Luiz etj? Zakonisht, kur çmimi i një lojtari mbivlerësohet edhe pse tekniku mund të ketë shumë dëshirë të mos e largojë atë nga skuadra, ai detyrohet që të bëjë lëshime. Kjo është më se normale në botën e futbollit, por tek Mourinho ndodh ndryshe. Ai është një strateg që nxjerr shuma të mëdha parash nga shitjet e lojtarëve, të cilat nuk janë aspak pjesë e planit të tij. Kështu, Kevin de Bruyne i blerë nga Chelsea dy sezone më parë nga Genk në Belgjikë me vlerën 6.7 milion euro, u transferua në janar tek Wolfsburg për 18 milionë euro. Po në janar Chelsea shiti tek Manchester United Juan Matan me vlerën 37 mijë euro. Lojtari kishte luajtur vetëm 11 ndeshje me Mourinhon dhe nuk ishte pjesë e projektit të tij.

 

I njëjtë është edhe rasti i Demba Ba, i cili u bë hero në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, kur Chelsea eliminoi PSG-në vetëm në sekondat e fundit të lojës. 29-vjeçari u shit nga Mourinho në këtë verë me vlerën 8 milionë euro, ndërkohë që ishte blerë për vlerën e 6 milionë eurove një sezon më parë nga Newcastle. Një nga transferimet më të bujshme ka qenë ai i David Luiz. Mbrojtësi nënshkroi me PSG-në në fillim të kësaj vere, ndërsa në arkat e Chelsea-s u derdhën plot 50 milion euro, një rekord ky sa i takon transferimit të një qendër mbrojtësi. I fundit në listë është Romelu Lukaku, i cili i kushtoi Evertonit 28 milionë euro. Belgu 21-vjeçar u prezantua një ditë më parë tek skuadra e tij e re. “Lukaku nuk integrohej me skemat e mia. Martinez (tekniku i Evertonit) mund ta bëjë të vlefshëm.

 

Edhe pse nuk dua t’i uroj të keqen, kam frikë se tifozët e Evertonit do zhgënjehen nga ai”, – tha Mouriniho për talksport.com pas prezantimit të djaloshit tek Evertoni. Në përfundim të këtyre transferimeve, Mourinhio ka grumbulluar rreth 141 milionë euro, nga të cilat, rreth 60 milionë euro janë fitim neto i klubit dhe teknikut. Para këto të cilat portugezi mund t’i përdorë për ndërtimin e skuadrës që pretendon fitimin e titullit në Angli dhe në Europë. Nga krahu tjetër, Mourinho është hedhur menjëherë në sulm për të siguruar Cavanin,  sulmues cilësor i mbetur në hije tek PSG. Sa i takon skuadrës, blerja e Diego Costas nga Atletiko Madrid, si dhe afrimi i Drogbas, i cili kishte përfunduar kontratën me Gallatasarain, bëjnë që sulmi i Chelsea-s të jetë i frikshëm. Në mesfushë, veç Oscar të konfirmuar dhe gardës së “vjetër”, Chelsea ka afruar Cesch Fabregas, një lojtar mjaft i pëlqyer nga Mourinhio duke bërë që mesi i fushës të jetë i kompletuar. Mbrojtja udhëhiqet nga John Terry dhe Gary Cahill, të cilët mesa duket për Mourinhon janë të mjaftueshëm për të mbuluar largimin e David Luiz, por nuk përjashtohet ndonjë afrim tjetër. Ndërsa në portë Mourinho ka tashmë Courtis, një nga surprizat e Ligës së shkuar të kampionëve. Portieri belg, kampion i Spanjës dhe nënkampion i Europës me Atletiko Madrid ka nxjerrë jashtë loje Peter Cech, i cili sipas mediave angleze ka valixhen në dorë. Në përfundim të asaj çfarë thamë më lart, strategu portugez, duke parë emrat e lojtarëve që ka sot në ekip, mund të themi se ka bërë zgjedhjet e duhura. Ka përforcuar skuadrën dhe ka nxjerrë një bilanc pozitiv për klubin e tij. Tashmë mbetet të shohim nëse rezultatet sezonale do i japin të drejtë Jose Mourinhos.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama