Sms-ja ne celularin e ish-kryeministrit/ Berisha Cdo dite ne oren 20.00 ne Divjake ngarkohet me droge nje avion

Sms-ja ne celularin e ish-kryeministrit/ Berisha: Cdo dite ne oren 20.00 ne Divjake ngarkohet me droge nje avion

Ish-kryeministri rrëfen SMS që e informon për trafikun e drogës në Divjakë dhe shton se implikimi i bazave ushtarake është i faktuar me dokumente. “Ke denoncime nga punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, që nuk mund të pranojnë situatën katastrofale të krijuar me Forcat e Armatosura”

Ish-kryeministri Sali Berisha përforcoi dje akuzat e PD-së për trafik droge nga bazat ushtarake. Në një intervistë për ABC News, Berisha tha se Shqipëria është shndërruar në një protektorat droge, ku ndodh edhe gjëja më e paimagjinueshme; ajo e trafikut nga bazat ushtarake. “Muaj më parë më vjen një SMS dhe më thotë se në X fshat në Divjakë ulet një avion çdo ditë në orën 20 dhe merr ngarkesë. Jua jap gazetarëve dhe u kërkoj ta hetojnë. Shkojnë e verifikojnë, marrin dhe tipin e avionit dhe e botojnë”, – tha ish-kryeministri. Ai shpjegoi më tej se fillimisht nuk e kishte besuar se kjo ndodhte edhe në bazat ushtarake. Ish-kryeministri Berisha shton megjithatë se është bindur nga dokumentet. “Ky është fakt me dokumente. Dhe në vend se të bëjnë transparencën, ata nuk lejojnë transparencën.

 

Po nëse je i pastër, zoti kryeministër, atëherë si ka mundësi që nuk pranon të zbardhet e vërteta?”- pyet Berisha në intervistën e tij. Ai shtoi më tej se një fakt i tillë është denoncuar nga punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, që sipas tij nuk mund të pranojnë një situatë katastrofale që po krijohet nga Forcat e Armatosura. “Është jashtë çdo imagjinate”, – ka vazhduar më tej Berisha, duke thënë se qytetarët shqiptarë e meritojnë statusin, por se qeverisja e vendit po shkon drejt rrokullisjes. Ish-kryeministri Berisha e akuzoi Ramën se po zhbën standardet, duke shpallur një luftë të hapur me institucionet e pavarura.

 

“Ka kaq muaj që lufton me mandatet kushtetuese dhe ligjore të të emëruarve. Ka kaq muaj që Edi Rama bën gjithçka për të përqendruar në duart e veta pushtetin e Presidentit dhe çdo pushtet tjetër. Ka kaq muaj që kanë thërrmuar dhe bërë të paqenë sigurinë ligjore”, – shtoi ai më tej në ABC News. Situata e rendit ka qenë një tjetër shqetësim i ish-kryeministrit, duke e cilësuar atë dramatike. “Pohuan vetë se vrasjet janë dyfishuar në mars, janë dyfishuar të gjitha krimet. Sot ka një situatë dramatike. Pyesni biznesmenët. Kanë filluar gjobat, tregojnë. Kishte përpara kriminalitet rruge, por s’kishte banda që vinin gjoba, kurse tani vendosja e gjobave nga bandat e qeverisë është bërë ligj. Dikujt i marrin 1 milion euro, dikujt tjetër 1 milion e gjysmë, e kështu me radhë. Pra, rendi po shkon drejt një përkeqësimi”,- tha Berisha.

 

I pyetur për mesazhin e Kancelares gjermane për përmirësimin e drejtësisë, Berisha tha se një gjë e tillë duhet interpretuar drejt. “Nëse Kancelarja do të dinte se Edi Rama merr dhe kërcënon direkt në telefon gjykatësit për vendimet që japin kundra, ajo do ta gjente të paimagjinueshëm një veprim të tillë. Por ky është një realitet. Pra pa diskutim, drejtësia duhet të përmirësohet dhe drejtësia është një problem kryesor. Po kush e përmirëson drejtësinë? A mund ta përmirësojë një njëri që është i zhytur nga koka deri te këmbët vetë në korrupsion?” – pyeti ai. Berisha e akuzoi kryeministrin Rama se me ndërhyrjet e tij po shkon drejt Enver Hoxhës, jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe me ILDKP-në dhe institucionet e tjera të pavarura. Për këto arsye, Berisha u bën thirrje qytetarëve të ngrihen në protesta të fuqishme për të asgjësuar këtë revansh qeveritar. “Nuk është kohë revanshesh, është kohë ligjesh, praktikash ligjore dhe ecurie, se këta të çojnë drejt destabilizimit. Pra, fjala po vjen me shpejtësi të madhe tek qytetarët”, – përfundoi Berisha.



Imami: Në kohën tonë nuk ka pasur informacion për trafik droge



“Nuk ka pasur asnjë informacion në kohën tonë për përdorimin e infrastrukturës ushtarake nga trafikantët e drogës”. Ky ishte qëndrimi i ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, i pari zyrtar i PD-së që ka denoncuar përdorimin e bazave të ushtrisë për trafik. Imami tha dje se kryeministri Rama dhe dy ministrat e tij, ai i Brendshëm dhe ministrja e Mbrojtjes nuk mund të fshihen së pari pas Forcave të Armatosura.

 

“Kjo është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me administrimin dhe politikat, të cilat kanë qenë tërësisht tolerante ndaj narkotikëve në këto muaj të qeverisë socialiste. Në mandatin e Partisë Demokratike në qeverisje, nuk kemi pasur asnjë të dhënë për përdorimin e infrastrukturës ushtarake, e përsëris, për trafikimin e lëndëve narkotike. Ne nuk kemi pasur asnjë të dhënë dhe asnjë informacion. Po bëhen përpjekje, sigurisht për të mos u përgjigjur, kjo është e qartë, pyetjeve të cilat i janë shtruar qoftë Kryeministrit, qoftë ministres së Mbrojtjes, qoftë ministrit të Brendshëm, me qëllim për të humbur fokusin. Ne po i përgjigjemi drejtpërdrejt meqenëse na e kanë bërë pyetjen. Jo, nuk ka pasur informacion, nuk ka pasur të dhëna për përdorimin e infrastrukturës ushtarake nga trafikantët e drogës”, – përfundoi Imami.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama