Prodho shqip bli shqip konsumo shqip

Prodho shqip, bli shqip, konsumo shqip

Sot më shumë se kurrë duhet të shprehemi: “Prodho shqip, bli shqip dhe konsumo shqip!”. Prodhimet tona bujqësore janë përgjithësisht të pastra, të sigurta dhe me vlera ushqimore. Ndërkaq, sistemi i ri i sigurisë ushqimore në vend gjurmon dhe bllokon praninë e mundshme të ndotjeve që në arë, ferma apo sera. Është natyrshëm një sistem në konsolidim dhe përsosje të vazhdueshme. Por paralelisht me këtë sistem profesional vlerash dhe standardesh, vepron edhe një sistem spekulimesh dhe të pavërtetash, i cili krijon panik të pabazë te konsumatori, pasiguri dhe ankth, por edhe një dëm të konsiderueshëm ekonomik. Ata që hodhën në erë dy vite me parë qumështin shqiptar me skandalin e stisur të aflatoksinës, duke e çuar në prag falimenti industrinë e re moderne shqiptare të saj, për të favorizuar qumështin e importuar, nuk patën asnjë keqardhje që futen në krizë mijëra familje blegtorësh, të cilët derdhën qumështin e bllokuar padrejtësisht në treg. Ata sigurisht nuk e bënë këtë në emër të standardeve.

Sipas së njëjtës përqasje, sot po goditet padrejtësisht një ndër sipërmarrjeve më të suksesshme të bujqësisë shqiptare, ajo e prodhimit të perimeve të freskëta, që mbush, jo vetëm tregjet e vendit me prodhime cilësore dhe të lira, por edhe eksporton masivisht në BE. Prodhimi i perimeve, përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash për ekonominë kombëtare dhe është krijues i qindra vendeve të punës. Pretendimet e pabaza, për praninë, gjoja të hormoneve dhe mbetjeve toksike në perime, dëmtojnë rëndë interesat e fermerëve. Këto spekulime, të cilat mbështetin interesat e importuesve të këtyre perimeve nga jashtë, synojnë ta zëvendësojnë ofertën e prodhuesve vendas me importe analoge me çmime të paktën dyfish më të larta. Për herë të parë, në historinë e vendit, në laboratorët rajonalë, u arrit të kryhen analiza për një sërë mbetjesh kimike e toksike, si metalet e rënda, insekticidet dhe stimuluesit e rritjes dhe të pjekjes së perimeve. Analizat e kryera deri më tani, sipas procedurave rigorozisht të certifikuara, dëshmojnë se prodhimet perimore shqiptare, janë të pastra, të padëmshme dhe të shëndetshme për konsumatorin. Këto prodhime eksportohen edhe në vendet e BE-së dhe deri tani, nuk ka asnjë reklamim nga importuesit për cilësinë e tyre.

Brenda një kohe të shkurtër, çdo gjë u ngrit, nga një “zero” absolute. Shqipëria, jo vetëm nuk kryente asnjë lloj analize në perimet e freskëta, por madje, as në letër nuk kishte në plan ta bënte një gjë të tillë. Në krye të gjashtë muajve, edhe pse në mungesë të ndjeshme të fondeve, Ministria e Bujqësisë, ndërtoi planin kombëtar të monitorimit të mbetjeve në bimë, si dhe instaloi kapacitete analitike në laboratorët rajonalë, duke filluar me atë të Lushnjës. Për herë të parë, u arrit të zbuloheshin me analiza të thjeshta, por të sigurta dhe lehtësisht të verifikueshme, falsifikimet e rënda të djathit dhe gjizës, me niseshte dhe derivate të saj, duke çuar në zbulimin dhe konfiskimin e qindra kuintalëve prodhime të falsifikuara. U disiplinua therja, përpunimi dhe tregtimi i mishit dhe do kalojnë në sitën e kontrollit, vaji i ullirit, mishi, vera dhe mjalti. Qeveria e re shqiptare, po krijon dhe konsolidon një sistem tërësisht të ri, të sigurisë ushqimore, të mbështetur në parimin, nga ferma në tavolinë, dhe në këtë rrugë, ne as do të lodhemi dhe as do të tërhiqemi deri sa të garantojmë zbatimin e standardeve më të larta të cilësisë dhe të sigurisë për konsumatorin tonë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama