Nje dite ne Valbone ne perlen e mrekullise se natyres

Nje dite ne Valbone, ne perlen e mrekullise se natyres

Plani urbanistik nevojë emergjente për të mundësuar shtimin e ndërtimeve ku të strehohen fluksi i madh i turistëve në Valbonë
Kryetari i Komunës së Margegajt, Rexh Byberi apel institucioneve shtetërore: Më shumë vëmendje për zhvillimin e turizmit në Valbonë, të përfundojë asfaltimi i rrugës

Udhëtimit nga Tirana në drejtim të Kukësit përmes rrugës të Kombit dhe më pas në Prizren e Gjakovë për të mbërritur në Bajram Curri i vjen fundi kur marrim rrugën për në Valbonë, destinacioni i një grupi gazetarësh të ftuar nga kryetari i komunës Margegaj, Rexhë Biberaj. Distanca mes Bajram Currit dhe Valbonës është 23 km (15 kilometra ende të paasfaltuara për të cilat nevojitet ndërhyrja e shtetit duke qenë se është rrugë kombëtare), por, kjo largësi bëhet e pandjeshme kur përpara syve të shfaqet me të gjithë hijeshinë e saj, Valbona, kjo perlë e mrekullive të natyrës. Jemi në Valbonë, në qendër të Alpeve shqiptare, në rrethin e Tropojës.

 

E shtrirë përgjatë brigjeve të lumit të kristaltë me të njëjtin emër, me shtëpitë alpine të ngritura përgjatë rrjedhës së lumit e derisa mbërrijmë tek “Fusha e gjësë”, Valbona hijeshon me të gjithë potencialet e saj përrallore nga majat e larta e të thepisura të mbuluara nga dëbora, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte dhe të papritura, tek lëndinat që gjatë dimrit i lënë vendin bardhësisë së dëborës dhe në verë gjelbërimit. Emocionet janë të forta teksa bëhesh pjesë e magjisë së mbushur me legjendat e kreshnikëve dhe zanave të maleve në këtë mrekulli të Alpeve shqiptare.

 

Si dy bashkudhëtarë të përjetshëm, peisazhi mrekullues i Valbonës i bën karshillëk lumit të famshëm me të njëjtin emër, i cili pasi buron në një ujëvarë 50 m të lartë, vijon gjarpërimin e tij për 5 km si lumë i nëndheshëm, derisa nxjerr krye në fshatin Valbonë. Është mjaft e njohur trofta që rritet në këto ujëra të ftohta dhe të pastra, një pasuri e vyer e kësaj zone dhe padyshim pjesë e gatimeve tradicionale. Banorët vendas si dhe emigrantë të kthyer i kanë dhënë kuptim dhe hijeshi jetës atje. Shtëpitë e rindërtuara dhe kthimi i tyre në bujtina pritëse për turistët, është burimi kryesor i të ardhurave ekonomike. Dhe janë jo pak, pasi siç na deklaron kryetari i komunës Margegaj, Rexhë Biberaj, 30 mijë turistë kanë vizituar Valbonën gjatë vitit


2013-ën. Rexh Byberi, kryetari i komunës së Margegajt pjesë e së cilës është dhe Valbona thotë për gazetën “55” se: - “Në Valbonë ka kapacitet prej 450 shtretër prej të cilëve 100 janë shtretër hotelerie dhe 350 të shpërndara në shtëpitë e banorëve të zonës”. Çmimi mesatarë për fjetje për person në natë përfshi dhe ushqimin është 15 euro”.


Ajo që bie në sy mbi të gjitha, është mikpritja e veçantë e banorëve të kësaj zone dhe ngrohtësia që ata përcjellin tek qindra e mijëra turistë që vizitojnë çdo vit Valbonën. Në lokale e bujtina, sidomos në mbrëmje dominon ritmi i valles tropojane, tingujt e lahutës e çiftelisë, të cilat e bëjnë mbrëmjen më të bukur. Pikën turistike të Valbonës e bëjnë akoma edhe më tërheqëse çmimet e arsyeshme. Akomodimi në një dhomë në bujtinat e Valbonës kushton rreth 20 euro ku janë të përfshira mëngjesi, dreka dhe darka.

 

E shtrirë mes masivit malor të Jezercës, temperaturat gjatë natës zbresin nën zero, por ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit Valbona nuk është e mbuluar nga petku i bardhë i dëborës, karakteristikë jo e zakonshme kjo, por që për banorët dhe bizneset e tyre koha e qëndrueshme dhe me diell ka bërë që drejt Valbonës të marshojnë qindra turistë vendas dhe të huaj. Investimet e bëra nga pushteti vendor janë të prekshme. 8 nga 23 km e rrugës nga Bajram Curri në Valbonë, wshtw e asfaltuar, por puna duhet të vazhdojë ende për 15 km e mbetura sapo kalon komunën e Margegajt, që është e pa rikonstruktuar.

 

Apeli i kryetari të komunës, z.Biberaj drejtuar institucioneve shtetërore dhe donatorëve është që të përfundojë asfaltimi i rrugës dhe të miratohet një plan zhvillimi turistik për këtë perlë të bukurive natyrore. Më tej, kryekomunari pohon se përpos shumë investimeve që ende ka nevojë, për Valbonën imediate është miratimi i një plani urbanistik i cili do t’i jepte mundësi zonës për të shtuar numrin e ndërtimeve me qëllim akomodimin e më shumë turistëve pasi ka ndodhur që në kulmin e sezonit të ketë një numër të madh turistësh të cilët janë detyruar që pas pushimit në Valbonë, të niseshin në mbrëmje të pushonin në qytetin e Bajram Currit”.


Zoti Byberi nuk resht në punën e tij për të tërhequr sa më shumë investime, për ta bërë Valbonën plotësisht atraktive dhe një destinacion kryesor turistik në vend. Zoti e ka bekuar me natyrën magjike, ndërsa duhet të punohet pa reshtur për ta shfrytëzuar atë mësë miri. Nevojitet një plan konkret zhvillimi për Valbonën dhe shfrytëzimin e potencialeve të saj turistike. Komuna Margegaj kufizohet me qytetin e Bajram Currit, Malin e Zi, dhe Thethin në Shkodër. Majat e shumta në formën e kullave shkëmbore arrijnë deri në 2698 m lartësi mbi nivelin e detit, duke kulmuar me malin e Jezercës. Pyjet me dushk, ah, pishë dhe livadhet janë unike, por këto masive të virgjëra ruajnë brenda tyre edhe një botë shtazore të egër me ujq, dhi të egra, arinj, drerë, derra të egër, rrëqebuj, lepuj dhe plot shpendë ku pa dyshim mes tyre mbretëron shqiponja.

 

Turistë të huaj dhe vendës mbipopullojnë gjatë stinës së pranverës dhe verës perlën turistike të Veriut, por nuk mungojnë as grupe të organizuar turistësh që guxojnë të përshkojnë këtë luginë mahnitëse edhe gjatë stinës së dimrit. Dëshira për të vizituar sërish Valbonën me bukuritë e saj përrallore dhe për të përjetuar e shijuar ritmet e mrekullueshme të këngës dhe valles tropojane, është shumë e madhe. Një emocion që është vështirë të shprehet me fjalë. Vizitojeni Valbonën dhe me siguri do të impresionoheni nga bukuritë e rralla përrallore të kësaj zone.

30 mijë turistë e vizituan Valbonën në 2013-ën

“30 mijë turistë kanë vizituar Valbonën gjatë vitit 2013-ë. Mesatarisht, çdo familje në bujtinat e saj ka pritur nga 2000 vizitorë që përkthehet në të ardhura ekonomike për dhjetëra familje”.

Çmimet e arsyeshme


“Pikën turistike të Valbonës e bëjnë akoma edhe më tërheqëse çmimet e arsyeshme. Akomodimi në një dhomë në bujtinat e Valbonës kushton mesatarisht 15 euro.

Rigjallërimi i jetës në Luginën e Valbonës


“Banorët vendas si dhe emigrantë të kthyer i kanë dhënë kuptim dhe hijeshi jetës atje. Shtëpitë e rindërtuara dhe kthimi i tyre në bujtina pritëse për turistët, është burimi kryesor i të ardhurave ekonomike”.

Problematika

Përfundimi i asfaltimit të  rrugës Valbonë- Bajram Curri

“Në mbi 15 km, rruga Bajram Curri- Valbonë është e asfaltuar, por puna duhet të vazhdojë ende për 8 km e mbetura pa rikonstruktuar. Apeli i kryetari të komunës, z.Byberi drejtuar institucioneve shtetërore dhe donatorëve është që të përfundojë asfaltimi i rrugës dhe të miratohet një plan zhvillimi turistik për këtë perlë të bukurive natyrore”.

Njerëz të, artit, kulturës sportit, zyrtarë dhe drejtues të shtetit kanë vizituar Valbonën

Para shumë vitesh askush nuk mendonte ose guxonte të kandidonte në komunë e Margegajt për vet rrethanat në të cilat ndodhej zona dhe një sfidë të tillë e mori përsipër Rexh Byberi. Vendosi që të merrte përsipër fatet e komunitetit në dorë me qëllim kthimin e Margegajt në një zonë të zhvilluar. Tani që ai është në mandatin e katërt të shkosh në Valbonë mund të konstatosh lehtësisht që situata është krejt ndryshe, edhe sot në ditë dimri ke turistë ndonëse të paktë në numër të cilat mbërrijnë aty nga Kosova, Tirana etj. Kulmi është në sezonin veror ku duke qenë të shumë në numër pushuesit duke mos pasur mundësi të akomodohen në Valbonë janë detyruar të flenë në Bajram Curri.

 

Kjo e ka bërë emergjente miratimin e një plani urbanistik me qëllim dhënien e mundësisë banorëve të zonës të cilët kanë nisur të kthehen dhe nga emigracioni për të investuar në vendlindje. Investimet e kryera nga komuna, si dhe promovimi i turizmit ka bërë që nga 250 turistë që kishte në Valbonë në vitin 2000, sot në vitin 2013 ky numër të shkonte në 30 mijë. Ndërtimi i autostradës e ka afruar ndjeshëm zonën turistike të Valbonës me pjesën tjetër të vendit, bërë më komod udhëtimin, gjë që ka sjellë rritjen e vazhdueshme të vizitorëve vendas e të huaj dhe duke e kthyer në pikë turistike gjithëvjetore. Valbonën e kanë vizituar personalitete të kulturës ku mund të përmenden këngëtarë, artistë, aktorë si Eliza Dushku, i famshmi Fadil Berisha, vajzat e “Miss Globi 2007”, deputetë të parlamentit shqiptarë ndër vite, rektorë të universiteteve, ministra deri tek presidentë.

 

Vlen të theksohet dhe njëherë fakti se në kthimin në një pikë turistike të frekuentuar veç bukurive që zoti i ka falur luginës së Valbonës së komunës Margegaj, një punë jashtëzakonisht e madhe për përmirësimin e infrastrukturës është bërë dhe nga komuna me drejtues të suksesshëm prej 4 mandatesh të zoti Rexh Byberi. Kryekomunari Rexh Byberi ka mundur të thithë investime të cilat janë kryer përgjatë viteve të drejtimit të tij të komunës në 4 mandate si në; arsim, shëndetësi, rrugë, ujësjellës-kanalizime, energjetik, turizëm, etj, për ta kthyer komunën e tij në lider sa i përket turizmit malor.

 

Në komunën Margegaj, pjesë e së cilës është dhe Valbona, një turist do të përballet me një infrastrukturë të mirë rrugore përjashto vetëm 15 km sapo del nga ndërtesa e komunës, shtëpi alpine ku mund të akomodohesh në kushte të kënaqshme, furnizim më ujë të pijshëm dhe energji elektrike në mënyrë sistematike. Janë ndërtuar hotele dhe ekzistojnë kampingjet që kryesisht e kërkojnë turistët e huaj si dhe hotele dhe bujtina të tjera. Ndërkohë turistët do të gjejnë qetësinë karakteristike të bjeshkëve, mikpritjen e banorëve pasi deri më sot në komunën tonë nuk është shënuar asnjë incident. Kryekomunari Rexh Byberi falënderon për ndihmën dhe FSHZH, Ambasadën e SHBA, UNDP donatorë të tjerë dhe qarkun Kukës për mbështetjen që i kanë dhënë në thithjen dhe realizimin e investimeve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama