|
|
ia.com/reklama460.php");
?>
ia.com/reklama460.php");
?>
Janë vjedhur ikonat e ikonostasit të kishës
së Ungjillizimit në fshatin Kozare të Beratit. Ikona, e
grabitur së fundi, një vepër arti e jashtëzakonshme,
e shek XVII, paraqiste figurën e shenjtorit luftëtar Teodor
Kironi dhe mendohej të ishte pikturuar nga Nikolla i Onufrit
Apokalipsi i vlerave kulturore
Dr. Moikom Zeqo
Kam shkruar shpesh për grabitjen e vlerave kulturore ne Shqipëri
nga viti 1991 e deri më sot. Kam bërë disa apele publikë
për t’i dëgjuar shteti e qytetarët. Për fat
të keq apokalipsi i vlerave kulturore po vazhdon. Janë vjedhur
objekte arkeologjikë, ikona, vlera etnografike etj. Kanë marrë
një rrugë në shumicën e rasteve pa kthim. Edhe rikthimi
i disa objekteve te trafikuara në Greqi prej shtetit grek ka një
vlerë simbolike vërtet të gëzueshme, por vërtet
të pakët.
Para dy ditësh isha në Berat. Berati është një
metropol shqiptar i vlerave kulturore. Miqtë e mij beratas më
treguan se këto ditë po bliheshin për hiçgjë
nga një grup trafikuesish objekte etnografike, kostume, argjendarira,
libra të vjetër, madje dhe sarkofagë, madje edhe basene
guri të gdhendur.
Mbasi ripashë fondin e ikonave të Beratit, së bashku me
mikun tim, piktorin restaurator Agron Polovina ndala gjatë duke vështruar
një ikonë të dimensioneve të vogla që paraqiste
figurën e shenjtorit luftëtar Teodor Kironi. Qe një vepër
arti e jashtëzakonshme dhe i takonte shek.XVII. një figurë
të ngjashme ka afreskuar në kishën e Vllahernës edhe
piktori Nikolla, i biri i Onufrit në shek.XVI. Tipologjikisht, i
thashë Agronit, se kjo ikonë duhej t’i përkasë
penelit të Nikollës së Onufrit. Por gjatë bisedës
mësova edhe diçka të trishtueshme. Sapo kishte mbërritur
lajmi lidhur me disa persona të panjohur që kishin dëmtuar
dhe vjedhur ikonat e ikonostasit të kishës së Ungjillizimit
në fshatin Kozare të Beratit. Kjo grabitje më tronditi
jashtëzakonisht. Prandaj vendosa të shkruaj këtë shkrim,
por jo për të bërë një tautologi të apeleve
publikë.
Vjedhja e ikonostasit të Kishës së Kozarës, është
vazhdimësi grabitjesh që duhen ndalur përfundimisht.
Konkretisht mund të them se ikonostasi i kishës së Ungjillizimit
është një vepër arti i bërë më 1812.
U realizua në të njëjtën hapësirë kohë
dhe konceptesh me ikonostaset e Katedrales “Fjetja e Shën Mërisë”
e vitit 1807, e ateliesë së Stefan Barkës, amvonës,
po në këtë monument bërë më 1849 nga atelieja
e Naum Ngjelës si dhe ikonostaset e kishave Shën Maria e Mbreshtanit
dhe Shën Dhimitri i Drobonikut.
Këto vepra dhe monumente janë zbukuruar dhe realizuar në
kohën kur Mitropoliti i Beratit ka qenë “i gjithëhirshmi
Joasaf” nga katundi Bubullimë”.
Ikonostasi i Kozares është realizuar nga i biri i usta Naumit,
i quajtur Mandushi. Ky ikonostas është i gjithi në dru
arre dhe është veshur me patina ari. Më vonë janë
bërë disa ndërhyrje me bojë vaji të kaltër
dhe të kuqe. Ikonostasi është 10 m i gjerë dhe 5 i
lartë. Ai paraqitet me dëmtime dhe humbje të shumta. Grabitja
e fundit i takon datës 17 gusht 2003.
Nga ky ikonostas janë bërë këto grabitje:
Tri copë harqe dekorativë, të gdhendur në mënyrë
transparente që kanë qenë në pjesën e sipërme
duke mbyllur hapësirën mbi dyert anësore dhe mbi “Dyert
e Bukura” me përmasa 90 x 45 cm.
Shtatë copë panele dekorativë me përmasa 80 x 43 cm
të vendosura në pjesën e poshtme të ikonave të
mëdha, që plotësonin hapësirën nën to. Këto
elementë kryesorë të ikonostasit janë hequr duke zhvendosur
pjesët e tjera të ikonostasit dhe mbështetëset që
janë lehtësisht të lëvizshme.
Tashmë i gjithë ky material kryesor i ikonostasit është
vjedhur. Me të drejtë muzeumologët e Beratit kanë
përgatitur relacion për grabitjen dhe ruajnë edhe fotografitë
e pjesëve të grabitura.
Po kush e bëri këtë grabitje? Mos vallë vetëm
duhet të shkruajmë, vetëm të konstatojmë?
Di, që pranë policisë së shtetit është ngritur
organizmi i Interpolit. Çfarë veprimtarie ka ky interpol shqiptar?
Mendoj që ka ardhur koha që të ketë një veprim
të shumëfishtë e të dendur për të parandaluar
grabitjet. Në shumë lokale është bërë modë
që të ekspozohen dhe objekte të lashta, amfora, ikona,
si dhe objekte etnografike. Pronarët e këtyre lokaleve, kur
i pyet të thonë, se i kanë blerë. Ky është
një rezultat i trafikimit brenda për brenda Shqipërisë.
Është i domosdoshëm dokumentimi dhe verifikimi i këtyre
objekteve që janë nëpër këto lokale dhe duhet
deklaruar origjina e posedimit të tyre. Në këtë sens
ngre shqetësimin tim qytetar për t’u treguar të kujdesshëm
në ruajtjen e vlerave tona kulturore. Apokalipsi i këtyre vlerave
të parandalohet dhe të krijohet një disiplinë ligjore
për ruajtjen e pasurisë muzeologjike të Shqipërisë
dhe vendit tonë.
Shekulli
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
|
|
|