Ngritja e parregullt e traut te doganes demi 4.7 milione dollare

Ngritja e parregullt e traut te doganes, demi 4.7 milione dollare

Mineralet - Detyrimet doganore të rivlerësuara nga renta minerare, sipas KLSH-së, janë 1 489 996 lekë

Anijet - Dëmi nga mangësitë gjatë zhdoganimit në sektorin e anijeve ka efekt negativ 11 213 042 lekë

Karburantet - Nga moskryerja e inventarëve në magazinat në portin e lëndëve djegëse u krijuan 47 423 829 lekë detyrime doganore të papaguara

Vlera - Dëmi vlerësohet 417 204 042 lekë: 334 407 165 lekë në 2012-n, 81 686 928 lekë në 2013-n, 1 110 122 lekë në 2011-n

Në dogana mund të bëhesh milioner duke bërë lëshime “të vogla” ligjore. Për shkeljet e ligjit doganor, nga i cili erdhi dëmi prej 4.7 milionë dollarësh në arkën e shtetit, dje janë kallëzuar dy ish-përgjegjësit e sektorit doganor të Porto-Romanos në Durrës. Sipas informacionit të KLSH-së, gjatë periudhës 2011-2013, nga mosveprimet mungojnë si të ardhura në buxhetin e shtetit nga dega doganore 478,2 milionë lekë. Ky përfundim doli nga auditimi në degën e Doganës Durrës, me objekt “Zbatimi i legjislacionit doganor”. Me këto kallëzime shkon në tre numri i punonjësve të ndjekur penalisht nga Dogana e Durrësit. Kjo procedurë ka filluar qysh para një vitit. Më 30 qershor 2013, KLSH-ja kallëzoi në prokurori ish-audituesen e këtij institucioni E.T., në cilësinë e ish-përgjegjëses së grupit të auditimit, që me veprimet e saj ka penguar kryerjen e auditimit të plotë. Sipas KLSH-së, i është dërguar prokurorisë edhe pjesa e raportit përfundimtar të auditimit që trajton procedurat e miratimit dhe mbikëqyrjes së magazinave të lira për karburantet në Porto-Romano, ku rezultuan shkelje me dëm ekonomik në vlerë 5 267 789 lekë, që i përkasin vitit 2011.

Shkelje dhe pabarazi

Nga shkeljet e kësaj dege doganore ka përfituar një kompani që importonte këpucë. Janë 376 milionë lekë dëme të regjistruara vetëm për shkelje të kodit doganor në favor të një subjekti që importonte artikuj, që në gjuhën doganore kodifikohen me emërtimin “veshje të këmbës”. Sipas KLSH-së, nga dega doganore Durrës nuk është vepruar me të njëjtin standard, për zhdoganimin e mallrave, bëhet fjalë për mallra identike, me të njëjtën origjinë dhe vend eksportues, ku për artikullin “veshje të këmbës”, është favorizuar një operator ekonomik, krahasuar me 10 të tjerë që veprojnë në të njëjtën fushë, duke sjellë pabarazi në treg. Ky veprim, theksohet në raport, është në kundërshtim me

udhëzimin “Për procedurat e shqyrtimit të vlerës doganore”. Me qëllim standardizimin e procedurave të shqyrtimit të vlerës së artikullit për të evituar arbitraritetin, abuzimin dhe pabarazinë, në zbatim të kodit doganor, procedurat e shqyrtimit të vlerës doganore fillojnë me pranimin ose jo të vlerës së transaksionit të deklaruar, sipas indikatorëve të përcaktuar nga ky udhëzim. KLSH-ja konstaton se mungojnë dosjet e investigimit për subjektet me qëllim pranimin e çmimit me transaksion, në përllogaritjen e vlerës doganore.

Borxhi doganor

KLSH-ja zbulon se në këtë degë doganore është lejuar që subjektet debitore të zhdoganojnë, duke mos ushtruar kompetencat për masat shtrënguese në zbatim të ligjit, për vjeljen e detyrimeve doganore. Në vitin 2012, borxhi doganor nga 665 094 mijë lekë në fillim të vitit, ka arritur në 1 054 530 mijë lekë, me rritje në masën 59%, ndërsa në vitin 2013, ai është rritur në vlerë nga 1 054 530 në 1 268 953 mijë lekë ose në masën 20% dhe në total borxhi doganor është rritur nga 665 094 mijë lekë në 1 268 953 mijë lekë ose në masën 52,4%.

Shkelje në favor të eksportuesve

Raporti mbi kontrollin në doganë zbulon se nuk ia vlen më të bësh kontrabandë. Më poshtë është një manual i plotë i mënyrave se si të mos paguash doganën, me ndihmën e doganierëve. Kështu, sipas KLSH-së, asnjë kontratë e operatorëve ekonomikë me eksportuesin, si dhe dokumentacioni shoqërues i praktikave doganore, nuk përmbush elementet ligjore. Nё shumicën e praktikave doganore mungojnë përgjigjet e Drejtorisë së Laboratorit Doganor,

Tiranë, për klasifikimet e nevojshme tarifore të kryera. Autoriteti doganor në Durrës, sipas KLSH-së, nuk ka treguar kujdes lidhur me përcaktimin e saktë të çmimeve të mallrave të eksportuara për të cilat llogaritet rentë minerare. Ky veprim ndikon direkt, jo vetëm në llogaritjen e vlerës së rentës minerare, por edhe në deklarimin e të ardhurave në eksport e për pasojë në deklarimin e të ardhurave e të treguesve të tjerë financiarë në organet tatimore.

 
Masat

Gjobë për 58 subjekte dhe shpërblim dëmi

KLSH-ja ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për personat me inicialet K.RR. dhe D.K., ish-përgjegjës të sektorit në Porto-Romano, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Po ashtu, KLSH-ja ka rekomanduar 19 masa organizative, tetë masa për shpërblim dëmi në vlerën 478 215 554 lekë, si dhe masa administrative gjobë për 58 subjekte në vlerë totale 3 950 000 lekë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama