Reali siguron James Rodriguez per 75 milion euro

Reali siguron James Rodriguez per 75 milion euro

Golashënuesi më i mirë i kampionatit botëror të futbollit, James Rodriguez është lojtari më i ri i Real Madrid-it. Kolumbiani i cili shënoi 6 gola në këtë botëror do t’i kushtojë kampionëve të Europës plot 75 milionë euro. Një shifër kjo bombastike duke parë dhe moshën e lojtarit, vetëm 23 vjeç. Nga mediat Iberike mësohet se lojtari ka fluturuar drejt Madridit një ditë më parë për të mbyllur të gjitha burokracitë e transferimit të tij dhe për t’iu bashkuar Anchelottit dhe pjesës tjetër të klubit. Mësohet se ish-lojtari i Monakos ditën e diel në orën 14:50, në pikun e lëvizjes së aeroportit “Barajas” të Madridit, ka mbërritur me avionin e tij të nisur nga Medelin, vendi ku ai kishte qenë duke pushuar. Kolumbiani gjatë lëvizjes në aeroport ishte i shoqëruar nga nëna dhe menaxheri i tij. Bomberi që një vit më parë transferohej në Francë nga Portugalia nuk i ka shpëtuar syrit të tifozëve, të cilët kanë nxituar menjëherë të japin lajmin e shumëpritur dhe të bëjnë foto.

 

Sipas “L’Equipe”, zyrtarizimi do të bëhet sot, ndërkohë që në qendrën stërvitore të Realit, “Valdebebas” janë marrë masat e para, dhoma me numër 110 mban emrin e lojtarit të dytë që pritet të transferohet te “galaktikët” këtë verë pas Toni Krosit. Fanella që do të mbajë mbi supe pritet të jetë ajo me numrin “10″, e cila në disa dyqane ka nisur edhe të shitet. Gjithashtu “L’equipe” bën të ditur që kontrata personale e futbollistit me Realin është arritur prej javësh. Rodriguez ka rënë dakord për një kontratë 5-vjeçare në “Bernabeu”, nga e cila do të përfitojë 7.5 milionë euro neto në vit. Me këtë blerje Real Madrid merr një pamje edhe më galaktike, ndërsa hapen shtigje të reja për merkaton e verës. Largimi i Di Marias nga kryeqyteti spanjoll bëhet gjithnjë e më shumë i prekshëm. Mbërritja e kolumbianit e bën të lart konkurrencën në krah, ç’ka mund të sjellë edhe pakënaqësi tek argjentinasi, i cili ka shumë mëtues, si PSG, Juventus..etj. Rodriguez do të jetë një “problem” i këndshëm për strategun Anchelotti, që do të ketë më shumë se luksin e zgjedhjes për të ndërtuar formacionin e parë.

 

Real Madrid me transferimin e Rodriguez fitoi dhe derbin e parë të Spanjës për sezonin e ri, pasi sulmuesin e kërkonte edhe Barcelona, e cila kërkonte të krijonte një tridhëmbësh të frikshëm me Lionel Messin, Rodriguezin dhe Suarezin, por “Los Blancos” ishin më të shpejtë dhe të vendosur, duke fituar edhe duelin e parë për sezonin e ri. Kush është Rodriguez? James Rodriguez është lojtari që habiti botën me performancën e tij me Kolumbinë. I lindur më 12 Korrik të vitit 1991 (23vjeç), i gjatë 180 centimetër, për 78 kilogramë u rrit tek akademia e Tolimenses për t’u transferuar tek Envigado në vitin 2005, ku luajti tek të rinjtë e kësaj skuadre, për të debutuar si profesionist një vit më vonë, në vitin 2006. Me skuadrën e tij të parë Rodriguez shënoi 9 gola në 30 ndeshje. Në vitin 2008 u transferua në Portugali, tek Banfield, ku luajti deri në vitin 2010, shënoi 5 gola në 42 ndeshje. Pas kësaj Rodriguez kalon tek Porto, një nga klubet më të mira portugeze, ku luan për tre vite, përpara se të kalojë tek Monaco.

 

Kolumbiani tek ‘bardheblutë’ portugezë shënoi 25 gola në 65 ndeshje, ndërsa në Francë në sezonin e vetëm të luajtur tek Monaco shënoi 9 gola në 34 ndeshje. Tashmë jeta e tij merr një drejtim tjetër dhe është gati të marrë përsipër të luajë me fanellën që kanë veshur lojtarë si Roberto Carlos, Zidane, Raul, Christiano Ronaldo…etj. Rodriguez tek Monako përfitonte një rrogë prej 1.2 milion eurosh në sezon, ndërsa tashmë do të përfitojë 7 milionë euro në sezon dhe në rast titulli 7,5 milionë euro.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama