Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Pas një hemorragjie cerebrale dhe një gjendjeje kome 2- mujore, kthehet në atdhe për të kaluar ditët e fundit, Odhise Grillo. Udhëtimi nga Nju Jorku, për në Tiranë i shkrimtarit, do të mundësohet me ndihmën e qeverisë shqiptare, e cila akordoi një shumë prej 10 mijë dollarësh

Fluturimi i pafat i Odhise Grillos

Alma Mile
Odhise GrilloAi do të kthehet sërish. Eshtë një kthim i trishtë, i heshtur si një mëngjes shiu. I ndodhur mes dy botësh, Odhise Grillo, shkrimtari i dashur i fëmijëve, do të kthehet në dheun e tij. Kanë kaluar gati 2 muaj e gjysmë, kur për shkak të një goditjeje cerebrale, ai u shtrua në një nga spitalet e Nju Jorkut, ku kishte shkuar për të takuar të bijën dhe për të kaluar disa ditë pushimi. Megjithë përkujdesjen e mjekëve amerikanë, për ta risjellë atë në jetë, nuk qe e thënë. Shkrimtari 71 vjeçar, për mëse 2 muaj, ka mbetur peng në kufirin mes jetës dhe vdekjes. Në një gjendje të tillë, të afërmit e panë të udhës, ta risillnin në shtëpinë e tij, për të kaluar ditët e fundit. “Mjekët ia kanë prerë të gjitha shpresat, - thotë i biri, Kosta, -kështu që menduam që më e mira është që ta sillnim në Tiranë, ku të prehet në paqe, këto ditë të fundit në shtëpinë e tij, pranë të afërmve dhe miqve”. Kthimi i tij në Tiranë, do të bëhet i mundur pas 10 apo 15 ditëve, falë ndërhyrjes së qeverisë shqiptare, e cila ka akorduar për këtë rast një shumë prej 10 mijë dollarësh. Pak kohë më parë, një grup artistësh dhe shkrimtarësh, prej Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, miq të Odhisesë, kanë depozituar një kërkesë pranë Kryeministrisë, ku i kërkohej ndihmë për të organizuar kthimin e tij në atdhe. Duke qenë se bëhet fjalë për një rast, i cili kërkon një trajtim dhe kujdes të veçantë. Udhëtimi do të jetë i kushtueshëm, kështu që ndihma financiare nga ana e qeverisë shqiptare, ka qenë e domosdoshme. Kthimi nga Nju Jorku, do të bëhet me anën e një avioni të posaçëm dhe me një personel mjekësor, që do të kujdesen për shkrimtarin gjatë udhës së gjatë. Siç mësohet prej njërit prej miqve dhe firmëtarëve të kërkesës, shkrimtarit dhe përkthyesit, Dionis Bubani, tashmë, nga ana e Kryeministrit Nano, është firmosur vendimi, për akordimin e një fondi prej 10 mijë dollarësh. Pas procedurave të fundit, pritet që shumë shpejt Grillo të kthehet në shtëpinë e tij. Një gjë të tillë e konfirmon edhe Kosta Grillo, i cili njëkohësisht shpreh edhe falenderimin në emër të familjes, për të gjithë miqtë, por edhe qeverinë, që iu ndodhën pranë në këto momente të vështira. Disa muaj më parë Odhise Grillo, mbushi 71 vjeç dhe ndonëse në karrierën e tij krijuese numëron rreth 120 tituj librash, kryesisht për fëmijë, mendonte se kishte ende shumë për të bërë dhe shumë ide kishte në mendje. Pas 2 javësh, një fluturim i pafat do ta kthejë në Tiranë, ku për herë të fundit, trupin t’ia flladitë aroma e dheut të vendit të tij.

Një gjendje pakthim
Gati tre muaj më parë, një hemorragji cerebrale, i dha një goditje të rëndë trupit të pakët të Odhise Grillos, ndërsa ndodhej në Nju Jork tek vajza e tij Ani. Tashmë gjendja është e pashpresë dhe ai do të sillet në Shqipëri, për të kaluar orët e fundit, pranë të afërmëve. Ishte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, e cila pasi kishte marrë lajmin e sëmundjes së shkrimtarit, prej të bijës, dha lajmin për mediat shqiptare. Si rrjedhojë e një hemorragjie cerebrale të përsëritur, Odhise Grillo është shtruar në një nga spitalet më të mira të Nju Jorkut. Pas dhjetë ditësh, megjithë kujdesin e një stafi mjekësor të specializuar, gjendja e tij shëndetësore, nuk kishte pësuar asnjë përmirësim dhe ishte tepër kritike. Sipas informacionit të marrë nga e bija Ani, në gjendje jo të mirë shëndetësore, ndodhej dhe e shoqja e shkrimtarit, Vangjeloja, e cila ishte shtruar në të njëjtin spital dhe ndodhej nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.
Tashmë që kanë kaluar gati tre muaj nga goditja cerebrale, gjendja Grillos, është e pashpresë. I biri, Kosta, thotë se mjekët ia kanë hequr të gjitha shpresat, pasi gjendja e tij është e pakthyeshme. Prej dy muajsh ai ndodhet në koma dhe nuk shihen mundësi për të dalë nga kjo gjendje.

Grillo mes 120 titujsh
“Mjeshtri i Madh”, autori i mbi 120 titujve, Odhise Grillo ka lindur në Vuno të Himarës, në vitin 1933. Shkollën fillore e kreu në fshat, ndërsa ciklin e lartë të shkollës shtatëvjeçare e vazhdoi në Tiranë. Po në kryeqytet mbaroi shkollën e mesme, në gjimnazin "Qemal Stafa", dhe studimet e larta për Gjuhë - Letërsi dhe për gazetari në Fakultetin Histori-Filologji dhe në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike. Me mbarimin e studimeve punoi për disa vjet në revistën "Hosteni" dhe më pas në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri", në redaksinë e letërsisë për fëmijë, ku punoi gjersa doli në pension. Së fundi punoi në Shtëpinë Botuese "Toena", si shef i redaksisë për fëmijë dhe të rinj. Grillo është redaktor i mbi 1500 librave të autorëve të ndryshëm. Përveç letërsisë është marrë edhe me publicistikë dhe ka botuar shumë shkrime në organe për të rritur dhe fëmijë si: "Drita", "Nëntori", "Ylli", "Zëri i Rinisë", "Pionieri", "Fatosi", "Yllkat", "Bota e fëmijëve" etj. Ai drejtoi për më shumë se dhjetë vjet Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, në fillim si nënkryetar, pastaj për disa vjet kryetar e së fundi si president i kësaj shoqate. Po kështu, ka punuar pedagog i jashtëm, i letërsisë për fëmijë në Universitetin e Tiranës dhe të Elbasanit. Odhise Grillo ka qenë anëtar i disa bordeve të revistave që dalin në Shqipëri, në Kosovë dhe në Shkup e Tetovë. Odhise Grillo mban titullin "Profesor" dhe Mjeshtër i madh". Është Laureat i disa Çmimeve të Republikës, si dhe fitues i dhjetëra çmimeve të të gjitha niveleve në konkurset e ndryshme letrare që janë organizuar. Vjershën e parë e ka botuar në vitin 1947, ndërsa librin e parë “Shtatë ngjyrat”, në vitin 1954. Në jetën e gjatë krijuese ai numëron qindra tituj për fëmijë, mes të cilëve, të paharrueshëm për fëmijë janë “Gabimet e Veshkaushit”, “Aventurat e maçokut”, “Pesëqind grosh”, “Një njeri bëhet majmun”, “Qau e qeshi Pallaveshi”, “Kur njerëzit kishin bisht”, “Një zog këndon e qan”, “ Vuuu gënjeshtra, gërrr paratë”, “Tradhti në sarajet Topiase”, “Hajduti me çizme”, “Dy gomarë këngëtarë”, “Mollët magjike”, etj. Një numër i madh titujsh të tij është botuar në Kosovë dhe Maqedoni, ndërkohë që shumë prej tyre janë përkthyer edhe në greqisht, maqedonisht, italisht, madje dhe arabisht.

 


Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa