|
|
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
Një “T” mes yjeve
nga Sarajeva
Alma Mile
“Tinka”, zgjimi i aktores së skenës
e ekranit në ditëlindjen e saj. Regjisori Esat Teliti, rrëfen
jetën e Tinka Kurtit, prej ikjes nga Sarajeva në moshën
5- vjeçare, tek roli i fundit në moshën 70 vjeç
Një
nga një i shfaqen imazhet e fëmijërisë. Ja ky park
që kishte përshkuar duke shtrënguar dorën e nënës,
ja kjo rrugë e kalldrëmt, ky qiell… Por portën, nga
doli kur ishte vetëm 5 vjeç nuk arrin ta kujtojë. Ndoshta
nuk guxon të trokasë atje, ku për herë të parë
ndjeu jetën. Sarajevë. Tinka Kurti nuk e mendonte se do të
kthehej më atje dhe ndërsa luhatet rrugëve të atij
qyteti, pas plot 65 vjetësh, i duket si një ëndërr.
Ishte pikërisht aty, në një nga ato dritaret e shtëpive
të kryeqytetit boshnjak, kur hungarezja Elizabetë, nëna
e saj, ndërsa brenda trupit ndiente të jetonte një jetë
tjetër, dallon mes yjesh një gërmë “T”.
Dhe vendosi ta quante Tinka, pa ditur se ajo vërtet do të renditej
një ditë mes yjesh. Këto kujtime të vagullta të
fëmijërisë, copëza albumesh, fotografi, kilometra
celuloid, e shumë e shumë copëza jete e përjetime
të 71-vjeçares, regjisori Esat Teliti, i ka mbledhur në
një dokumentar, të cilin ia dhuroi vetëm 2 ditë para
ditëlindjes së saj. Mbrëmë në sallën e Kinema
“Milenium 2”, u shfaq dokumentari “Tinka”. Për
asnjë nga filmat më të suksesshëm shfaqur ndonjëherë
në atë sallë, nuk ka pasur aq shumë njerëz. Miq,
të afërm, njerëz të artit, kishin ardhur për
të zbuluar ndoshta diçka më shumë nga jeta e “Artistes
së Popullit” dhe për t’i shtrënguar dorën,
asaj “shqiptareje të madhe”, siç do të thoshte
për të, aktori Kadri Roshi. “Nuk ma merrte kurrë
mendja që do të kishin ardhur kaq shumë njerëz dhe
që ky dokumentar do të pritej kaq mirë. Por për një
gjë kam qenë gjithmonë i sigurtë, Tinka Kurti është
një aktore e madhe, aq sa unë nuk di me çfarë ta
krahasoj. Por kënaqësia ime është që arrita të
realizoj një dokumentar me gjalljen e aktores, pasi fatkeqësisht
ne kujtohemi për ta, vetëm kur nuk i kemi më mes nesh.
Dhe pastaj fillojmë e gërmojmë nëpër arkiva”,
- thotë regjisori Esat Teliti, duke shtuar se njerëz të
tillë e meritojnë të nderohen, jo vetëm Tinka Kurti,
por edhe aktorë të tjerë, të cilët me të
vërtetë kanë lënë gjurmë në artin dhe
kulturën shqiptare. Në një orë e gjysmë dokumentar,
regjisori Teliti, është munduar të përfshijë
sa më shumë detaje nga jeta e aktores, që kur ajo ishte
një vajzë e vogël, e cila u nis me një çantë
shkolle për në Politeknikumin e Tiranës, por që rastësisht
përfundoi në degën e dramës, në lice, deri sot,
kur thinjat i kanë mbuluar flokët dhe ka mall për shtëpinë
e lindjes në Shkodër locen, për kalanë e Rozafës,
kur përlotet për pengjet që i ka lënë pas në
jetë. Ndoshta për herë të parë vijnë për
publikun imazhe të filmave dhe dramave ku interpreton aktorja. Rrëfimi
nis me “Dasmën shkodrane”, ku 16-vjeçarja do gjendej
për herë të parë në një skenë teatri.
“Më kishin zgjedhur për të kënduar në kor,
por kur regjisori më pa duke interpretuar, thotë : “Kemi
ngatërruar rolet, ajo duhet të bëhet aktore”. Dhe
në të vërtetë kështu ndodhi”, - tregon
71-vjeçarja. Më pas vijuan role të tjera që do të
evidentonin një aktore të madhe.

Tinka Kurti në
"Kur Shpirti Ndërron" |
Përveç rrëfimeve të vetë aktores, materialeve
filmike, të nxjerra nga arkivat e Radio Televizionit Shqiptar, apo
nga arkivat e AlbaFilmit, në dokumentar nuk kanë munguar dëshmitë
e regjisorëve, aktorëve, skenaristëve, që kanë
pasur nderin të punojnë me të, jo vetëm bashkëkohës,
por edhe më të rinjtë, të cilët kanë pasur
ç’të mësojnë prej saj. Kadri Roshi, Margarita
Xhepa, Violeta Manushi, Serafin Fanku, Kristaq Dhamo, Ylli Pepo, Rajmonda
Bulku, Kiço Londo, e sa të tjerë, kishin aq shumë
për të thënë për shkodranen energjike, por që
gjithsesi me pak fjalë do të përkufizohej “e madhe”.
“Tinka Kurti është një oqean, sa që duhej të
ishe i përgatitur për të punuar me të”, - do
shprehej regjisori Kristaq Dhamo, i cili i ruan edhe sot të freskëta
kujtimet e mbetura prej filmit “Tana”.
“Për këtë dokumentar kam kohë që punoj.
Kam punuar paralelisht me punën e përditshme, por kryesorja
është që këtë film e kam bërë me dashuri”,
- tregon Teliti, i cili prej kohës kur luante rolin e njërit
prej djemve të Pashakos në filmin “Yjet e netëve
të gjata”, e ndien veten ende bir të nënës së
sa e sa roleve, Tinka Kurtit.
Një gjysmëshekulli
Kur ka interpretuar për herë të parë në skenë,
Tinka Kurti ishte veç 16 vjeç. Qysh atëherë deri
më sot, në fondin e karrierës së saj artistike, numërohen
320 role, shumica në dramë, por pa lënë pas edhe filmin,
ku ajo ka realizuar karaktere të papërsëritshme. Karrierën
e saj si aktore e nisi në Shkodër ku për herë të
parë u ngjit në skenë. Roli i saj i vërtetë ishte
në dramën “Fejesa” e Çehovit, i cili do të
pasohej me dhjetëra të tjerë, si “Fisheku në
pajë”, Toka jonë”, ku ka interpretuar rolin e Files
dhe më pas të Lokes, etj. Vetëm pas tre muajsh shkollë
në degën e dramës në liceun e Tiranës, ajo, së
bashku me 7-8 shokë të tjerë do të përjashtohej
nga shkolla, për shfaqje liberale. “Teatrin e mora tmerr”,
- tregon ajo. Nuk e mori asnjëherë diplomën e aktrimit,
por talenti i saj nuk kishte nevojë për diplomë. Shumë
shpejt regjisorët zbuluan tek ajo jo vetëm talentin, por edhe
pasionin e një aktoreje të vërtetë. “Më
ndodhte që brenda një viti të realizoja 4 role. Më
duhej të shkoja në Shkodra, në Vig, ku xhiroheshin “5
heronjtë”, që aty në një vend tjetër. Isha
e lodhur, e sfilitur, por shumë e lumtur”, - thotë aktorja.
Rolet, do të pasonin njëri-tjetrin, nga skena në sheshxhirim.
Disa nga rolet e saj më të arrira janë të Lokes tek
“Toka jonë”, nënë Pashakoja, tek “Yjet
e netëve të gjata”, nëna tek “Gjaku i arbrit”,
etj.
Puthja e parë e “Tanës”
Ajo e mban mend fare mirë dhe mund ta gjejë menjëherë
pemën, ku partneri i saj Naim Frashëri, ishte mbështetur
dhe ajo i dha puthjen e parë në historinë e filmit shqiptar.
Qëllon pemën. “Ja, kjo rron, kurse njerëzit kanë
ikur”. Gjithsesi e lë trishtimin pas dhe plot humor, tregon
skenat e xhirimit të filmit “Tana”. “Kemi realizuar
29 dubla, për atë puthje, të cilën e hoqën më
pas. Por nuk e kuptoj, kur jepet sot, përse nuk e rishfaqin atë
puthje.”, - thotë aktorja. Dhe kaq mjafton që miqtë
e saj të fillojnë e të bëjnë shaka me Tinkën.
“Po ty të pëlqente vetë si duket, që ta bëje
29 herë atë dubël…”. Dhe ajo me atë humorin
tipik shkodran ia kthen : “A Naimi.., sa i mirë që ka
qenë!”. Ndërsa regjisori i filmit Kristaq Dhamo, kujton
se më në siklet ishin ndierë ata për atë puthje,
se sa Tinka. “Ne e kemi menduar kështu këtë pjesë.
Ti nëse nuk mundesh, ne mund ta heqim, por ajo përgjigjet: Unë
jam aktore”. Kjo ka qenë historia e puthjes së parë
në kinematografinë shqiptare, të cilën Tinka Kurti
e kujton si një nga momentet më të bukura të jetës
së saj si aktore.
Shekulli
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
|
|
|