Brukseli mirepret kandidimin e Shqiperise si anetare e plote ne BE

Brukseli mirëpret kandidimin e Shqipërisë si anëtare e plotë në BE
Presidenti i Komisionit Evropian, Joze Manuel Barroso, gjatë një takimi në Bruksel me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli, ka vlerësuar ritmin progresist të Shqipërisë drejt realizimit të reformave dhe perspektivën e qartë evropiane në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. “Shqipëria ka bërë shumë progres dhe së bashku me autoritetet e këtij vendi po punojmë në perspektivën europiane të saj”, tha Barroso. Gjatë punimeve të konferencës parlamentare të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Bruksel, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli falënderoi z. Barroso për mbështetjen e dhënë Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor gjatë proçesit të anëtarësimit në BE. “Perspektiva europiane është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e rajonit tonë, tha Topalli dhe angazhimi ynë mbetet realizimi dhe vijimi i reformave që do të përshpejtojnë anëtarësimin. Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, vuri në dukje se realizimi i reformave dhe plotësimi i standardeve të BE-së, mbeten parakushtet për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane, ku pas pak kohësh pritet të marrë edhe statusin e vendit kandidat.

Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli një falënderim të veçantë i bëri Presidentit të Parlamentit Europian, Hans-Gert Poettering në takimin që ai i rezervoi znj. Topalli. Poettering dhe Topalli biseduan rreth progresit të bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për të ardhmen e tyre europiane dhe sfidat në këtë proces. Kryetarja e Kuvendit konfirmoi vullnetin e autoriteteve shqiptare për vijim të reformave, të cilat e bëjnë të sigurt ecjen drejt anëtarësimit në BE. Gjatë fjalës së saj, në mbyllje të takimit të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, Kryetarja Topalli deklaroi se së shpejti Shqipëria do të kërkojë statusin e vendit kandidat. “Së pari, jam plotësisht dakord me atë që tha znj. Pack, që kjo konferencë, realisht është një ngjarje për të gjithë ne, sepse jep një mesazh të jashtëzakonshëm inkurajimi dhe optimizmi për Shqipërinë dhe perspektivën e saj në Europë, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Së dyti, do të doja të falënderoja të 22 vendet e BE-së, që kanë ratifikuar MSA-në Shqipëri-BE, si rezultat i reformave të mëdha dhe të guximshme që Shqipëria ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe. Uroj që Greqia të mos mbesë e fundit për ta ratifikuar edhe ajo këtë kontratë kaq të rëndësishme për ne. Unë mendoj se shumë shpejt ne do t’i bëjmë kërkesë Brukselit për të marrë statusin e vendit kandidat. Bazuar në reformat e mëdha dhe ndryshimet e jashtëzakonshme që janë bërë në Shqipëri, uroj që të marrim një përgjigje pozitive. Së treti, bie tërësisht dakord me atë çka Presidenti Barroso tha kur iu referua Ballkanit të dhjetë viteve më parë. Është e vërtetë, Shqipëria ka pësuar transformim të jashtëzakonshëm, Ballkani ka pësuar transformim të jashtëzakonshëm. Nëse ne do vazhdojmë me këtë ritëm reformash unë mendoj se në gjysmën e parë të dekadës së ardhshme Shqipëria do ta meritojë të jetë anëtar i këtij komuniteti. Falënderoj të gjithë diskutantët, deputetët e Parlamentit Europian, për mbështetjen në unanimitet të kërkesës së të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, për liberalizimin e plotë të vizave. Do të doja, gjithashtu të tërhiqja vëmendjen e Komisionit Europian për projekte të mëdha të infrastrukturës në Ballkan të korridoreve të rëndësishëm në Ballkan”, deklaroi kryeparlamentarja Topalli.

Rupel: Shqipëria vend shumë serioz, në përpjekjet për integrim/ Shqipëria është një vend shumë serioz në përpjekjet për integrim. Shqipëria ka nënshkruar MSA-në dhe bazuar në këtë duke zhvilluar të gjitha potencialet, shpresoj që të bëhet vend kandidat së shpejti. Kështu është shprehur, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Rupel, si përfaqësuesi i Presidencës së rradhës së BE-së, pas takimit me kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Rupel, vlerëson progresin e Shqipërisë, madje shpreson se, ajo do të jetë së shpejti vend kandidat për anëtarësim në BE. Znj. Topalli ishte e ftuar të merrte pjesë në takimin e përbashkët parlamentar të nivelit të lartë mbi të ardhmen europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, takim i organizuar nga Parlamenti Europian dhe Presidenca sllovene e BE-së. Në këtë Konferencë ishin të pranishëm Kryetari i Parlamentit Europian, Hans-Gert Poettering, Komisionieri për Europian për Zgjerimin, Olli Rehn dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Ashtu si edhe gjatë fjalës së tij në konferencën parlamentare, edhe gjatë takimit me zonjën Topalli, zoti Rupel vlerësoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit europian. “Shqipëria, tha ai, ka marrëdhënie të forta me BE-në dhe dëshirë për dialog gjë që dëshmon maturi. Unë mendoj se ajo është gati për pranim dhe meriton inkurajim”. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli, duke falënderuar z. Rupel për vlerësimin e bërë, konfirmoi se objektivi i Shqipërisë dhe i shqipëtarëve mbetet anëtarësimi në BE, ndaj dhe kemi vullnet dhe angazhimi maksimal, u shpreh ajo, në vijimin e reformave të sukseshme që tashmë kanë dhënë rezultatet e tyre pozitive. Në takimin me zv/kryetarin e parë Parlamentit të Francës, Mark Lafiner u diskutua jo vetëm mbi forcimin e bashkëpunimit dy palësh por edhe në kuadër të BE-së, pasi Franca merr presidencën e rradhës në fillim të muajit korrik.

Topalli shprehu mirënjohje për mbështetjen që Franca i ka dhënë Shqipërisë edhe në Samitin e Bukureshtit. Ne mbështesim anëtarësimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në BE, tha z. Lafiner dhe kjo për ekonominë, për prosperitetin dhe për stabilitetin e këtij rajoni dhe të Europës. Topalli e ftoi zv/kryetarin e parë Parlamentit francez, Lafiner për një vizitë në Shqipëri, ftesë të cilën ai e priti me shumë kënaqësi. Një takim i veçantë iu rezervua znj. Topalli nga France Cukjati, Kryetar i Parlamentit të Sllovenisë, një nga inisiatorët kryesorë të takimit parlamentar në Bruksel. Kryetarja e Kuvendit i bëri urimet më të mira z. Cukjati për organizimin e një konferencë të këtij niveli me parlamentarët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, me një pjesëmarrje të gjerë të deputetëve të Parlamentit europian. “Ju falënderoj veçanërisht, për ftesën që i keni bërë përfaqësuesve të Kosovës në këtë Konferencë. Ky është një fakt shumë i rëndësishëm në orientimin europian jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit tone, tha ajo. “Ballkani, tha z. Cukjati, po jeton një realitet të ri, ndaj dhe ne inkurajojmë takime të tilla shumë të rëndësishme. Ne duhet të rrisim vemendjen e BE-së ndaj këtij rajoni dhe në këtë mënyrë nxisim edhe më tej dëshirën dhe angazhimin e vendeve të Ballkanit, për t’u bërë sa më shpejt anëtare të BE-së”. Kryeparlamentarja Topalli, vuri në dukje se për rajonin tonë perspektiva europiane, është shumë e rëndësishme, për t’u përballur me sfidat e integrimit në strukturat Euro-Atlantike. “Ndaj dhe ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Sllovenisë gjatë kësaj presidence të rradhës së BE-së”, theksoi ajo. Znj. Topalli dhe z. Cukjati diskutuan më tej për zhvillimet në rajon, për ndërtimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë si një dimension thelbësor dhe shumë të rëndësishëm në prosperitetin dhe stabilitetin rajonal.


Leonard Quku : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama