Vrasja e Karelit si pritet te dale pa lagur drejtori i burgut te Nigritas

Vrasja e Karelit, si pritet te dale 'pa lagur' drejtori i burgut te Nigritas

Drejtori i burgut të Nigritas, ku vdiq shqiptari Ilia Kareli, nga torturat çnjerëzore, rrezikon të mos dënohet asnjë ditë me burg, teksa dje u lanë të lirë 2 gardianë të tjerë. Staboulis Anthony, drejtori i burgut të Nigritas akuzohet për “strehim të një krimineli”, gjë e cila sipas legjistacionit grek përbën kundravajtje administrative e një zyrtari të lartë. Kjo shkelje, maksimalisht mund të dënohet me 6 muaj burg, mirëpo duke qenë se nuk klasifikohet si një krim i rëndë, gjykatat greke për kryerjen e këtij veprimi parashikojnë edhe pagesën në këmbim të lirisë dhe më tej hetimet vijojnë në gjendje të lirë.

Ndërkaq, ai pritet të thirret për të dëshmuar pas festës së Pashkëve. Prej pak kohësh postin e drejtorit të burgut të Nigritas e ka marrë Dimistris Apostolakis, ndërsa orët e fundit në gjykatën e Serresit u paraqitën edhe 2 gardianë të tjerë për t’u njohur me masën e sigurisë. Njëri prej tyre u lirua pa kusht, ndërsa tjetrit nuk i lejohet të dalë nga territori i Greqisë. Ndërkaq, ka mbetur për t’u pyetur edhe një roje i këtij burgu. Deri më tani vetëm 6 gardianë janë lënë në paraburgim teksa gjykohen, ndërsa 8 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Sipas aktakuzës që publikojnë mediat greke, konfirmohet edhe njëherë se gardianët e kanë torturuar Karelin për më shumë se dy orë në mënyrë sistematike, si “ndëshkim” ndaj vrasjes së kolegut të tyre, Jorgos Tsironis, i cili u vra nga i dënuari shqiptar më 25 mars, dhe vetëm dy ditë më pas Ilia Kareli u gjet i pajetë në qeli. Sipas elementëve të zbuluar deri më tani nga aktakuza, gardianët e kanë pështyrë dhe ofenduar Karelin para dhunës makabre, derisa i dhanë goditjet fatale. Ai është rrahur me grushte, shqelma dhe gardianët improvizuan një kamzhik me gjatësi rreth 50 cm.

Aktakuza vë në dukje se torturimi i Karelit zgjati nga ora 15:37 deri në 18:38, në dhomën e pritjes të burgut të Nigritas, dhomë që në gjuhën e gardianëve quhet “frigorifer”. Kareli u godit në pjesë të ndryshme të trupit, mbrapa, në këmbë, sidomos në thembra, gjoks, bark dhe kokë, ndërsa i janë hedhur kova me ujë, teksa e rrihnin, duke e bërë kështu torturën më të dhimbshme. Dy ish-komando të ushtrisë greke dyshohet të kenë ushtruar torturat më të rënda ndaj Karelit, ndërsa vetëm pak ditë më parë u publikuan dhe fotot dhe videot nga qelia në Nigritas, ku ndërroi jetë 42-vjeçari.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama