PJESA E GJASHTE
QEVERISJA VENDORE
Neni 108
1. Njësitë e qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë
dhe qarqet. Njësi të tjera të qeverisjes vendore rregullohen
me ligj.
2. Ndarjet administrative-territoriale të njësive të
qeverisjes vendore caktohen me ligj mbi bazën e nevojave e të
interesave të përbashkët ekonomikë dhe të traditës
historike. Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë
me parë mendimi i popullsisë që banon në to.
3. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes
vendore. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisese,
me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive
të tjera të qeverisjes vendore.
4. Vetëqeverisja në njësitë vendore ushtrohet nëpërmjet
organeve të tyre përfaqësuese dhe referendumeve vendore.
Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit vendor parashikohen
me ligj në përputhje edhe me nenin 151 paragrafi 2.
Neni 109
1. Organet përfaqësuese të njësive bazë të
qeverisjes vendore janë këshillat, të cilët zgjidhen
çdo tre vjet me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta
dhe me votim të fshehtë.
2. Organi ekzekutiv i bashkisë ose i komunës është
kryetari, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga populli në mënyrën
e parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Të drejtën e zgjedhjes në këshillat vendorë
dhe si kryetar bashkie ose komune e kanë vetëm shtetasit që
janë me banim të përhershëm në territorin e
njësisë vendore përkatëse.
4. Organet e njësive të qeverisjes vendore kanë të
drejtë të formojnë bashkime dhe institucione të
përbashkëta me njëri-tjetrin për përfaqësimin
e interesave të tyre, të bashkëpunojnë me njësitë
vendore të vendeve të tjera, si dhe të përfaqësohen
në organizatat ndërkombëtare të pushteteve vendore.
Neni 110
1. Qarku përbëhet nga disa njësi bazë të qeverisjes
vendore me lidhje tradicionale, ekonomike e sociale dhe të interesave
të përbashkët.
2. Qarku është njësia ku ndërtohen e zbatohen politikat
rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikën shtetërore.
3. Organi përfaqësues i qarkut është këshilli
i qarkut. Bashkitë dhe komunat delegojnë anëtarë
në këshillin e qarkut në përpjesëtim me popullsinë
e tyre, por për çdo rast të paktën një anëtar.
Kryetarët e komunave dhe të bashkive janë kurdoherë
anëtarë të këshillit të qarkut. Anëtarët
e tjerë të tij zgjidhen me lista përpjesëtimore
ndër këshilltarët bashkiakë ose komunalë nga
këshillat përkatës.
4. Këshilli i qarkut ka të drejtë të nxjerrë
urdhëresa dhe vendime me fuqi detyruese të përgjithshme
për qarkun.
Neni 111
1. Njësitë e qeverisjes vendore janë persona juridikë.
2. Njësitë e qeverisjes vendore kanë buxhet të
pavarur, i cili krijohet në mënyrën e parashikuar me
ligj.
Neni 112
1. Njësive të qeverisjes vendore mund t'u delegohen me ligj
kompetenca të administratës shtetërore. Shpenzimet që
kryhen për ushtrimin e delegimit, përballohen nga shteti.
2. Organeve të qeverisjes vendore mund t'u vihen detyrime vetëm
në përputhje me ligjin ose sipas marrëveshjeve që
ato lidhin. Shpenzimet që lidhen me detyrimet që u vihen me
ligj organeve të qeverisjes vendore përballohen nga buxheti
i shtetit.
Neni 113
1. Këshillat komunalë, bashkiakë dhe të qarkut:
a) rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë
të pavarur çështjet vendore brenda juridiksionit
të tyre;
b) ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë
në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara,
si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari
ekonomike;
c) kanë të drejtë të mbledhin dhe të shpenzojnë
të ardhurat që janë të domosdoshme për ushtrimin
e funksioneve të tyre;
ç) kanë të drejtë të vendosin, në
përputhje me ligjin, taksa vendore, si dhe nivelin e tyre;
d) caktojnë rregullat për organizimin dhe funksionimin
e tyre në pajtim me ligjin;
dh) krijojnë simbolet e qeverisjes vendore, si dhe titujt vendorë
të nderit;
e) ndërmarrin nisma për çështje vendore përpara
organeve të caktuara me ligj.
2. Organet e njësive të qeverisjes vendore nxjerrin urdhëresa,
vendime dhe urdhra.
3. Të drejtat për vetëqeverisje të njësive
të qeverisjes vendore mbrohen në gjykatë.
Neni 114
Këshilli i Ministrave cakton prefektin si përfaqësues
të tij në çdo qark. Kompetencat e prefektit caktohen
me ligj.
Neni 115
1. Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse
vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli
i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës
ose të ligjeve.
2. Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet
në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në
këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet.
3. Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së
ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në
fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga
Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën
e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse.
|