Kundërshtimi
Presidenti Bamir Topi me datën 15 prill deklaroi se ndryshimet kushtetuese nuk mund të bazohen sipas një teke afatshkurtër, por përkundrazi, duhet të jenë të matura dhe të shqyrtuara me kujdes. Ai po i përgjigjej debatit të nxehtë midis partive kryesore politike mbi ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor dhe përgjegjësitë e mandateve të Presidentit dhe Kryeministrit. Topi theksoi: "Nuk jam kundër ndryshimeve, por jo ndryshime të bëra për hir të interesave politike". Madje vetëm pak orë para se Kuvendi do të miratonte paketën e ndryshimeve kushtetuese me "bekimin" e dy partive të mëdha në vend, Presidenti i Republikës, Bamir Topi apeloi sërish, teksa mbajti fjalën në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar me homologun e tij kroat, Stipe Mesiç. Presidenti Topi theksoi se reformat nuk duhet të jenë fasadë për të krijuar imazh të rremë tek partnerët ndërkombëtarë, por një proces ku në mënyrë të qartë të shfaqet vendosmëria për të realizuar shtetin e së drejtës. "Kushtetuta, ligji dhe institucionet nuk janë ndërtime informale apo provizore, por janë themeli i Shqipërisë i një shekulli të ri, që u përket dhe do t'u përkasë fëmijëve tanë", - tha ai. Ndërkohë, kreu i shtetit ka qenë më konkret duke qartësuar në këtë rast edhe pozicionin e tij lidhur me paketën kushtetuese. "Së pari, që është shumë e rëndësishme dhe parimore, Presidenti i Republikës nuk interferon në debatin politik, aq më shumë në debatin parlamentar, por vendimmarrja konsideron vendimmarrjen politike. Sigurisht, Presidenti është garanti institucional dhe i dokumentit themeltar të shtetit, që është Kushtetuta. I vetmi prononcim i Presidentit ka qenë pikërisht me kujdesin që duhet të kenë partitë politike, që në lidhje me prekjen e Kushtetutës ky proces duhet t'i nënshtrohet një dialogu të gjerë, një konsultimi me konstitucionalistë dhe kjo ndërhyrje konsiderohet shumë principale", - tha Topi. Kreu i shtetit theksoi se prekja e Kushtetutës nuk ka të bëjë thjesht me çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Në këtë kontekst, Topi bëri publike edhe pikat e tjera të nxehta të kësaj pakete. "E kthejmë në vëmendjen tuaj, që të mos fokusoheni vetëm tek kjo pikë, se ka një çështje që është zemra, besoj, e këtij procesi, që është reforma zgjedhore. Është edhe një çështje tjetër, ajo e mocionit ndaj Kryeministrit. Pra, nisur nga kjo, unë nuk mund të paragjykoj dhe nuk dëshiroj të shprehem në mënyrë absolute se si do të jetë rrjedha e ngjarjeve në Kuvend. Unë i qëndroj konstant interpretimit që ka të bëjë me pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës. Në funksion të reformave mund të dalë e nevojshme që Kushtetuta të preket. Dhe askush nuk besoj që ka qenë kundër përshtatjes së Kushtetutës me nevojën e reformave", - tha Topi. Ai inkurajoi që proceset reformuese të jenë në funksion të shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, duke qenë i prirur të besonte që ndërhyrjet të mos jenë për çështje të interesave të vogla. Por dje, kryetari i shtetit vendosi të tërhiqet nga kundërshtimet që i bëri paketës së ndryshimeve kushtetuese duke vënë firmën për dekretimin e tyre.
VALENTINA MADANI : Gazeta Standard











