|
|
Çfarë
programesh do të kenë televizionet për tre netët e
Vitit të Ri? Televizioni Shqiptar, sërish vë humorin në
qendër të programeve të tij
Viti i Ri , ekran i mbushur me humor
Admirina Peçi
Humori, filmat premierë dhe transmetimet e drejtpërdrejta do
të jenë në qendër të programeve që do të
shfaqen në ekranet e televizioneve kryesore në Shqipëri.
Si për çdo vit, televizioni Publik Shqiptar e ka përcaktuar
pikën e fortë të programit të tij. Ka zgjedhur sërish
humorin, me humoristët më të mirë në të
gjithë vendin për të mbushur minutat më të ndjekura
në ndërrimin e viteve. Prej më shumë se dy muajve,
stafi i këtij televizioni ka nisur përgatitjet për këto
programe. Skenaristi Vangjel Kozma, regjisori Ilir Bega, skenaristi Leonard
Gjata, koreografi Arjan Sukniqi, drejtori i fotografisë Valter Qarri,
udhëheqësi artistik Ëngjëll Ndocaj dhe drejtori i
këtij programi, Ferdinand Samarxhi, kanë caktuar më së
fundi kinokomeditë më të zgjedhura, këngëtarët
që do të përshëndesin në këtë program
të madh, filmat premierë që do të shfaqen në
tre netët e Vitit të Ri, e paralelisht me këtë kanë
përgatitur një program të veçantë edhe për
krishtlindjet.
Nga studiot e TVSH tek humori i rretheve
Programi i madh i natës së ndërrimit të viteve, është
projektuar ndryshe nga vitet e tjera. I gjithë programi është
menduar si një komedi e madhe, e cila në brendësi të
saj ka shumë komedi të vogla. Të ftuara speciale për
këtë program janë të mirënjohurat motrat Juli
dhe Rita Ndoci, të cilat vijnë enkas nga Gjermania për
të qenë protagoniste të këtij programi të madh
të Vitit të Ri. Të dyja motrat Ndoci, së bashku edhe
me humoristë të tjerë si Fadil Hasa, Aleko Prodani, etj,
do ta kalojnë humorin nga studiot e TVSH-së, drejt e nëpër
rrethe, atje ku janë xhiruar shumë kinokomedi nga estradat e
rretheve. Siç pohon Samarxhi, këtë vit teleshikuesit
do të ndiejnë nga afër humorin e madh të artistivëve
shkodranë. Sipas tij, humoristët e Shkodrës do të
jenë në qendër të këtij programi me materialin
e tyre “Dhëndurët”, i shkruar nga Besnik Çinari,
e ku bëhet fjalë për dy vajza shqiptare që janë
martuar me dy burra të huaj, një italian dhe një arab.
Me plot humor dhe surpriza do të shfaqen në këtë program
edhe humoristët korçarë me pjesët “Pronat”,
“Në spital”, “Dyqani”, etj, ku aktorë
të njohur si Aleko Prodani etj do të sjellin, veç problemeve
dhe plagëve shoqërore, edhe humorin e tyre.
Aktorët e Durrësit janë prezentë në këtë
program me mjaft materiale si “Dogana”, “Pleqtë”,
etj. Por veç këtyre numrave të humorit, kjo estradë
sjellë edhe njëherë në këto komedi humorin e
aktorit Fadil Hasa. Ndërsa aktorët e Fierit do të paraqiten
në këtë program me skeçin komedi “Mbledhja
e këshillit”. Po ashtu me një numër mjaft të
veçantë humoristik do të prezantohen edhe aktorët
e Estradës së Tiranës, me materialin e tyre “Nëna
dhe fëmija”. Parodistët e Vlorë për këtë
vit kanë qëmtuar probleme dhe fenomene të reja nga qyteti
i tyre, të cilat do t’i prezantojnë me meloditë e
tyre të regjistruara nga kompozitori Edmond Zhulali. Por ky program
që është ideuar për mëse tre orë do të
ketë në minutat e tij edhe mbi 25 këngëtarë të
muzikës së lehtë dhe popullore të cilët do të
sjellin materiale të zgjedhura nga krijimtaria e tyre. Ndërsa
festa e madhe në sheshin e kryeqytetit që është një
traditë e përvitshme, do të përcillet drejtpërdrejt
nga televizioni Shqiptar, i cili do të instalojë kamerat dhe
autobusin e tij në këtë shesh.
Të tjera kinokomedi…
Sipas drejtorit të programacionit, Ferdinand Samarxhi,jashtë
këtyre tre orëve program të posaçëm janë
përgatitur edhe një varg komedish të tjera, filma premierë,
dhe lidhje të drejtpërdrejta. Kështu filmi “Ç’u
nise nga Drashovica” me skenar të Vangjel Kozmait dhe regji
të Ilir Begës, është bërë gati për
transmetim. Po ashtu edhe skenaristi Leonard Gjata po përfundon dy
kinokomedi të përgatitura me aktorë dhe studentë të
Akademisë së Arteve, të cilat do të jepen në
një prej netëve të Vitit të Ri. Por sipas drejtorit
të këtij programi, Ferdinand Samarxhi, edhe regjisori Arjan
Çuliqi po përgatit një film tjetër humoristik për
natën e Vitit të Ri. E veç këtyre materialeve TVSH
ka filmuar edhe “Sofrën Shkodrane” të cilën
qyteti i Shkodrës e ka traditë të përvitshme. Sidoqoftë,
si një e veçantë e këtij viti përmendet edhe
mbështetja financiare që është dhënë posaçërisht
për këtë program, gjë që sipas Samarxhiut, e
ka lehtësuar punën e krijuesve, që programet të pregatiten
më me nivel.
Xhirime në natyrë
Për herë të parë komeditë e vogla të vitit
të Vitit të Ri do të xhirohen në natyrë. Me një
kamera në dorë, grupi realizues i këtyre minikomedive kanë
dalë jashtë dhe kanë zgjedhur vendin më të përshtatshëm
për të xhiruar pjesën e tyre. Kjo gjë është
bërë me të gjithë estradat e rretheve, si ajo e Korçës,
e Shkodrës, e Fierit, e Vlorës, e Durrësit, e Tiranës,
etj. Skenaristi i programit të madh të vitit të ri, Vangjel
Kozmai, thotë se këtë vit është synuar që
këto materiale të mos mbeten më brenda studiove ku janë
xhiruar deri një vit më parë, por të kërkohet
një tjetër atmosferë, me qëllim që të krijohet
një tjetër imazh i këtyre komedive. “Kësisoj
këto materiale marrin vlera të tjera, i afrohen më shumë
filmit, kanë tjetër dinamizëm dhe figurë shumë
të bukur”,- thotë Kozmai.
Program i veçantë për Krishtlindjet
Për programin e Krishtlindjeve është menduar që këtë
vit të ketë një atmosferë shumë më festive
se vitet e kaluara. “Këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara,
TVSH ka menduar dhe është përgatitur që festat e Krishtlindjeve
të realizojë programe me dinjitet dhe transmetime të drejtpërdrejta”,-
thotë Ferdinand Samarxhi, drejtor i përgjithshëm i programacionit.
Sipas tij, është vendosur dje në një mbledhje të
drejtorit të përgjithshëm të RTSH Artur Zheji, që
festat e Krishtlindjeve në TVSH, duhet të sjellin një tjetër
imazh të programeve në TVSH. Kështu krahas transmetimit
të drejtpërdrejtë që do të realizohet nga të
dy katedralet, sonte në orën 24:00 në katedralen e Shën
Palit dhe nga katedralja e Ungjillizimit, nesër në mëngjes.
Televizioni Shqiptar ka përgatitur për transmetim edhe filma
që i kushtohen kësaj ngjarjeje të madhe të lindjes
së Jezu Krishtit. Sot do të fillojë transmetimi i filmit
“Jezusi i Nazaretit”. “Por krahas këtij filmi,
do të transmetojmë edhe dokumentarë për jetën
e Jezu Krishtit”,- thotë Samarxhi, duke shtuar se kësaj
feste do t’i mbështillen edhe mjaft koncerte të bukura
që televizioni publik Shqiptar ka realizuar kohët e fundit me
orkestrën e RTSH dhe artistë të mirënjohur në
katedralen e Shën Palit.
Televizionet private, më pak program
Televizionet private, edhe pse nuk kanë përgatitur ndonjë
program shumë të pasur, sërish nuk do të qëndrojnë
jashtë atmosferës së kësaj feste. Televizioni Top
Chanel ka përegatitur një program të veçantë
për Vitin e Ri e megjithatë stafi drejtues i tij ende nuk ka
nisur t’i zbulojë surprizat. Ndërsa televizioni “Klan”
ka vendosur të fusë atmosferën e këtyre festave në
të gjitha programet që do të transmetohen gjatë këtyre
kohëve. Producenti dhe drejtori i programacionit në TV Klan,
Petrit Beci, pohon se në të gjithë këto programe do
të ketë elementë specialë. “Megjithatë,
ne nuk kemi menduar të përgatisim një program krejtësisht
special për Vitin e Ri. Kjo është e kushtueshme, dhe ne
si televizion privat nuk fitojmë asgjë, përveç kënaqësisë
së publikut. Por për t’i bërë pak më të
veçantë netët e kësaj feste do të mundohemi
t’i pasurojmë programet në “TV Klan”. Kështu
do të ketë filma premierë të zgjedhur, elementë
të zgjedhur nga “Porta e fatit”, etj”.
(marre nga Shekulli)
|
|
|