Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Rrëfen aktorja: “Me rolin e një nëne dhe vënien në skenë të dramës “Hijet”, do të mbyll karrierën time artistike”. I përgjigjet edhe pyetjeve të pyetësorit tonë.

Drita Pelingu: Lamtumirë karrierës artistike

Në moshën 77 -vjeçare, aktorja Pelingu vendos të ndahet nga skena si regjisore

Belina Budini

Emocionalisht të trazuar, në moshën 77 -vjeçare, aktoren me një karrierë 57 -vjeçare, Drita Pelingu, e gjen gjithnjë mes Teatrit Kombëtar dhe Akademisë së Arteve. Ndërsa përgatit lamtumirën e vet me skenën (rolin e fundit në teatër dhe vënien në skenë të një drame klasike), ajo vijon të japë leksione mjeshtërie aktoriale në Akademinë e Arteve, ku është rikthyer pas një shkëputje dyvjeçare. Nuk lë mangut asgjë në look-un e saj prej zonje të sofistikuar, por çantës së saj të dorës veç pasqyrës nuk i ndahet më as një kokërr e verdhë e vogël, Adorat për të kuruar sëmundjen. Në faza të ndryshme të jetës së saj pyetësorit tonë do t’i kishte dhënë të tjera përgjigje, ajo vetë e pranon këtë. Dikur tek një mashkull nuk vërente cilësitë që sheh tani, edhe të qeshurat nuk i kishte kaq të kursyera, heronjtë atëkohë, ndoshta, nuk ishin bërë ende telef, dhe sigurisht inventarin e pengjeve nuk e kishte përpiluar akoma. I vjen më tepër keq për ata artistë që i ka mbuluar pluhuri i harresës (ndër të cilët edhe bashkëshorti i saj, Hysen Pelingu, muzikant dhe artist i merituar). Karrierën e saj si aktore e ka nisur në 1946 në krah të bashkëshortit të vet. Dhe pritet ta mbyllë pas 57 vjetësh me vënien

në skenë të një pjese klasike brenda këtij viti. Lamtumira e saj artistike do të ketë emrin e “Hijes” së Ibsenit. Por nëse e nisi si aktore, Drita Pelingu do ta mbyllë karrierën si regjisore (ajo preferon të vetëquhet “vënëse në skenë”). Do të angazhojë në këtë pjesë aktorët më të mirë të Teatrit Kombëtar.

Drita Pelingu
Drita Pelingu

“Me këtë projekt të madh do ta mbyll karrierën artistike. Këtë vepër e kam ëndërruar dikur, dëshiroja të luaja në të, por nuk u vu kurrë në skenë. Para rreth gjashtë vjetësh e kam eksperimentuar vënien e saj në skenë me studentët e atij brezi në Akademinë e Arteve dhe është pritur mjaft mirë. Në lojën e aktorëve më të mirë aktualë, besoj se kjo pjesë do të jetë e suksesshme”, - shprehet aktorja. Ndërkaq gjithçka është gati. “Në gusht ose në shtator mund të nisim nga puna me aktorët” dhe shton se kjo do të jetë njëherazi edhe ndarja e saj me Akademinë. Ndërsa roli i saj i fundit (i parafundit si projekt) do të jetë i një nëne në Teatrin “Petro Marko” të Vlorës (qyteti i saj i origjinës) në pjesën “Jeta që të dhashë” e Pirandelos. Ndërsa pret financimin për vënien në skenë të “Hijet”, thotë se ka zgjedhur pikërisht këtë vepër për t’i vënë kapak karrierës së saj të gjatë artistike, sepse kjo është një pjesë e dashur për të dhe “i flet problemeve tona bashkëkohore. Nuk është aspak e vjetëruar”, - shprehet ajo. Ndoshta do t’i kthejë teatrit frymën klasike që i ka munguar për gjithë këto vite.

Gjendja shpirtërore për momentin?
E trazuar, e stresuar..
Kur ke qarë për herë të fundit dhe pse?
Kur u zgjova nga një ëndërr e bukur, sepse kam humbur shpresat të bëhet realitet.
Kur ke qeshur si e çmendur për herë të fundit?
Ajo e qeshur më ka tradhtuar, s’afrohet më tek unë...
A je e lumtur?
Kam çaste që e prek lumturinë. Ashtu flesh!
Për çfarë ankohesh më shumë kohët e fundit?
Në përgjithësi nuk ankohem...
Për çfarë shpenzon më shumë para?
Për gëzime apo probleme familjare.
Udhëheqësi yt shpirtëror?
Zoti. (shton se ka patur gjithnjë një komunikim vetjak me Zotin, komunikim jofetar)
Çfarë të ngushëllon kur je e trishtuar?
Puna, studentët, skena...
Si shan zakonisht?
Idiot! Palaço! Të marrtë e mira! Dembel! Etj.
Cili është mëkati që nuk do ta shkelje kurrë?
T’i bëja varrin shokut prapa kurrizit!
Si e përkufizon veten në dashuri?
E shpërndaj me të dy duart dhe nuk pres të më kthehet mirënjohje nga ana tjetër. Unë të dua pavarësisht nëse t’i ma shpërblen ose jo.
Çfarë ke më të shtrenjtë në jetë?
Fëmijët e mi.
Melodia që fërshëllen kur je në dush?
Melodinë që më relakson për momentin.
Çfarë nuk harron të marrësh asnjëherë me vete në çantë?
Adoratin (një ilaç) dhe pasqyrën që tashmë e urrej, por pa të s’rri dot...
Për çfarë arsyeje do ta braktisje Tiranën?
Po të më thërriste zëri i fëmijëve.
Çfarë ke në plan të parë në jetë?
Të lë pas gjurmët e punës dhe të dashurisë.
Çfarë urren më shumë?
Shtrembërimin e qëllimtë të së vërtetës.
Për çfarë të vjen më tepër keq?
Që burrin tim, mësuesin tim e mbuloi pluhuri i harresës ashtu si shumë artistë të tjerë që i përkasin kohës së pakryer të foljes JAM!
Cila është pika juaj më e fortë në karakter?
Nuk kam lejuar shëmtimin brenda vetvetes.
Po pika e dobët?
Fal shumë.
Çfarë do të ndryshoje fizikisht në veten tënde?
Me shkopin magjik? Mundësisht gjithçka, por të paktën flokët...
Një talent që të mungon?
Talenti për të mashtruar.
Gabimet që nuk i fal kurrë?
Gabimet i fal të gjitha. Sigurisht që më shqetësojnë, por i fal.
Motoja juaj e momentit?
Të përmbaj tekat e mia... për të mos dalë nga semafori!
Heronjtë tuaj aktualë?
Nuk kam heronj. Heronjtë janë bërë telef.
Cila është për ju fatkeqësia më e madhe?
Nga një deri në dhjetë, cila është nota që i vini vetes në profesion?
Preferoj të hesht.
Libri që mbani nën jastëk ose CD juaj e relaksit?
Këngët e bashkëshortit tim.
Nga se keni më tepër frikë?
Nga gjërat e paparashikuara.
Si duhet të jetë një mashkull, që t’ju pëlqejë?
I zgjuar. Me botë shpirtërore. I kulturuar. (flet për mashkullin siç e pëlqen sot se dikur thotë se s’do mend që duhej të kishte edhe fizik të bukur)
Mania juaj?
Parfumi.
Çfarë ju ka mbetur ndonjë gjë peng ?
O, jo një, por shumë... shumë pengje!

ROLET
Nga Budja tek zonja Prostitutë

Ka luajtur edhe fshatarkën e ndrojtur, edhe borgjeskën e paturpshme. Ka interpretuar me të njëjtën forcë një zonjë allashqiptare si Budja duke u shfaqur katërcipërisht ndryshe nën lëkurën e Dejamirës tek komedia “Mirandolina” e Goldonit. Ndryshe tek “I Çuditshmi”, surprizuese tek “Arturo Ui” në rolin e Beti Dellfitit, e gjithaq e ndryshme tek “Njeriu me top” në rolin e Hallës. Tek drama e “Arturo Ui” ka qenë në rolin e Betit. Ka luajtur edhe Gertrudën, Gonerilën tek “Mbreti Lir”. “Profesioni më i vjetër”, paçka se në rolin e një prostitute, i jep asaj hapësirën e interpretimit të një zonje të vërtetë, të sofistikuar, me qerpikët tepër të gjatë dhe e zhveshur nga bizhutë e rëndomta e pa shije. Përgjithësisht ka luajtur role të trazuar, një pjesë e mirë nga autorët klasikë si Shekspiri, Lope De Bega, Shiler, Molier etj.

Shekulli

 


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa