Vlora Sport me stadiumin nis kthimi i Flamurtarit te madh

'Vlora Sport', me stadiumin nis kthimi i Flamurtarit te madh

Flamurtari mund të bëhet skuadra e parë shqiptare që do të ketë në përdorim një stadium të standardeve më të larta bashkëkohore. Financuesit turq të ekipit vlonjat kanë dorëzuar në Bashkinë e Vlorës dhe më pas në Kryeministri, projektin për ndërtimin e një kompleksi modern në zonën e Pyllit të Sodës, që do të përfshijë edhe stadiumin prej 15-20 mijë vendesh, i cili do të vihet plotësisht në dispozicion të ekipit vlonjat.

Klubi vlonjat ka shpërndarë dje disa nga skicat dhe detajet e këtij impianti futbollistik modern, i cili do ta ndihmonte padyshim Flamurtarin të transformohej në një superfuqi në futbollin shqiptar. Duke parë interesimin e qeverisë shqiptare për rehabilitimin e zonës së Pyllit të Sodës, investitorët turq, që tani sponsorizojnë ekipin vlonjat, përfaqësues të kompanive “TRK” dhe “Atlajset”, kanë ndërtuar me shpejtësi një projekt ambicioz për ta kthyer këtë zonë në një kompleks sportiv gjigant. Kompleksi që do të mbajë emrin “Vlora Sport”, pritet që përveç këtij impianti ultramodern të ketë edhe fusha basketbolli, tenisi apo palestra, për ta kthyer këtë zonë jo vetëm në një qendër të mirëfilltë sportive, por edhe komunitare. Projekti që përllogaritet të kushtojë rreth 60 milionë euro, tashmë gjendet në zyrat e Kryeministrisë shqiptare, nga ku duhet të marrë miratimin përfundimtar për t’u vënë në zbatim. Në këtë projekt, ndërtimi i stadiumit me kapacitet maksimal prej 20 mijë vendesh, mendohet të kushtojë 26 milionë euro, ndërsa planifikohet që afati i realizimit të këtij projekti madhor të jetë dy vjet.

Për Flamurtarin, por edhe për futbollin shqiptar në përgjithësi, ndërtimi i një impianti të tillë do të ishte një hap shumë i rëndësishëm para. Klubi vlonjat është në fillesën e procesit të privatizimit të plotë dhe nëse përkrah kësaj etape të rëndësishme, ai siguron edhe ndërtimin e një stadiumi të parametrave bashkëkohorë, atëherë do të kthehet pa frikë në një superfuqi të futbollit shqiptar. Ndërkohë, një impiant i tillë modern do të shërbente edhe si strehë për kombëtaren shqiptare të futbollit apo edhe klubet shqiptare në Kupat e Europës, duke pasur parasysh se në Shqipëri, të paktën edhe për 2-3 vite, nuk do të ketë asnjë stadium që plotëson plotësisht standardet e UEFA-s. “Meremetimi” që po i bëhet stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan do të jetë i përkohshëm, derisa të ndërtohet stadiumi i ri “Qemal Stafa”. Por, meqenëse etapat e fillimit të punimeve në impiantin kryeqytetas vazhdojnë të shtyhen, ndërtimi i shpejtë i stadiumit të ri në Vlorë mund ta kthejë atë në epiqendrën e re të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Mundësia e kthimit në një qendër të mirëfilltë të futbollit shqiptar brenda një periudhe kaq të shkurtër, ishte arsyeja kryesore pse investitorët turq kanë paraqitur kaq shpejt një projekt konkret për ndërtimin e kompleksit sportiv. Ata janë dakord që klubi në të ardhmen të zhvendoset nga stadiumi “Flamurtari” në qendër të qytetit të Vlorës, me këtë impiant që do të shembet për t’u kthyer në një vepër komunitare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama