|
|
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
Në librari, volumi i tretë i “Përrallave
Shqiptare”. Si u mblodhën dhe u ripërpunuan pas gati 50
vjetësh përrallat shqiptare nga toskërishtja, gegërishtja
dhe dialekti kosovar
Na ishte një herë një botë me përralla!
Virgjil Muçi rrëfen udhëtimin
e tij 10 -vjeçar në planetin fantastik të përrallave
shqiptare
Belina Budini
TIRANË
– Ishte edhe nuk ishte... Ishte ç’na ishte një
sahan me qifte, qenka ç’na qenka një sahan me çemka...
Gjyshërit kështu na i kanë pas rrëfyer përrallat,
duke bërë sefte me këto fjalë. Gjithnjë e më
të paktë janë gjyshërit që ende u dëftojnë
përralla nipërve, ndërsa këta përrallëzën
e kanë zëvendësuar me Nintendo. “Përrallat janë
shndërruar në një botë të bjerrun”. Ky
është konkluzioni i Virgjil Muçit dhe arsyeja për
të cilën ai ka vendosur ta sjellë përrallën shqiptare
në aktualitet.
“Qe e mos na qe... na ishte njëherë... Qenka që mos
na qoftë... Ishte mos na ishte...Kishte pas qenë... Qenkërke
mos na qenkërke një herë e një kohë...”
Kështu nisin edhe përrallat e rrëfyera nga Virgjil Muçi
njëlloj si ato të rrëfyera në gjuhën shqipe njëmijë
ose dymijë vjet më parë. Asgjë nuk ka prekur rishkruesi
i këtyre rrëfenjave nga rrashku i përrallave origjinale.
Megjithatë, ato nuk kanë mbetur ashtu siç kanë pas
qenë vjelë nga goja e popullit. Që prej dhjetë vjetësh,
Virgjil Muçi po merret me përzgjedhjen dhe ripërpunimin
e tyre dhe sapo e ka mbyllur ciklin e përrallave shqiptare, libri
i katërt dhe i fundit i të cilit ende nuk është botuar,
ndërsa i tretë sapo është shfaqur në stendat
e librarive, botuar nga “Korbi”. I pyetur nga “Shekulli”
për mënyrën e përpunimit të këtyre përrallave,
rrëfimtari shpjegon se i pari është procesi i përzgjedhjes.
“Një përrallë shpesh gjendet në katër a
pesë variante, ndër to unë jam përpjekur të gjej
përrallën mëmë”, - shpjegon Muçi, duke
shtuar se ndërhyrja tjetër e tij është thuajse “kirurgjikale”
në kuptimin që merret me pastrimin e rrëfenjës së
moçme nga barbarizmat, serbizmat, greqizmat, turqizmat etj. si
edhe nga shumë anakronizma. “Megjithatë bëj shumë
kujdes për të mos prekur sintaksën, rrashkun e përrallës.
Duhet ruajtur natyra e tyre. Në përgjithësi, për shembull,
përrallat e veriut kanë natyrë sintetike dhe ashtu mbeten
edhe pas ritregimit tim, ndërsa përrallat e jugut janë
më deskriptive e të gjera. Ndërhyrja ime nuk ua heq atyre
sharmin”, - shpjegon ritreguesi. Më shumë punë ka
kërkuar ripunimi i përrallave kosovare, në një dialekt
të vështirë e të lodhshëm siç thotë
Virgjil Muçi. Përralla për të është një
qerthull magjepës nga i cili e ka të vështirë të
dalë. Që në krye të herës e ka nisur me përralla.
“Shpatat nuk u ndryshkën”, “Si u bë kampione
bretkoca Kuak”, “Rojtari i pyllit”, janë disa nga
librat e parë të krijimtarisë së Virgjil Muçit
dhe të gjithë libra me përralla. Ndërsa së fundmi
qe Italo Calvino që i frymëzoi nismën e katër vëllimeve
me përralla shqiptare, ashtu siç pati bërë edhe
autori i famshëm i “Komikave Kozmike” me përrallat
e vendit të vet. As Italo Calvino e as Virgjil Muçi nuk kanë
marrë përsipër vjeljen e përrallave nga gojët
e popullit. Burimi i tyre, lënda që ata kanë punuar, ka
qenë folklori. Bibliografia që ka shfrytëzuar Muçi
nis me katër vëllimet e Folklorit Shqiptar ose “Proza
Popullore”, botuar në 1963 dhe 1966 dhe të paribotuara
më vonë. Por nuk mbarojnë këtu librat që ka shfrytëzuar
autori për katër vëllimet e ripunuara të “Përrallave
Shqiptare”, ndër të cilët dy të parat titullohen
“Përralla shqiptare për 100+ 1 natë” në
volumin një dhe dy, ndërsa i treti thjesht “Përralla
Shqiptare”. “Prrallat Kombtare” të botuara në
Shkodër më 1942 nga P.Donat Kurti, në Vjenë nga Thimi
Mitko më 1924, Spiro Dine, në Sofie më 1908, Stavro Frashëri,
në Durrës më 1936, “Visaret e Kombit”, vëllimi
i 1939, “Përrallat e Institutit Albanalogjik të Prishtinës”
të 1979, “Prozë
Popullore nga Drenica” nga Anton Çetta, nga C. Tagliavini,
“L’Abanese Di Dalamacia”, janë disa nga librat
jo edhe të shumtë me përralla shqiptare që ka shfrytëzuar
autori. A janë vërtet shqiptare përrallat e treguara në
këto vëllime? Autori thotë me siguri që jo, por edhe
me bindje që po. “Janë përralla të treguara
në gjuhën shqipe. Toponimia është shqiptare. Gjenia
e rrëfimtarëve qëndron në atë që ata i kanë
veshur përrallës petk lokal. Por në fund të fundit,
përralla është një memorie globale, planetare. Do
ta krahasoja përrallën me një lumë të nëndheshëm
nafte që i prek të gjithë vendet ose me polenin e luleve
që mbartet gjithandej”. Vetë Virgjil Muçit i pëlqejnë
fort përrallat, aq më tepër që siç shprehet
ai me keqardhje, gjyshërit nuk i kanë rrëfyer përralla.
Më së shumti thotë se ka për zemër përrallat
me humor, grotesket dhe ato me fantazi të harbuar. Të tjera
i pëlqejnë për frymën moderne. “Çmoj
edhe përrallat që kanë në vetvete farën e një
tragjizmi tepër të fortë, gati-gati shekspiriane. Dhe nuk
është çudi, përralla “Tre bijat e Mbretit”
në volumin e fundit të “Përrallave Shqiptare”
të kujton vetë ato të përshkruarat nga Shekspiri në
veprën e tij “Mbreti Lir”. Pas këtij udhëtimi
të gjatë në botën e përrallave shqiptare, Virgjil
Muçi është i bindur se përrallat janë një
lëndë e pashterrshme, që mund të ushqejë krijimtarinë
e gjithë shkrimtarëve. Ai përmend Kadarenë si eksploruesin
më të shkëlqyer të folkloristikës shqiptare.
Që prej 1996 në qarkullim, vëllimet e përrallave shqiptare
vazhdojnë të shiten shumë dhe ndaj tyre lexuesi ka treguar
shumë interes. Një pjesë e mirë e tirazhit është
tërhequr nga shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit
për fëmijët e tyre. Përrallëza atje, shëndeti
te ne. Përrallëza në lesh, shëndeti prej nesh. As
përrallëzë ju rrëfeva se pa dashka ju gënjeva.
Përralla në lesh, e mira prej nesh, Përralla në vargu,
e mira në ty e në mu. As atje qeshë, as drejt dëftova,
hipa në shkallë e firova. Përrallëza u mbarua, ai
shkoi mirë, po edhe neve do të shkojmë mirë e më
mirë.
Ky
libër do jetë së shpejti në
Dyqanin Virtual Shqiptar
Marrë nga Shekulli
include ("http://www.shqiperia.com/reklama460.php");
?>
|
|
|