Kosove 28 Nentori fshihet nga lista e festave zyrtare

Kosovë, 28 Nëntori fshihet nga lista e festave zyrtare
Projektligji për festa zyrtare, i hartuar që në kohën e qeverisjes së Agim Çekut, është proceduar për në Kuvendin e Kosovës dhe pritet të miratohet sot. Por më përpara, është festa e 28 Nëntorit, ajo që është hequr dhe po kështu edhe festa e dëshmorëve, 5 marsi, dita e rënies së Adem Jasharit. Pas heqjes dorë nga simbolet si flamuri, stema dhe himni, festat kombëtare janë kompromisi i radhës i bërë në emër të statusit. Është paketa "Ahtisari" ajo që përcakton në fakt, se simbolet dhe festa kombëtare duhet të bëhen edhe me miratimin e komuniteteve dhe pakicave kombëtare. "Për miratimin, ndryshimin apo shfuqizimin e ligjeve të paraqitura në vijim (ligjet për përdorimin e simboleve (përfshirë simbolet e komunitetit)dhe festat publike )do të kërkohet shumica e anëtarëve të pranishëm dhe që votojnë të Kuvendit që u përkasin partive, iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, të cilët janë deklaruar se u përkasin komuniteteve, të cilat nuk janë shumicë në Kosovë", thuhet në paketën e Ahtisarit.

E për t‘i dalë para një kundërshtimi të mundshëm në Kuvend, qeveria e ka përjashtuar paraprakisht datën e festës kombëtare. Në krye të projektligjit që përcakton listën e festave zyrtare, thuhet se është punuar duke respektuar historinë, kulturat dhe traditat e popullit të Kosovës dhe shtetasve të saj. "Kosova është shtet, i ka festat shtetërore, por natyrisht se respektohen edhe festat kombëtare", tha Kryeministri Hashim Thaçi pas mbledhjes së qeverisë, i pyetur për këtë çështje nga gazetarët. Thaçi nuk tregoi se kush e kishte detyruar që të ndryshonte projektligjin e hartuar nga qeveria e kaluar, i cili ka qëndruar nëpër sirtarë prej kohësh. Por burime konfidenciale, thanë për "Shqip" se është pikërisht Zyra Civile Ndërkombëtare, kryesuar nga Pieter Faith, ajo që u ka kërkuar t‘i heqin këto festa. Kjo zyrë ka funksion themelor pikërisht mbikëqyrjen e implementimit të Paketës së Ahtisarit nga institucionet e Kosovës. Drafti i parë i projektligjit që është punuar para 1 viti nga qeveria e kaluar, e kishte të shënuar 28 nëntorin si festë zyrtare të Kosovës dhe 5 marsin si ditën e dëshmorëve të Kosovës. Ai draft u procedua në Kuvend atëkohë, por presioni ndërkombëtar e shtyu qeverinë që ta tërhiqte. Më pas, projektligji shkoi në Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe qëndroi për disa muaj, për t‘u kthyer të hënën në qeveri, pa dy datat kryesore të popullit shumicë në Kosovë. Festat zyrtare të Republikës së Kosovës, sipas projektligjit do të jenë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti, Dita e Kushtetutës së Kosovës, 9 Prilli, Dita ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, Dita e Evropës, 9 Maji, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse.

Festa kryesore normalisht mbetet 17 Shkurti, dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në fakt, mbledhja e qeverisë ishte vetëm një formalitet, pasi ndërkohë që ajo zhvillohej, projektligji ishte proceduar në Kuvend.

Festat

Festat zyrtare të Republikës së Kosovës, sipas projektligjit do të jenë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 17 Shkurti, Dita e Kushtetutës së Kosovës, 9 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Punës, 1 Maji, Dita e Evropës, 9 Maji, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse

Marre nga Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama