|
|
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
Aktori feston përvjetorin e lindjes sot në mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar. Retrospektiva e karrierës së Kadri Roshit, i cili kulmin e vet e pati në kinematografi në mesin e viteve ‘80
Kadri Roshi në filmin Gjeneral Gramafoni |
Kadri Roshi, në vitin e tetëdhjetë
Pas anoreksisë dhe lodhjes trupore, në skenën e Teatrit Kombëtar. Kadri Roshi nuk vjen për të rimarrë historinë e roleve që e ndërpreu me Ezopin në mesin e viteve ‘90-të, aty tek “Dhelpra dhe rrushtë”, por për të festuar tetëdhjetëvjetorin e lindjes.
Sot në mbrëmje aktori shoqërohet me retrospektivën kinematografike që do të shfaqet në ekranin e Teatrit. Drejtori i TK-së, Kiço Londo, ka bërë të ditur se ky takim me Kadri Roshin është menduar si një bashkëbisedim i lirë me të pranishmit artistë rreth krijimtarisë së tij në kinema dhe teatër. “Eshtë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo na gëzon. Do ta kemi mes nesh për të festuar 80-vjetorin e lindjes”,- thotë Londo. Aktori i njohur ka kaluar një gjëndje të rënduar shëndetësore këtë vjeshtë dhe nga shtrati i pavionit në spitalin ushtarak do të deklaronte se nuk shpresonte të ngjitej më në skenë. Kur gjendja e tij nuk jepte asnjë shenjë përmirësimi, Ministria e Shëndetësisë mori përsipër kurimin e aktorit në një nga klinikat e Ankarasë, në Turqi. “Syri magjik”, filmi i fundit regjisorit Kujtim Çashku e ktheu sërish në sheshxhirim Roshin, por për këtë fakt nuk do të jepej asnjë koment.
Karriera e tij pati një ndërpreje të njëkohshme si në teatër dhe në kinema, edhe pse deri vonë ka qenë një artist i kërkuar nga kineastët. Krijimtaria e tij dallohet për natyrshmërinë që iu ka dhënë roleve dramatikë, një dimension që shpesh është teatralizuar, skematizuar dhe artificializuar nga artistët shqiptarë, qoftë në kinema, qoftë në teatër. I lindur në Ballsh në vitin 1924, nga prindër gjirokastritë, formimi i Roshit nuk vjen nga ndonjë akademi aktrimi, apo manteli i mjeshtërisë së aktrimit rus të Stanislavkit, nëpër të cilin kanë kaluar breza aktorësh. Skena e Teatrit Popullor, ku për herë të parë në vitin 1945 dhe sheshxhirimet ishin e vetmja shkollë e tij.
Dhe sot në moshën 80- vjeçare, bëhet më shumë se gjysmëshekulli nga dalja në skenë. Në historinë e kinemasë janë 30 role që mbajnë firmën e tij, ndërsa në teatër rreth 100, nga cilët mjafton të kujtojmë interpretimet tek “Halili dhe Hajria”, “Revizori”, “Familja e peshkatarit”, “Arturo Ui”, “Kohë e çmendur”, “Dhelpra dhe rrushtë” ku roli i paharruar i Ezopit përkrah aktores Luiza Xhuvani, është nga të fundmit në skenën e teatrit. Nuk mund të mohosh faktin se portretin e tij e fiksoi në kujtesën e publikut më tepër se teatri, kinemaja, nga arkivi i së cilës do të shfaqen disa fragmente të zgjedhur, role ku Roshi duket se interpreton me lëkurën e vet më shumë se sa me atë të personazhit. Kujtojmë filmat “Lulëkuqe mbi mure”. Për interpretimin në rolin e kujdestarit ai vlerësohet në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar në vitin 1977, me çmimin special të aktorit më të mirë, bashkë me Timo Fllokon e Agim Qirjaqin. Këtë çmim e merr sërish më 1981 për rolin e mësuesit patriot në filmin “Liri a vdekje”, dhe dy vjet më pas, për interpretimin tek “Era e ngrohtë e thellësive”. Me protagonizmin tek “Gjeneral gramafoni”, “Këshilltarët”, “Njeriu me top”, mund të thuhet se mesi i viteve ‘80-të prek zenitin e karrierës së aktorit.
Në një nga ato ditët e shëndetit të përkeqësuar ai do deklaronte se nga intepretimi tek filmi i regjisorit Viktor Gjika, “Njeriu me top” ai realizoi rolin e karrierës: “Plaku Mere, është kurora e roleve të mi. Atë e kam ndërtuar vetë nga e para, si kam ditur.”
Në një kohë kur gjithë kinematë ishin shkatërruar dhe frynte era e euforisë së mirëqënies jetëshkurtër nga firmat piramidale, Kadri Roshi merr Kupën e Karrierës në Festivalin e Dhjetë të Filmit Shqiptar, në vitin 1995. Kishte interpretuar në një nga rolet e fundit të karrierës kinematografike tek “Kolonel Bunker”.
Roshi është “Nder i Kombit” prej vitit 1998, një titull dhënë nga Presidenti i Republikës.
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
|
|
|