Romela Begaj Une kampionia pa shtepi pa rroge dhe pa siguracion

Romela Begaj: 'Une kampionia pa shtepi, pa rroge dhe pa siguracion'

Shqipëria sot ka vetëm dy medalje në Botërorin e Peshëngritjes. E para është ajo e Ilir Sulit, ndërsa e dyta ajo e Romela Begajt. E vetmja femër që përfaqëson sot Shqipërinë në Peshëngritje vjen sot në një intervistë për “Shekullin” për të na rrëfyer garën e saj të fundit, atë që iu desh ta lërë përgjysmë për shkak të një dëmtimi që pati në kampionatin europian. E megjithëse kjo mund t’i ndodhë çdo sportisti në botë, edhe pse Romelën e trishton një ngjarje e tillë, ajo denjon të flasë për lexuesit tanë dhe të rrëfejë se kjo nuk është më e keqja.

Më e keqe është gjendja financiare e një kampioneje që dëshiron të kurohet. Në kampionatin botëror ka dalë e katërta në dygarësh dhe në atë europian është kampione për të rritur. Medaljet e shumta dhe pasioni i madh për këtë sport nuk e lënë të heqë dorë nga kjo karrierë dhe të dorëzohet në një fushëbetejë me kushte të vështira. Në këtë rrëfim të sajin zbuloni paradoksin e jetës së një kampioneje në Shqipëri.

Si shkoi aktiviteti i fundit?

Jo mirë. Ishte një dëmtim që unë e kam pasur që vjet në pjesën e gjurit. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet që më la mbrapa me stërvitjen, por që e anashkalova duke u futur sërish në gara. Të tilla dëmtime mund t’i ndodhin çdo sportisti, çdo kampioni. Nuk ishte shumë faji im, kështu u desh të ndodhte.

Po tani si jeni?

Unë kam kohë që kurohem. Dhe ka qenë një kohë plot me sakrifica si për mua ashtu edhe për familjen time që po më ndihmon, edhe financiarisht. Pak përpara Europianit unë jam kuruar në Greqi për gjurin. Dhe të gjitha shpenzimet i kam përballuar vetë, me shumë ndihmë nga familja dhe miq që vërtet janë të çmuar për mua. Të gjitha kontrollet mjekësore janë mbuluar financiarisht nga familjarët e mi, ndërkohë që pafund do të doja të falënderoja Luan Shabanin, një sportist shqiptar që konkurron me Greqinë. Tani vazhdojnë sërish kontrollet. Këto ditë do të largohem sërish për në Greqi për të bërë kontrollet e duhura mjekësore dhe për t’u kuruar. Jam më mirë, por kam nevojë për kontroll. Kam përshtypjen se edhe këtë herë do të jem e detyruar të paguaj vetë, pasi si çdo herë tjetër, nuk besoj se do të më ndihmojë ndonjë. Kur mbërrita në Tiranë, kur zbrita nga avioni, nuk mora as një telefonatë, nga asnjë institucion. I vetmi që ka marrë ka qenë Sokol Kaçi shefi i klubit tim. Kështu që është e vështirë të besoj se dikush do të më ndihmojë.

Sa e vështirë është për ju kjo situatë?

Jam një kampione, një nga ato që kam ngritur flamurin shqiptar edhe kur nuk kemi pasur uniforma dhe sot jam pa shtëpi, pa rrogë, pa punë dhe pa siguracion. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm për një sportist, e për më tepër për një femër sportiste. Sigurisht që, është e vështirë që në gjendje të tillë të të bjerë edhe morali, pa llogaritur këtu edhe stresin që të krijon gjendja financiare. Prisja që të paktën institucionet të më telefonin për të më thënë se do të ketë gara të tjera dhe shpresojmë që të bëhesh më mirë. Jam femër dhe e vetmja që përfaqësoj Shqipërinë dhe e ndiej veten keq moralisht për situatën në të cilën ndodhem. E vetmja që më ka premtuar se do të bëjë për mua diçka ka qenë ministrja Lindita Nikolla, e cila më premtoi se një sportiste si unë meriton një vend pune, një vend që të mbulohet nga siguracionet. Jam në pritje, por janë fjalë që më kanë ngrohur zemrën kur më janë përcjellë.

A mendoni se do të bëheni gati për garat e ardhshme?

Vitin e kaluar isha në një grumbullim një muaj në Greqi, por kaq siç duket nuk mjaftoi. E megjithatë, aq mundësi kisha pas tre muajsh pushim për shkak të dëmtimit në gju. Edhe për atë grumbullim më ka ndihmuar Elez Gjozaj dhe Muharem Berisha, sepse unë nuk kisha mundësi financiare për këtë grumbullim në Greqi. Janë këta miq dhe mbështetja e tyre që më jep forcë të vazhdoj e të përpiqem sërish. Unë do të mundohem pafund që të bëhem gati për Botërorin, i cili është pas tetë muajsh.

Po kushtet në të cilat jeni stërvitur? Ku stërvitet një kampione si ju?

Stërvitem në një palestër që nuk është më shumë se 40 metra katrorë. Dhe aty kaloj paraditen dhe pasditen, pasi stërvitem dy herë në ditë.

Si e shihni veten pas dhjetë vjetësh?

E shoh veten më të pjekur, më të fortë dhe pa problemet financiare me të cilat përballem tani. Sigurisht edhe me siguracion për jetën. Uroj të bëhen gjëra më të mira për sportin, jo vetëm për peshëngritjen, por për të gjitha sportet, pasi ne kemi vërtet njerëz të talentuar dhe që punojnë fort për pasionin e tyre.

 

Një kampione e ëmbël si Romela

Romela Begaj, e lindur më 2 nëntor 1986, është një vajzë që ka hyrë krejt rastësisht në peshëngritje. Tashmë është femra e vetme që përfaqëson denjësisht Shqipërinë në aktivitetet ndërkombëtare të shtangës. E ka nisur fillimisht me trajner Faruk Kalleshin dhe më pas me Hektor Shaqirin, ndërsa me këtë të fundit do të ishte e gjashta në Lojërat Olimpike “Pekin 2008” (e katërta në shkëputje, e shtata në shtytje), si dhe në Botërorin e të rejave në Kinë, nga ku u kthye me medalje bronzi.  Përgjatë karrierës së saj, e cila nis me medalje që nga koha kur ka qenë me moshat e deri tek të rriturat më 2007- ën, ka pasur një konkurrencë të fortë me Fetije Kasajn, fillimisht në peshën 53 kg dhe më pas 58 kg. Me të rriturat numëron në Europian: Nënkampione Europe më 2008 në Linjano Sabadoro, Vendi i tretë në Bukuresht 2009, Nënkampione Europe më 2010 në Minsk dhe më 2012 në Antalia.

Dhe jo vetëm kaq, por me medalje ka ardhur dhe nga Lojërat Mesdhetare; më 2005 në Almeria Medalje Bronzi, më 2009 në Peskara Medalje Ari dhe më 2013 në Mersin Medalje Argjendi dhe Bronzi. Në Lojërat Olimpike “Londër 2012” zuri vendin e njëmbëdhjetë me 216 kg. Që pas Lojërave Olimpike në Pekin dhe deri në Europianin e fundit në Tel-Aviv, tashmë është në peshën e re konkurruese 63 kg, ka për trajner Gazmend Hakcanin. Përpos të gjitha përpjekjeve të saj për ta përfaqësuar Shqipërinë denjësisht nëpër botë, Romela ndihet e braktisur nga shteti i saj. Nuk ka një punë stabël, nuk merr një rrogë, nuk ka siguracion për jetën dhe nuk ka shtëpi. Gara e fundit, në të cilën u detyrua të dorëzohej për shkak të një problemi shëndetësor, e detyron atë që të ndjekë një sërë kontrollesh jashtë Shqipërisë dhe t’i përmbushë ato financiarisht të gjitha vetë. Në këtë intervistë me “Shekullin”, ajo shpreson që kjo të jetë hera e fundit kur ajo ankohet për veten dhe për ata katër sportistë të tjerë që i kanë mbetur Shqipërisë për të konkurruar në peshëngritje.

 

Dëshirat 

Unë dua të lë gjurmë në këtë jetë. Përpos të gjitha vështirësive unë refuzoj të dorëzohem. Dua të shpërndaj kulturën time, të përfaqësoj vendin tim dhe t’i prezantoj gjithë botës traditat e mia. Më vjen mirë që të gjithë konkurrentët, nga e gjithë bota, në fund të një gare vijnë të më përshëndesin, të më përqafojnë e të më thonë: “Bravo Romela që shkëlqen përpos të gjitha vështirësive”. Kjo është një kënaqësi shumë, po shumë e madhe për një sportist. Ata, sportistët e huaj, të gjithë i dinë vështirësitë dhe mangësitë që ka Shqipëria në sport. Unë dua që të kem ca të ardhura mënjanë, që të kem mundësi të kem një shtëpi, një martesë dhe një familje. Nuk dua që fëmijët e mi të rriten me vështirësi ekonomike. Dhe këto i kërkon çdo njeri i thjeshtë, jo vetëm një vajzë që lufton të jetë kampione jo vetëm për vete, por edhe për flamurin e saj. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama