Arshavin Me Spanjen do te luajme ne sulm jo per hakmarrje

Arshavin: Me Spanjën do të luajmë në sulm, jo për hakmarrje
"Mbase edhe për faktin se nuk luajta në ndeshjen e parë, megjithatë, për mua ajo humbje nuk ka më asnjë kuptim. Ndeshja e sotme është gjysmëfinale dhe rezultati i saj mund të vendoset vetëm prej një gabimi. Për më tepër që në ndeshjen e parë në grup, atë kundër Spanjës, skuadra bëri shumë gabime taktike dhe individuale. Nëse i lë pak hapësirë sulmuesve si David Dija apo Fernando Torres, atëherë je në telashe. Kur mbulohen vetëm me një mbrojtës ata kalojnë pa probleme dhe më pas shënojnë. Dhe kjo ndodhi në humbjen 4-1". Gjithsesi, që prej asaj ndeshjeje te Rusia ndryshuan shumë gjëra. Trajneri Gus Hidink kërkoi nga skuadra ndryshime të shpejta dhe lojë më të kujdesshme. Ata u konfirmuan përballë dy kundërshtarëve me peshë, ku më shumë bujë bëri eliminimi i Holandës. Edhe në gjysmëfinalen e stadiumit "Ernst Hapel", pritet që rusët të luajnë me stilin e tyre të zakonshëm: "Do të jemi po të njëjtët ashtu sikundër Holandës.

Nuk jemi një ekip që luan futboll difensiv, na pëlqen që të sulmojmë, shtoi Arshavin. Megjithatë, jo të gjitha varen nga ne. Duhet të jemi të kujdesshëm edhe nga loja e spanjollëve. Mund ta kemi disi të vështirë, pasi duke luajtur futboll ofensiv i krijojmë shumë hapësira dhe ata janë një kundërshtar që di të kundërsulmojë shumë mirë. Unë jam i bindur se duhet të luajmë sipas mënyrës sonë dhe jo t'i përshtatemi kundërshtarëve". Arshavin u shndërrua në yllin e Evropianit dhe një pjesë e meritës është edhe e trajnerit Hidink: lojtari ishte ndëshkuar me karton të kuq në takimin e fundit eliminator me Andorrën dhe UEFA e pezulloi për dy takimet e radhës. "Kur erdha fillimisht në Austri dhe Zvicër shpresoja që të luaja disa minuta në një turne kaq të madh. Nuk kisha luajtur asnjëherë më parë në një eveniment të tillë dhe jam i lumtur që trajneri Hidink më përfshiu në skuadër dhe më dha shansin të aktivizohesha". Në harkun e dy ndeshjeve, Arshavin tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane, por ai preferon vetëm njërin: "Gjatë gjithë jetës kam qenë tifoz me Barcelonën, është klubi ku ëndërroj të luaj. Nuk e kisha menduar asnjëherë se mund të më jepej shansi të luaja aty, megjithatë duhet të presim dhe të shohim si do të evoluojë situata. Për momentin mendoj vetëm për Rusinë dhe gjysmëfinalen".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama