Nje kafe dhe nje liber ju lutem!

Nje kafe dhe nje liber, ju lutem!

Nëse përpara disa vitesh në Tiranë kishte vetëm një apo dy kafe-librari, sot të tilla mund të numërohen me gishtat e duarve. Me dhjetëra bare dhe klube në kryeqytet po rrëfejnë kopertina librash. Duket sikur kjo është tendenca e fundit e imazhit të një klubi që kërkon të tërheqë rreth vetes sa më shumë persona që dinë të lexojnë. Gjatë një vëzhgimi që bëmë në kryeqytet zbuluam dhjetëra vende, disa edhe me emra të çuditshëm që ofronin rafte librash. Mirëpo, kjo nuk ndodh vetëm në rrugët e kryeqytetit, por edhe në rrjetet sociale, ku grupe të ndryshëm njerëzish bashkohen për të komunikuar me njëri-tjetrin për një libër apo për një tjetër. 

 

Qoshkat e librave me aromë kafeje 

 

Të tilla ka shumë sot Tirana, e cila e mbushur me fakultete detyrimisht duhet të ofrojë edhe më shumë se qytetet e tjera të Shqipërisë. Pranë fakulteteve, në qendrat më të vizituara për të rinj ka bare të tilla që ofrojnë kafe, çaj dhe cigare së bashku me libra. Në varësi të fakulteteve pranë të cilave ndodhen, ato ofrojnë edhe titujt e librave. Për shembull, një kafe –librari pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, të Letërsisë, Historisë dhe Filozofisë kryesisht ofron libra të këtij lloji. Sigurisht që, ndonjë libër mjekësie mund ta gjeni edhe këtu, por kryesisht ajo që ofrohet nga ky bar i përshtatet edhe studentëve të cilët e frekuentojnë. Në përgjithësi, këto bare ofrojnë edhe të drejtën e të lexuarit apo të shfletuarit të një libri kundrejt pagesës së kafesë apo makiatos, që një student ose një klient është duke konsumuar. Edhe shtëpitë botuese gjithnjë e më shumë kanë filluar që promovimet e librave të tyre t’i realizojnë në ndonjë qoshkë të këtij lloji, të mbushur me libra dhe jo më në ndonjë sallë të vjetër biblioteke apo universiteti, që nuk ofron më shumë tërheqje sesa këto qoshka inteligjente. 

 

Kur edhe pub-et flasin në gjuhën e kopertinave 

 

Një nga klubet më të mëdha të kryeqytetit, i ndodhur në periferi ka vendosur që të përcjellë jo vetëm imazhin e një pubi ku pihet alkool dhe dëfrehet pa limit, por edhe gjuhën e librave. Një nga faqet e murit të këtij klubi, është e gjitha një panoramë që përcjell imazhin e një biblioteke të stërmadhe. Në    fakt, ato janë vetëm kopertina librash që mbushin një raft thuajse gënjeshtar, por që e bën çdokënd që ka vendosur të argëtohet aty të kthejë kokën, ose të paktën të mendojë për librat kur i rikthehet momentit për të parë fotografitë. “Shekulli” ju përcjell sot fotografinë e disa nga vajzave, të cilat kërcejnë në një sfond të mbushur me “libra”. Mirëpo, të tillë tendencë nuk e përcjell vetëm ky pub, por edhe klube të tjera të cilat kanë realizuar të paktën në një faqe të mureve të tyre një raft të madh plot me libra. 

 

Një klub virtual

 

 Ka edhe klube virtuale, të cilat mbledhin në rrjetet sociale plot të rinj që lexojnë. Janë të rinj që po bashkohen për të lexuar një libër në të njëjtën kohë në mënyrë që të mblidhen një fundjavë në muaj për të folur për të. Është Rudi, vajza që e ka krijuar këtë grup libri virtual, që do të mund ta gjeni në rrjetin social Facebook me emrin Book Club Albania. Jo vetëm intelektualë, por edhe shumë të rinj i janë bashkuar këtij klubi ku vendosin bashkërisht se çfarë titulli libri do të lexojnë dhe cila do të jetë vepra për të cilën ata do të komunikojnë këtë muaj. E kontaktuar nga gazeta “Shekulli” Rudi na tregon që kjo është një eksperiencë e marrë nga modele jashtë Shqipërisë, në vende ku respekti për librin është shumë herë më i madh se në shoqërinë shqiptare. 

 

Më shumë, më mirë, më lirë

 

 Janë pikërisht këto kafe librari ato që herë pas here organizojnë ndonjë panair modest librash. Jo më larg se javën e kaluar në një qoshkë tek rruga e Elbasanit ofroheshin libra të vjetër. Nuk ishte qoshkë nga ato të librave që shiten në tokë, por një qoshkë e vërtetë librash. Sipërmarrësit kishin vendosur ta quanin “Panairi i librave të vjetër”. Dhe çmimet e këtyre librave ishin sërish konkurrentë  me çmimet e atyre titujve, që gjenden herë pas here në rrugët e kryeqytetit. Të tilla aktivitete organizohen herë pas here, duke ofruar kështu gjithnjë e më shumë çmime të leverdishme për studentë dhe për dashamirësit e librit. Edhe promovimet kryesisht bëhen me marrëveshjen për ta shitur një libër apo një titull me një çmim më të lirë sesa ai që shënohet në kopertinë.  

 

Nuk dimë as çfarë të lexojmë, edhe kur duam të lexojmë 

 

 Mbi 90 botues nga treva të ndryshme shqiptare dhe të huaja ekspozuan botimet e tyre në Panairin e 16-të të Librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në datat 13-17 nëntor. Nga rreth 2866 botime të cilat erdhën një vit më parë, në Panairin e Librit të 2013-ës mbërritën vetëm 1086 të tillë. Ishin rreth 1780 botime më pak. Ky është raporti telegrafik i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, raport që ndryshon nga viti në vit. Mirëpo, po të pjesëtoje numrin e një viti më parë me numrin e ditëve të një viti dilje në përfundimin se në ditë botoheshin 7 ose 8 libra. Në 2013- ën, shqiptarët do të mjaftoheshin edhe me 3 libra në ditë. Fakti që është ulur numri i titujve të botuar këtë vit, na bën të mendojmë se edhe numri i librave që lexojnë shqiptarët është më i vogël. Por, edhe nëse është ulur a mund të pretendojmë në rritjen e cilësisë së botimeve të këtij viti? Kësaj nuk mund t’i kthejmë asnjë përgjigje.

 

 Në Shqipëri, ende nuk ka një  klub apo grup kritikësh që të na rrëfejnë çfarë po na servir ky tregu ynë i librave. Në vendin tonë në promovime librash dëgjon vetëm fjalë të mira dhe lajka mes miqsh shkrimtarë. E në të gjithë këtë zallamahi botimesh duket se të gjitha janë botime serioze. Edhe kur ftohen në emisione televizive apo në intervista, autorët miq të njëritjetrit rezervohen të flasin për më të mirët publikisht. Nën zë, në tavolinë ama thuhen të gjitha. Një sfidë tjetër e madhe e  këtyre botimeve që lajkatohen nga miqtë autorë është edhe ajo me internetin. Libri këto kohë, ka filluar të zëvendësohet nga interneti dhe nga leximet e shkurtuara. 

 

Ka libra me poezi, të cilët mund të ezaurohen në një mbrëmje poetike. Edhe kriza ekonomike, i ka vënë shqiptarët gjithnjë e më shumë në vështirësi. Kjo krizë ekonomike nuk do ta favorizojë librin. Ai do të jetë i pari që do të largohet nga mendja në kushtet kur tavolina e bukës është gjysmë bosh. E në këto kushte që ofron Shqipëria letrare, në kushtet ku mungon një kritikë për librin dhe në kushtet kur botuesit nuk janë transparentë për shifrat e shitjes së një titulli, ne nuk mund të shpallim, edhe sikur të duam shumë të lexojmë se kush kryeson piramidën e lirave, që duhet apo duam të blejmë. Shumë prej këtyre faktorëve ndikojnë në rënien e shitjes së librave, në shitjen e atyre “më pak” librave që janë botuar këtë vit. Rezultati: Nuk dimë as çfarë të lexojmë edhe në rastet kur duam të lexojmë.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama