PJESA E PESEMBEDHJETE
FORCAT E ARMATOSURA
Neni 166
1. Shtetasit shqiptarë kanë për detyrë të
marrin pjesë në mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë,
siç parashikohet në ligj.
2. Shtetasi që, për arsye ndërgjegjeje, nuk pranon shërbimin
me armë në forcat e armatosura, është i detyruar
të kryejë një shërbim alternativ, siç parashikohet
në ligj.
Neni 167
1. Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen
ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore
dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari
politike.
2. Pjesëtarët e forcave të armatosura ose personat që
kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha
të drejtat dhe liritë kushtetuese, përveç rasteve
kur ligji parashikon ndryshe.
Neni 168
1. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë
përbëhen nga forcat tokësore, detare dhe ajrore.
2. Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm
i Forcave të Armatosura.
3. Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor
i Presidentit të Republikës.
Neni 169
1. Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron
drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit
dhe ministrit të Mbrojtjes.
2. Presidenti i Republikës, në kohe lufte, emëron dhe
shkarkon Komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të
Kryeministrit.
3. Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit,
emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm,
si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron
dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore.
4. Kompetencat e Presidentit të Republikës si Komandant i
Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ato të
Komandantit të Forcave të Armatosura dhe varësia e tyre
nga organet kushtetuese, caktohen me ligj
|