Ne gjurmet e humbura te para-shqiptareve

Ne gjurmet e humbura te para-shqiptareve

“Koha” po i fshin dhe më shumë akoma, imazhet shkëmbore, që janë identifikuar vitet e fundit dhe që flasin për ekzistencën e paraardhësve tanë. Këto të Bovillës, rrëfyer nga profesor Korkuti, janë një dëshmi interesante, por që dora e njeriut së fundmi indirekt po i sfidon hapur. Shpërthimet e gurores përballë, që po e shkallmojnë nga themeli Shkallën e Tujanit duhet të kenë së paku rol parak. Por, duhet ‘të zhvillohemi’ dhe për hir të saj e justifikojmë pamundësinë tonë për të menaxhuar këtë trashëgimi, që i kalon kufijtë tanë të mundësive. Megjithatë njerëzit e monumenteve përpiqen që edhe me këto kushte të sensibilizojnë dhe të rrëfejnë që s’janë tërhequr...por sfida mbetet ende e vështirë...

Ka kohë që grishemi të shkojmë, por këtë herë është një nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Tiranës që bëhet iniciator. Shumë sportiv, Ervini, një studiues i monumenteve, prej kohësh na flet për piktogramet e Bovillës. Janë disa syresh, që çuditërisht i kemi kujtuar se janë në brendësinë e ndonjë shpelle. Që nga kryeqyteti mund ta identifikosh me hamendësi vendin. Janë përballë Shkallës së Tujanit, që po shkatërrohet prej vitesh për t’i lënë vend Rrugës së pambarim të Arbrit.
...
Kur arrijmë pas 35 minutash, udhëtim miks me makinë dhe ecje malore, ato janë realisht ‘zhgënjyese’. Konsiderohen si të lehta për t’u vizituar, por në fakt nëse nuk ke një referim atëherë s’është fare e kollajtë t’i gjesh. Me pak fjalë, nëse pas të 15 kilometrave nga Tirana ku t’i përshkruan Bathoren, Zall-Herrin nuk ke dikë të orientohesh, atëherë është mundim i kotë. Anipse, pa i deziluzionuar njerëzit, shkëmbi gjendet në afërsi të fshatit Babëru, në një kanion të ngushtë që formon lumi i Bovillës me vaskat e njëpasnjëshme natyrore ndër të. Mu në të djathtë të kanionit, atje ku mund të shikosh realisht batërdinë që po bëhet me Shkallën e Tujanit e gati 100 m mbi nivelin e lumit, ngrihet një shkëmb masiv, që të grish vëmendjen.  Sërish, meqë s’ka asnjë tabelë me sqarimet elementare të përshkrimit, atëherë realisht je në një dilemë, që ia vlen apo jo! Dihasim ende pak nga rruga por s’është aq larg. Të 15 minutat nga rruga, ku edhe kemi lënë makinën përshkohen lehtë, por kuptohet se nuk përbëjnë ndonjë tërheqje, nëse nuk të drejton askush. Ervini, që e ka bërë disa herë, e bën me qejf dhe rrugës më tregon të miksuar, histori pa fund monumentesh, sfidash, përpjekjesh. Befas shfaqet. Shkëmbi të tulat dhe bashkë me të edhe piktogramat e vogla që u ngjajnë shenjave kristiane. Në fillim, ato ‘të zhgënjejnë’ për vogëlinat e përmasave përballë një shkëmbi krenar, të cilit lagështira i ka penetruar mu në palcë. Ervini m’i rrëfen një nga një dhe më le të fotografoj. Paqësia e vendit të përthith. Humbet. Referimet janë të shënuara në shënimet e profesor Korkutit. Për ata që s’i kuptojnë dhe nuk kanë njohuri për simbolikat bazike, konfigurimi i tyre nuk të thotë asgjë!
 
Retrospektivë 


Në vitet ‘20 të shek. XX në Rrëzë të Dajtit u zbuluan disa vegla stralli të epokës së paleolitit të lartë, rreth 30.000 vjet më parë, në fund të viteve ‘90 të shek. XX, ku u provua arkeologjikisht se shpella e Pëllumbasit pranë fshatit me të njëjtin emër, ka qenë e banuar gjatë epokës së neolitit, epokës së bronzit dhe epokës së hekurit, pra rreth viteve 6000- 1000 p.e.re. Në vitin 2006 në kanionet e Bovillës u zbulua një pikturë shkëmbore prehistorike e bërë nga një popullsi sedentare gjatë mijëvjeçarëve II e I p.e.re. Tërësia e këtyre të dhënave është mëse e mjaftueshme për të pohuar se brezi i makjeve në hapësirën midis lumenjve të Tiranës dhe lumit të Erzenit gjatë epokës pre e protohistorik ka pasur kushte shumë të favorshme për banim, shkruan profesor Korkuti.
 
Në realitet


Kam frikë nëse do mundet dikush t’u vihej seriozisht piktogrameve apo më shumë akoma që ato të mbroheshin dhe të konservoheshin. Fillimisht, duke vendosur një tabelë dhe duke krijuar mbase edhe një strehëz të dytë. E nëse do të arrihej të hidhej dritë më shumë për publikun në këtë simbolikë që ngërthen në vetvete pak Krishtërim, shumë Paganizëm dhe ku ta dish mbase një periudhë edhe më të hershme, që është e vështirë të perceptohet, atëherë zbulimi mund të jetë interesant. Shkëmbi që ngrihet vertikalisht dhe që e kemi përballë të sfidon me tharmin e krenisë natyrore. Tek e fundit natyra është argument sublim që mbulon çdo përpjekje të njeriut. Madje, edhe këtë me imazhet e shpërndara, sipas një logjike matematike. Kullon nga sipër në këtë ditë të errët. Është epik dhe mospërfillës përballë Shkallës së Tujanit, që tani e shkatërruar krejt nga dinamiti, e këqyr me lakmi nga poshtë. Identifikohen shenjat lehtë, por një njeriu që s’ka lidhje me trashëgiminë, këto nuk mund t’i thonë asgjë. Janë 8 copë kryqe të vendosura  dhe pastaj disa rrathë që brendashkruajnë reze dhe që për profesor Korkutin janë një tregues i mjaftueshëm për ta vënë në lidhje të plotë konceptual me vizatimin e Rubikut, Reçit e Xibrit përsa i takon simbolit të diellit, kurse përsa i takon përdorimit të bojës së bardhë ngjashmëritë e çojnë te Piktura e Rubikut dhe tek Piktura e Zlijebit (Bosnje) dhe Lipcit (Mal  të Zi.).

 

Janë të lyera me të bardhë, por personalisht nuk kuptoj teknikën e punimit, ngjyrosjes me të bardhë dhe materialin e përdorur që ka rezistuar aq shumë. Shkëmbi, gati 12 metra i lartë, ka të formuar një strehë dhe mbase logjika e piktorit proto-antik e ka ndihur, që të pikturojë i qetë. Nuk e kuptoj ende sesi ka pikturuar në shkëmb sipër! Studiuesi Korkuti mendon se kjo strehë ka ndikuar në ruajtjen e mijëravjeçare. Mëndja e gazetarit dyshon se përderisa ata kanë punuar këtu, atëherë duhet të kenë punuar dhe gjetkë...Për hir të së vërtetës, për një të paditur, e përsëris kjo nuk përbën ndonjë kureshtje! Edhe pse, nëse ke lexuar literaturën dhe di arsyetimin shkencor, nuk do të duash të ikësh lehtë. Hapësira dhe motivet e pikturuara janë në shpërpjesëtim të zhdrejtë. Kjo hapësirë gjigande është e konfiguruar me kujdes:“Nga vendosja e motiveve në distancë mund të themi se piktura është e ndarë në dy pjesë, A e B. Edhe pse nuk i identikojmë dot të tëra për shkak të fshirjes apo të mungesës së identifikimit, ato Në pjesën A, në një sipërfaqe pre 6 m², janë vizatuar 14 figura të përbërë nga kryqe dhe rrathë me katër rreze. Kryqi është i vendosur dhe i veçuar në pjesën e sipërme në një lartësi 1.80 m nga toka dhe është i bërë me vija të holla. Rrethi ma katër rreze ka formë të rregullt, është i bërë me vija të holla e ka diametër 29 x 27 cm e ruhet i plotë. Në pjesën A, janë vizatur edhe disa kryqe që studiuesi i ka vendosur me (A 4, 5, 8, 10), të cilat janë përafërsisht të një madhësie, me krah 15 - 20cm, të bërë me vija të gjëra, por pa shumë kujdes ose që duken të tillë dhe që nuk janë ruajtur të plotë. Ndonjëri prej tyre ka edhe gjurmë të rrathëve kufizues. Në këtë pjesë të pikturës ka edhe njolla ose pika (A 2, 11, 13), si edhe një shenjë në formën e germës b të kthyer mbrapsht ( A9.)


Ervini, një arkitekt i pasionuar monumenteve, më shpjegon qartë dhe derdh të gjithë kulturën e tij që e ka mbledhur në vite të tëra pune në terren. Ndërsa flasim me vjen ndërmend agresioni në internet që ka lidhje me ata që merren me etimologjinë e shqiptarëve. O zot sa të tillë janë syresh! Ndërkohë që konfigurimet piktografike hedhin dritë mbi një art prehistorik ku ende shqiptarët s’kanë hyrë me analiza të qarta shkencore. Ata që flasin, veç Korkutit, i përziejnë si në jerm mitologjinë, besimet, magjitë, por qoftë dhe shikimet ezoterike, apo politeismin. Kthehem në realitet: Çfarë kanë dashur të thonë? A janë të vërteta realisht dhe a kanë këtë vjetërsi? Të kenë qenë përdorur si shenja që tregojnë një status të tyrin me njohuritë që kishin, orientim, apo kode që komunikonin me fuqitë e tyre eprore. Ku t’i kenë parë vallë? Rrezet dhe rrallë edhe kryqet të bëjnë të mendosh se ka erë kristianizëm, por koha e hamendësuar të mohon. Janë mijëra vite para Krishtit. A janë bërë vallë në një kohë, kur ka filluar kalimi në një stad tjetër i kësaj shoqëria? Profesor Korkuti i merr si shenja të “Diellit”, pra si burim jete dhe energjie, si fuqi nuzmatike, më tutje si shenja të dallimit gjinor, të riprodhimit seksual etj. Duhet një kulturë në shumë disiplina për të hedhur dritë. Profesor Korkuti gjen për shembull afritë që hasen midis pikturës shkëmbore neolitike të Lepenicës (18 figurave antropomorfe dhe 8 figurave të çrregullta gjeometrike) dhe asaj të “Slijebit” afër Vishegradit në Bosnjë apo figurës antropomorfe të “Verdi Rock” (Valcamonica).
...
Në fakt simbolet e Bovillës, të cilat janë gjendur dhe në Rubik, Vlashnje, Rec e Zibër, e tejkalojnë gjykimin e thjeshtë dhe duken një problem, i cili kërkon një angazhim aspak të vogël. Një popullsi arkaike “vepër e popullsisë paleoilire, protoilire ose e një substrati etnokulturor më të hershëm, të po atij territori, kur në epokën historike jetonin ilirët e jugut”.


Nuk dua ta teproj më, por nuk e shoh ende si vendndodhje në aspektin e turizmit kulturor. Çfarë mund ta bëjë këtë vend të dashura për publikun? Nuk e di se çfarë. Tabela? Një rrugëz? I kam frikë se pastaj vjen fundi! Ajo që mund t’i afroj është mbase imazhi i Shkallës së Tujanit dhe madhështia gati homerike e përmasave të saj, por guroria që punohet dhe makinat që ngarkojnë e s’pushojnë të çorodisin. Mbase ato edhe po ia afrojnë shpejt shkatërrimin këtyre shenjave mijëravjeçare. I them Ervinit se do të shpresoja që ta linin të qetë veprën e njerëzve të stërlashtë, por nga ai marr një pohim të thatë, sikur do të thotë: E kush e di mendjen e keqe?! Është dimër gati pranveror i vitit 2014.
         


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama