|
|
Zbulohet ne Kishen e Shenandout nje afresk
qe paraqet shqipnjen e vertete te flamurit tone. Qysh nga koha e Skenderbeut
nuk kishte ndonje dokument zyrtar qe ta vertetonte prejardhjen e simbolit
tone pervec vules zyrtare te prijesit shqiptar.
Shqiponja dykrenare e Kastriotëve
e zbuluar në Rodon
Deri
më sot nuk kishim një vizatim autentik të shqiponjës
së këtij flamuri, e cila dihet që është me shqiponjë
dykrenare në fushë të kuqe siç na e dokumenton Barleti
dhe historianët e tjerë. Gjurma e vulës së Skenderbeut
e lënë mbi një akt zyrtarë të tij e ka shqiponjën
dykrenare, por vizatimi i sajë është parë si i përshtatur
me formën rrumbullake që e qarkon atë, si rendom praktikohet
në vula, dhe si do e shohim më poshtë ky mendim është
i drejtë
Rasti e solli që shqiponja e Kastriotëve e pikturuar në
një afresk të zbulohet mbrenda tokës arbërore e jo
në kancelaritë e arkivat e huaja, si ruhen shumica e dokumenteve
të historisë tonë.
Pas kthimit të disa pronave kishtare komuniteteve fetare, filloi
dhe interesimi i këtyre të fundit për studimin e tyre,
ruajtjen dhe rindertimin. Një nder këto prona është
Kisha e Shnandout në Rodon (sot fshati Muzhel), ku ruhet dhe shqiponja
e pikturuar e Kastriotëve, Për këtë kishë dokumentet
flasin që e kanë ndertuar Gjon Kastrioti ose i biri, heroi ynë
i njohur Skenderbeu.
Gjatë
viteve kur Gjon Kastrioti I u mund nga osmanët, atij i lanë
në pronësi zonat e Mysjes, që përfshijnë edhe
Rodonin dhe këtu thonë se zotëroi gjatë disa viteve
edhe Skenderbeu përpara se të çlironte Krujën. Një
legjendë e shënuar nga konsulli austrohungarez i Shkodrës
Teodor Ippen në fillim të shekullit tonë, thotë se
këtë kishë e ndertoi Mamica Kastrioti, por e saktë
është që kjo kishë funksiononte në vitet kur
Skenderbeu filloi të ndertonte kështjellën e Rodonit, që
eshtë në afersi të kishës. Po ky autor na njofton
se ruheshin dhe themelet e Manastirit që ishte ngjitur me kishën,
por që sot dallohen me vështërsi. Në kuadrin e 500
vjetorit të vdekjes së Skenderbeut në Rodon u bënë
kerkime mbi fortesën e Rodonit, dhe më këtë rast na
është dhënë dhe përshkrimi i rrënojave të
kësaj kishe, e me gjendjen në të cilën është
rrënoja sotë kuptojmë se shkatërrimi ka vazhduar edhe
gjatë këtyre 30 vjetëve.
Është kujdesi dhe interesi i At Zef Pëllumbit që i
nisur nga gjurmët e afreskave në muret e kësaj faltorje
të vjetër e quan në zbulimin e kësaj shqiponje. Deri
më sot është zbuluar vetëm një siperfaqe e vogël
e këtij afresku që falë natyrës dhe punës me
mjete cilësore të realizuar para pesë shekujsh ajo u ruajtë.
Shqiponja është në afreskun e realizuar në brezin
e poshtëm të faqes së harkuar të murit të absidës.
Në krahun e majtë të shqiponjës dallohet figura e
një kalorsi e majtas e djathtas këtyre janë edhe shenjat
e pazbuluara plotësishtë, siç duket edhe të dy shqiponjave
të tjera. Këto do dallohen e të studiohen pasi të
pastrohet afresku tërësishtë.
Shqiponja është e pikturuar me ngjyrë të kuqe të
hapur mbi suva të bardhë dhe në disa pjesë na ka arritur
e dëmtuar, por që dallohet qartë se është me
dy kokë. Pasqyrimi tek fotografija që po botojmë është
e bërë me objektiv nga e djathta e sajë, kështu që
na përfytyron një zmadhim nga ky krah, por ajo në të
dy krahët është simetrike. Fiksimi fotografik në këtë
pozicion u bë, sepse trualli deri lart është i mbushur
me mbeturina ndertimi e dhera dhe ato nuk pastrohen, për ta ruajtur
monumentin nga lagështira e tëpërt e shirave të stinës
së dimrit. Sipas mendimit të studiuesit të artit mesjetar
Mustafa Arapi afresku është veper e një piktori profesionist,
mjafton të shohësh vizatimin e kthetrave dhe kuptohet që
është frut i një dore të shkathët të një
piktori me përvojë. Kjo bie në sy edhe nga vrojtimi i figurës
së kalorsit që sot për vetë fazën e zbulimit
të afreskut nuk ka një gjykim se kujt figure historike ose religjioze
i kushtohet.
Nuk na është ruajtur nga shekulli 15 asnjë flamur kombëtar
relike, që ta njohim deri më sot dhe as një vizatim autentik
i shqiponjës së tij, që është shqiponja e Kastriotëve.
Studiuesit kanë konkluduar se shqiponja e flamurit kombëtarë
na u ruajtë në vizatimet e krijuara sipas shembëlltyrës
së sajë e shijeve estetiko-emocionale që ruante e krijonte
tradita shqiptare. Kjo është dhe rezultat i ndryshimit që
kanë shqiponjat e ruajtura nga pasardhësit e derës së
Kastriotëve. Forma e vizatimit të shqiponjës së gdhendur
në emblemën mbi varrin e Konstandin Kastriotit nuk është
identike me trajtën e gravuar në një liber uratash që
i kushtohet një pasardhësi tjetër të Skenderbeut,
as me shqiponjat e gdhendura mbi varret e dy nipave të tjerë
të heroit tonë që i njohim e ruhen në Itali, as me
shqiponjën e emblemës së nipit tjetër i njohur në
histori me emrin Skenderbeu i Ri, emblemë që ruhet e vizatuar
me ngjyra në dorëshkrim në bibliotekën Marciana në
Venecie. Më e afërt është Shqiponja e vulës së
Skenderbeut, por dhe kjo jo identike për arsyet që i thamë
më lartë. Shqiponja dykrenare e flamurit tonë kombëtar
është vizatuar sipas këtyre shqiponjave e që nga shekulli
15 pati ndryshime nga ajo që u pranua e u vendos në flamurin
e arbërve me 2 mars 1444.
Ja vlen të themi dhe dy fjalë për monumentin që Donika
Kastrioti i ngriti nipit të sajë, K. Kastriotit në varrezat
e kishës Santa Maria La Nova në Napoli. Emblemën e gdhendur
në dy anët e monumentit mortor e ka botuar studiuesi italian
Padilione në vitin 1870 dhe më vonë arbëreshi Z. Skiroi
në Palermo në vitin 1904. Pothuajse të gjithë studiuesit
shqiptarë i drejtoheshin kësaj shqiponje dhe shpesh herë
ka krijuar dhe keqinterpretime per kurorat që ka sipër dy kokave,
deri sa më 1967 u bë e njohur nga Dh. Pilika dhe shqiponja e
vulës së Skenderbeut. Në një botim shkencor heraldik
të vitit 1926, studiuesit italian emblemën heraldike të
monumentit të K. Kastriotit e kanë klasifikuar si emblemë
të një pasardhësi të derës së Skenderbeut.
Tashi që u njoh shqiponja e Kastriotëve pa kurora mbi dy krerët
rikonfirmon atë që Prof. Dhimitër Pilika ka shkruar, se
kurorat janë shtesa të pasardhësve të Kastriotasve
në dheun e huaj, por na hap dhe një dritare për ta kufizuar
dhe datën kur është realizuar afresku më shqiponjën
Kastriotase të Shnandout të Rodonit.
Skenderbeu gjatë fuqizimit të pozitës së tij pretendonte
se ai ishte pasues i shtetit të Balshajve e synonte për një
shtrirje territoriale të shtetit për të arritur zotërimet
e gjëra të atyre të kryezotit të Arbërit, Balsha
II. Në këtë periudhë Skenderbeu filloi të praktikoi
në vulën e tij shtetërore, krahas shqiponjës dykrenare
të trashëguar nga dera atërore edhe yllin gjashtëcepash
të Balshajve, por asnjëherë shqiponjën e kurorzuar.
Vula që njohim është e vitit 1459, pra dhe afresku duhet
të jetë realizuar para këtij viti.
Faza në të cilën është zbulimi dhe studimi i
këtij afresku të kishës së Shnandout na kanë
shpalosur shqiponjën e Kastriotëve, që është
njëkohësishtë dhe shqiponja e flamurit kombëtar shqiptar,
por muret e kishës kanë gjurmë dhe të afreskave të
tjera e ndoshta do na japin dhe dëshmi epigrafike ose dhe skena të
jëtës së atij shekulli. Kisha dokumentohet se ka funksiunuar
deri në shekullin e 17, por shpeshherë ka mbetur pa famulltar
e kujdestar, kurse një gojëdhanë thotë se ajo u dëmtua
rëndë nga një termet i mesit të shek. 19. Materiali
arkeologjik flet për një tempull shumë më të
hershëm në atë truall e për rreth ka patur dhe dy
kisha të tjera të dokumentuara që nga shekulli 12-13. Në
Rodon thotë Barleti Skenderbeu shpinte familjen dhe shkonte edhe
vetë për pushime e gjueti në periudhat në mes të
betejave. Kisha e Shnandout lidhet si një ansambël me shumë
vlera me kështjellën e Rodonit, që e ndërtoi Skenderbeu
në valën e luftës.
Jaho Brahaj
|
|
|