Bie ne rrjete peshkaqeni 600-kilogramesh

Bie në rrjetë peshkaqeni 600-kilogramësh
I pari i këtij lloji e i këtyre përmasave, specia detare është kapur në afërsi të Karaburunit, në vendin e quajtur Kepi i Gjuzës, dy ditë më parë. Kanë qenë peshkatarët e anijes “Centarium 2”, të cilët pas peshkimit nuk kanë mundur për shkak të kohës së keqe dhe detit të trazuar, të kthehen në Triport për të sjellë gjahun e tyre. Një gjë e tillë ka bërë që peshkaqeni gjigant të prishet në disa pjesë të kokës, si pasojë e përplasjeve me shkëmbinjtë në kohën që anija “Centarium 2” ka qenë e ankoruar. Po kështu, vetë peshkatarë kanë treguar se si hahej nga peshq të tjerë, ndërsa sjellja e peshkaqenit të rrallë është bërë e mundur vetëm dje në mesditë.

Sipas peshkatarëve, ky nuk është rasti i parë që në Vlorë kapen të tillë peshkaqen. Por këtë herë, ajo që bie në sy është fakti që peshkaqeni i llojit “Pëllumb”, është tërësisht i bardhë, ka një gjatësi të pazakontë për këtë kategori, rreth 8 metra, dhe peshon më shumë se 500 kg. Sipas peshkatarëve, peshkaqeni i këtij lloji është mjaft i rrezikshëm, pasi goja e tij hapet me një diametër rreth 1 metër, dhe dhëmbët e tij janë të gjatë e të mprehtë.

Sakaq, kapiteni i anijes “Centarium 2”, Nazir Habibi, thotë se prezenca e të tilla specieve në afërsi të bregut të Karaburunit, por edhe në gji është një element frike për zhytësit, të cilët duhet të jenë mjaft të kujdesshëm në këto zhytje, sidomos kur gjuajnë me shtizë, por dhe për ata që gjuajnë me dinamit, që për fat të keq ka ende të tillë, të cilët mund të rrezikohen kur zhyten për të mbledhur peshk. Sipas Habibit, rastet e peshkaqenëve të gjetur në bregdetin shqiptar kanë qenë të shpeshta kohët e fundit, mishi i tyre shitet dhe është i kërkuar, me një çmim rreth 200 lekë për kg, edhe pse peshkaqeni i kapur prej tyre tashmë nuk është i konsumueshëm, për shkak të qëndrimit të gjatë në det pas kapjes së tij nga ekuipazhi i “Centarium 2”, sepse nuk i ka lejuar të kthehen deti i trazuar.

Marre nga : Gazeta Standard

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama