Nuk ka cudira eliminohen shqiptaret

Nuk ka cudira, eliminohen shqiptaret

Nëse në verën e kaluar, klubet shqiptare shkëlqyen në Kupat e Europës duke arritur deri shumë afër pjesëmarrjes në fazën në grupe të Europa League, në këtë edicion ata i janë kthyer traditës së vjetër të eliminimit të shpejtë. Pas largimit të Skënderbeut e Kukësit, dje e kanë pasur radhën dy ekipet e mbetura në Europa League, Flamurtari e Laçi, që gjithashtu nuk kanë arritur të bëjnë mrekullinë për të përmbysur humbjet në sfidat e para dhe për të kaluar në turin e tretë të aktivitetit. Të dy ekipet kanë regjistruar humbje edhe në sfidat e dyta, duke mos arritur të marrin një rezultat pozitiv që mund t’u shërbente të paktën për të rritur koeficientin e tyre në shortin e UEFA-s në edicionin e ardhshëm.

Flamurtari ishte skuadra që teorikisht kishte më shumë shanse për të kaluar turin, pasi vlonjatët e cilësonin si të mundshme përmbysjen e humbjes 2-0 në Rumani përballë Petrolul Ploieshtit në ndeshjen e parë. Ekipi i drejtuar nga Ernest Gjoka e nisi me shumë vrull ndeshjen, duke luajtur një lojë të hapur që bëri të krijoheshin raste në të dyja portat. Ishte Telushi që iu afrua avantazhit me një gjuajtje në hyrje të zonës që në minutat e para. Nga ana tjetër, rumunët kundërsulmojnë rrezikshëm me anë të Mutu, ndërsa edhe Fançione shfaqet rrezikshëm para Likës, por asnjëri nuk arrin të gjejë kuadratin. Më pas, ishte skuadra shqiptare që krijoi disa raste të mira para portës kundërshtare, me Shehajn, Kuqin, Telushin e Micin që me radhë provojnë të kalojnë portierin Peçanja. Por i vetmi që arrin të mposhtë brazilianin e Petrolul është Nijaz Lena në minutën e 37-të të sfidës, kur pas një asisti të shkëlqyer të Telushit godet me kokë duke dërguar topin në rrjetë. Megjithatë, euforia vlonjate për një përmbysje të mundshme zgjat vetëm pak sekonda. Pa u mbushur as dy minuta, mesfushori portugez Teikseira gjen të pavendosur mirë mbrojtjen vlonjate, duke dërguar topin në rrjetë me një gjuajtje perfekte. Për Flamurtarin, shuhet ëndrra e kualifikimit, pasi vlonjatët duket qartë se nuk besojnë se mund të shënojnë 3 golat që duhen në portën e rumunëve. Megjithatë, vlonjatët duan të mbyllin sa më mirë këtë ndeshje përballë tifozerisë së tyre dhe në pjesën e dytë hidhen në kërkim të një fitoreje “ngushëllimi”. Rastet për ta bërë një gjë të tillë nuk mungojnë, me Muzakën, Lenën, Liçajn e Likën që humbasin mundësi të mira për të kaluar përsëri në avantazh Flamurtarin. Por nëse vlonjatët shpërdorojnë shumë, rumunët tregohen cinikë në minutat e fundit, kur me dy kundërsulme të shpejta gjejnë rrugën e rrjetës me anë të De Lukas dhe zëvendësuesit Priso. Kësisoj, Flamurtari mundet 1-3 në ndeshjen e kthimit, duke u dhënë fund ëndrrave për një sezon spektakolar në Europë.

Në sfidën tjetër, Laçi shkonte për statistikë në Ukrainë, ku luante ndaj Zorias që e kishte mundur 3-0 në sfidën e parë në Shqipëri. Kurbinasit u kanë rezistuar për shumë minuta sulmeve vendase, por janë ndëshkuar në çastet e fundit të sfidës kur Ignjatijeviç dhe Budkivski kanë mposhtur portierin Vujadinoviç. Goli i barazimit të përkohshëm të Nimanit ka qenë një ngushëllim i vogël për kurbinasit, që synonin një rezultat pozitiv në këtë sfidë. Gjithsesi, pjesëmarrja e tyre për herë të tretë në Europa League mund të cilësohet e suksesshme, pasi ata arritën të kalonin një turn në këtë aktivitet.

 

Ekipet shqiptare në Kupat e Europës

Liga e Kampioneve

Turi i dytë

BATE-Skënderbeu 0-0  1-1

 

Europa League

Turi i parë

Kairat-Kukësi   1-0  0-0

Sioni B.-Flamurtari  2-3  2-1

Rudar-Laçi 1-1  1-1p

 

Turi i dytë

Laçi-Zoria 0-3  1-2

Petrolul-Flamurtari  2-0  1-3


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama