Nene Tereza - Degradimi i nje sheshi

'Nene Tereza' - Degradimi i nje sheshi

Dikur sheshi “Nënë Tereza” s’ishte monument kulture, por në varfërinë komuniste gjendej mundësia të mirëmbahej. Pa fjalë. Sot, është “monument kulture”, por është i lënë krejt pas dore. Pak ditë më parë, pas konfirmimit të ardhjes së Papa Françeskut, autoritetet kanë vendosur restaurimin e saj. Pyetja që mbetet të zgjidhet për publikun është se në ato pak javë që kanë mbetur deri me ardhjen më 21 shtator të kreut të pontifikatit, a do jemi në gjendje ta restaurojmë, këtë herë. Më thjesht: a do ta kalojë këtë herë restaurimi, ndërtuesin e saj real Gerardo Bossio?!

Lajmi më i fundit që i është servirur publikut është restaurimi blic i sheshit para Universitetit, me rastin e meshës së hapur, që do të kremtojë Ati i Shenjtë në shtator. Në këtë hulli, ku oratorët e ndryshëm kanë filluar të shpalosin idetë e tyre, afrohemi të fotografojmë atë ç’ka ka mbetur prej sheshit historik, ndërtuar në kohën e L2B nga Gerardo Bossio.
...


E theksojmë historik, pasi që në krye të herës duhet ta pranojmë se për Sheshin “Nënë Tereza” është folur pa fund në vitet e fundit. Të hiqen pllakat! Të hiqet apo jo shatërvani? Të restaurohen fasadat apo të ristrukturohen? Ku të vendoset shtatorja e Nënë Terezës? Është mirë në zgëqen, ku ndodhet, me pllakat e hequra? Po muzeu i saj? Harrojini të gjitha! Monumenti ka mbetur atje ku është, në krye të shkallareve, me pllakat e hequra? Brenda interierit të Kolonave, ku do bëhej dikur muzeu, është zënë prej një Fast-food, ku shkallaret dhe platformat anash, kanë degjeneruar deri në atë formë, saqë shërbejnë bujarisht për banjat ambulante publike, vendstrehime verore të armatës së endacakëve apo dhe vend afishimi të sloganeve të ballistëve...


Përballë një të tilli, ku Z.Roshi, shfaqet me shkronja masive, një roje objekti me uniformën e zbërdhyleme i hap udhë Mercedesit të një djali, që parkon. “Hë mor m...pak shpejt”, i thotë kokorroçi nga pas xhamit me mimikën e zgërdhyer të të fortit. Roja i drobitur e hap sakaq. Ngre supet në pafajësi. Vazhdoj fotografoj. Kam filluar nga anash presidencës, ku pllakat e hequra dhe togu i mbeturinave të gurëve, është veçuar. Ndjek në sens anti-orar logjikën e sheshit të Bossios. Nuk e kuptoj pse dikush përmend metafizikën në konceptin e tij, sepse gjithçka më duket kaq racionale, saqë edhe pse kanë ndryshuar tre sisteme ekonomiko-sociale, sheshi ka pasur vend për të gjitha batërditë tona. Veç shatërvanit. Kjo kafshëz gjigande e shtrirë dhe e përçudnuar të ngjall mëshirë. “Sikur të ulej dhe të ishte të paktën në nivelin e bordurës së trotuarit, do të ndjenim reflektimin e madhështinë e godinës së rektoratit të Universitetit dhe sheshi do të ishte yni. Por s’u bë”. Arkitekti i vjetër, që e pyes për shumë gjëra, më shpjegon sikur të jem kolegu i tij, të gjithë elementët strukturorë të sheshit. Është e thjeshtë në dukje, por tejet e vështirë në shpjegim. Në fund-vitet ’80, shatërvani ishte ndërhyrja më e madhe që po i bëhej sheshit shkretan, që në Tiranën e Komunizmit, përbënte zgripin e qytetit. Alternativat ishin: O do ikje në Stadium, o do të shkoje me të dashurën, larg syve kureshtaro-vrastarë drejt liqenit! Sheshi e humbi funksionin e tij dhe madje radhë përdorej për ndonjë ngjarje. E fundit ishte kur Universitetit iu akordua emri “Enver Hoxha”. Megjithatë, dikush kujtohej dhe e riparonin. Sheshi mbeti krejt jetim në fillim-vitet ’90, kur politikanët filluan ta shikonin kryeveprën e Gerardo Bosios, si një mrekulli nga ku mund të hipnotizonin turmat laramane. Për restaurimin u fol shumë, por hija e Bosios qëlloi vrastare. Pllakat filluan të fironin frikshëm. Një Kandahar.
 
Bossio


Arsyeja? Puna e Bosios në Tiranë qëlloi shumë më tepër sesa punë profesionale. Artan Shkreli, një nga idhtarët e tij, e quan: një akt heroik i paprecedent. Dhe, ka të drejtë. Bossio, jo vetëm realizoi këtë shesh, por konceptoi një strukturë të tërë (kuptohet nën imazhin fashist), ku qëndronte natyrshëm Shtëpia e Fashios ( sot Universiteti), Godina përbri (sot Akademia e Arteve), Kolonada me Institutin Arkeologjik, Stadiumin, pastaj Hotel “Dajtin”, Pallatin e Brigadave etj. Por, i ngrati që po e mbyllte jetën (ishte shumë rëndë dhe nën një mjekim intensiv), kish fatin e vetëm të zhvillonte një volum punësh me carta bianka, që do t’ia kishte zili çdo koleg i tij i gjallë. Të mendosh gjithçka e projekton për vetëm një vit e gjysmë: Gusht 1939 – Mars 1941. Mallkimi si përfaqësues i erës fashiste do e ndjek punën e tij. Planet rregulluese të disa qyteteve shqiptare, që realizon, nuk do preken kurrë më me dorë. Mrekullia e këtij njeriu është se ndryshe nga vendet koloniale ku ka punuar  më parë, Shqipërinë e respekton në veçantitë e saj. Kulla malësore i përbën një nga indikacionet, që ideon përshembull Shtëpinë e Fashios.

 

“Godina e shtëpisë së Fashios, e karakterizuar nga paralelopipedë kompaktë, të dalëzuar dhe të kryqëzuar mes tyre që të japin përshtypjen e një kështjelle, evokon reminishenca të kullës tradicionale shqiptare sipas disave, referon Ana Menghini në studimin e saj, por ka më shumë gjasa të jetë frymëzuar edhe nga lloji i pallatit të Rilindjes Fiorentine, ndonëse i riparë në një këndvështrim modern”. Është një zgjidhje kaq e suksesshme, saqë në vit e ndërtimit kjo është një lloj simbolike domethënëse që paraqitet edhe në pavionin shqiptar në Panairin e Barit. Përbën një ndërthurje të stilit neo-imperial dhe figuracionit që luhatet mes Renesansës dhe Folkut shqiptar. “Që në të ritë e tij Bosio kur fliste mbi raportin mes modernes dhe traditës theksonte se ai ishte për “një arkitekturë të gjallë, që pulson, që paraqet bukurinë e harmonive rioshe larg atyre që quhen proporcione tradicionale…por që identifikohen me bukurinë që mund të krijohet nëpërmjet teknikave të reja, që nuk ecën me kokën mbrapsht dhe sytë e fiksuara në të kaluarën, por sheh përpara dhe vetëm ndonjëherë ndalon për tu përkulur me respekt mbi veprën e paraardhësve tanë”, shkruan Shkreli. E më shumë akoma, ky subjekt modern se prek asfare kumtin otoman të qytetit. Sheshi, që do merrte emrin e Nënë Terezës, një gruaje fare të panjohur në kohën e Bossios, u projektua në vitin ‘40 në një mënyrë metafizike më shton arkitekti i vjetër, që më ndih në reportazh...
 
Restaurimi


Kjo fjalë e fundit, e stërpërsëritur, e kupton pse i konfuzon kaq shumë të gjithë drejtuesit e Monumenteve. A mund të kalohet vallë e njohura? Gjithsesi, sheshi u degradua në një farë mënyre saqë makinat manovronin vetëm të mos kalonin aty. Derisa Bashkia bëri një lëvizje “të mençme”: shkuli pllakat dhe e shtroi me asfalt. Në vite, të gjithë krerët e Institutit të Monumenteve, kanë pasur idetë e tyre të restaurimit. Së fundmi, Artan Shkreli, njëri syresh, dhe aktualisht një nga këshilltarët e kryeministrit Rama, edhe pa u marrë vendimi i Këshillit Kombëtar të restaurimit, e shpalli planin. Nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social Facebook, ai shkroi se sheshi do të restaurohet i gjithi, me të gjithë elementët e veta; do të hiqet shatërvani, për të ndërtuar një pedonale, kurse kalimi i automjeteve do të bëhet vetëm në një korsi. “Një fllad freskie do e shndërrojë sheshin, i cili sot është në degradim e sipër, në një ansambël harmonik shembullor për arkitekturën dhe hapësirën urbane që ngërthen. Dhe kjo nuk do të jetë veçse faza e parë e ndërhyrjes”, e mbylli përcaktimin e tij poetik Shkreli në Facebook. Edhe pse burime që janë cituar prej medias nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit kanë thanë se në projekt do të përfshihet bashkia e Tiranës, qeveria dhe një sërë institucionesh, ende s’flitet për një kosto përfundimtare se sa do jetë vlera e punimeve. Por as edhe ndonjë përfshirje reale e tyre.


Megjithatë, vendimi më i madh ishte eliminimi i shatërvanit, një element parazitar për shkak të kuotës së tij, që duket se e mbyt sheshin dhe mosfunksionimin e tij. Dikur këtë e kërkoi edhe Apollon Baçe, ish-drejtori i Monumenteve, duke ngjallur debat mes specialisteve. Shkreli, atëherë në opozitë, iu përvesh keq duke e pranuar si alternativë heqjen e shatërvanit, por asfare vendosjen e monumentit të Nënë Terezës në vendin e shatërvanit. Në atë kohë, Shkreli s’ishte për pastrim të objekteve përreth por restaurim të plotë. Ai nuk ishte dhe për vendosjen e pemëve. Në ditët tona, Drejtuesja e re e Institutit te Monumenteve te Kulturës, Arta Dollani zbuloi për median se nuk do bëhet vetëm heqja e shatërvanit, i cili prej kohesh është jashtë funksionit, por do te restaurohen shkallaret e Universitetit Politeknik, anash Universitetit te Arteve,  Presidencës dhe Rektoratit. Në këtë vend fotografojmë, por era e padurueshme e urinës e bën të pamundur punën e qetë. Çuditërisht, në të gjithë shkallaret afër, ambulantë të ndryshëm vinë dhe sjellin gjërat e tyre. Të rinj e përdorin për takimet e tyre dhe kalimin e kohës së lirë. Sheshi është rivitalizuar pas viteve ’00 nga ana humane duke e kthyer në një vend takimi publik, por edhe një përcjellje publike. Vizita e Papës në Shqipëri, duket se do t’i japë një dimension fare të ri. Papa Françesku, i dyti Papë që viziton Shqipërinë pas vizitës së Gjon Palit II, më datë 25 prill të vitit 1993, është vendosur të mëshojë këtu.


Për ironi të rrethanave, asgjë nuk ma jep ende përshtypjen e një ndryshimi të shpejtë që është kaq i domosdoshëm, pasi e ardhmja nuhatet shpejt në këtë vend, madje shumë kohë para se të bëhet. Po, a do mundet vallë të rregullohet transporti? Pse nuk mendohet underground? Çfarë do e zëvendësojë shatërvanin? A do të hiqet fast-food poshtë kolonatave? Sa efikas do jetë pozicioni i ri i shtatores? Punët me ngut shpesh kanë dalë boshe, por të paktën ngushëllimi është se papa do ketë një mundësi që t’u drejtohet shqiptarëve nga një vend publik i restauruar. Duket se zëri i urbanistëve, në masë, s’është marrë dhe të gjithë kur pyeten heshtin. “Më mirë të bëhet. Të ndodhë ndryshimi!”. Si e mendon? “Më mirë mos më përmend!”, më thotë i tërhequr njëri syresh, figurë publike. Kujtoj kohë të shkuara, kur të gjithë e thoshin shumë më hapur mendimin e tyre. Ishin aq të hapur...Sa larg!
 
“Nënë Tereza”


Ndërhyrja duhet parë me ndjeshmëri dhe inteligjencë në një kontektst të gjerë dhe në konceptimin e sheshit, ajo është pjesë organike e aksit, mbaj mënd fjalët e një burri, në një nga forumet. “Urbanisti dhe arkitekti duhet të gjejnë mesoren e artë ku ndërhyrjet operacionale të kenë një harmoni mes elementëve urbanistikë, arkitektonikë dhe peisazhistikë me ndërhyrje me takt  për të ruajtur monumentali”, kujtoj fjalët me patos të arkitektes Miranda Haxhia, gjashtë shtatë vite të shkuara.


Këndvështrimi urbanistik, që është lidhja organike e Aksit të bulevardit me Sheshin duhet bërë me një lidhje shumë të kujdesshme, më thotë arkitekti i vjetër. Nxjerr sakaq një laps. “Sheshi duhet të mendohet ta disiplinojë të gjithë kompleksin, por edhe të interferojë objektet fqinje, konform me planin rregullues të Tiranës...”.  Sheshi duhet të krijojë një lidhje me trafikun qoftë si makrozonë por dhe qoftë edhe si mikrozonë, me kufizimin e makinave, linjat e qarkullimit inteligjente, biçikletat, efektin panoramik, që deri tani ka qenë bluja, kujtoj znj Haxhia. Dhe, më kryesorja për mua është se çdo të ndodhë me aksin e bulevardit që lidhet me sheshin dhe mjediset përreth: Sheshin Italia, Pallatin e Kongreseve, presidencën, Stadiumin..., dëgjoj si në jerm arkitektin e vjetër. Funksioneve të sheshit duhet t’i jepet vërtetë dritë. Tund kokën.
...
Nuk e ndjek dot arkitektin e vjetër. Kujtojmë se ditët ikin dhe do të shohim sesa plani i restaurimit do të realizohet. E urojmë! Sa do jetë fatura, por më shumë se kaq, sa do të përfshihen të gjithë aktorët në një vepër që na ka lënë 70 vite më parë një arkitekt race. Metafizika që ma kanë përmendur për ndërtimin e tij, të duket se shkon me qëllimin për të kaluar mbi flegmatizmin tonë kombëtar. Këtë mendoj teksa sytë më mbesin në pllakat e hequra të bazamentit të shtatores së Nënë Terezës. Mundohem t’ia fokusoj duart, pasi sot që flasim, ne të gjallët, kemi vetëm duart. Mëndja e vërtetë ka fluturuar me Bossion. Vullneti mbase është ajo që mund të na shtyjë të besojmë se më 21 shtator, sheshi do të mbajë erën e vërtetë të ndryshimit. E mbaroj ciklin e fotove, kurse polici tek kolonatat, e heq sërish një pengesë, ku do të futet një makinë. Është krejt i përulur. Nga makina del shpërfillës një zyrtar. I hedh një vështrim përbuzës dhe ia flak paketën te këmbët. Ai ulet. Tutje, disa japonezë kanë ardhur dhe e shikojnë si të habitur “Nënë Terezën”. Ajo, shpërfillëse ndaj Dajtit, shikon të pamundurën. Verë ‘2014.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama