PJESA E PESTE
KËSHILLI I MINISTRAVE
Neni 95
1. Këshilli i Ministrave përbëhet nga Kryeministri,
zëvendëskryeministri dhe ministrat.
2. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror,
i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve
të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore.
Neni 96
1. Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës,
si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin
me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që
ka shumicën e vendeve në Kuvend.
2 .Në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet
nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të
ri brenda 10 ditëve.
3. Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk
miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një
Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti
emëron Kryeministrin e ri.
4. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti
i Republikës shpërndan Kuvendin.
Neni 97
Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet
për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik
të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen
e tij.
Neni 98
1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës,
me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.
Neni 99
Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri
dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.
Neni 100
1. Këshilli i Ministrave përcakton drejtimet kryesore të
politikës së përgjithshme shtetërore.
2. Këshilli i Ministrave merr vendime me propozim të Kryeministrit
ose të ministrit përkatës.
3. Mbledhjet e Këshillit të Ministrave bëhen të
mbyllura.
4. Aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme,
kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues.
5. Këshilli i Ministrave nxjerr vendime dhe udhëzime.
Neni 101
Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën
përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative
që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të
përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë
Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është
i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi,
në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.
Neni 102
1. Kryeministri:
a) përfaqëson Këshillin e Ministrave dhe kryeson mbledhjet
e tij;
b) koncepton dhe paraqet drejtimet kryesore të politikës
së përgjithshme shtetërore dhe përgjigjet për
to;
c) siguron zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të
miratuara nga Këshilli i Ministrave;
ç) bashkërendon dhe kontrollon punën e anëtarëve
të Këshillit të Ministrave dhe të institucioneve
të tjera të administratës qendrore të shtetit;
d) kryen detyra të tjera të parashikuara në Kushtetutë
e në ligje.
2. Kryeministri zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet ministrave.
3. Kryeministri, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr
urdhra.
4. Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së
përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë
e tij veprimtarinë që ka në kompetencë. Ministri,
në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr urdhra dhe udhëzime.
Neni 103
1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë
për deputet.
2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër
shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i
organeve të shoqërive fitimprurëse.
3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë
imunitetin e deputetit.
Neni 104
1. Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet
nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit,
Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër.
Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti
i Republikës shpërndan Kuvendin.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë
nga paraqitja e tij.
Neni 105
1. Në rast se mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e
pesta e deputëteve miratohet nga shumica e të gjithë
anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve,
zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë
rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.
2. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti
i Republikës shpërndan Kuvendin.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë
nga paraqitja e tij.
Neni 106
Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë
në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave
pasardhës.
Neni 107
1. Nëpunësit publikë zbatojnë ligjin dhe janë
në shërbim të popullit.
2. Nëpunësit në administratën publike caktohen
me konkurs, me përjashtim të rasteve të parashikuara
nga ligji.
3. Garancitë e qëndrimit në detyrë dhe trajtimi
ligjor i nëpunësve publikë rregullohen me ligj.
|