Jeta e Haradinajt ka qenë e karakterizuar nga betejat, humbjet, dhuna dhe gjakderdhjet. Dy nga vëllezërit e tij u vranë gjatë luftimeve me ushtarët serbë, ndërsa i treti u qëllua për vdekje në vitin 2005. Haradinaj thotë se qe i bindur që lufta e armatosur ishte e vetmja rrugë për të luftuar dominimin serb që në moshën 14-vjeçare, kur pa policët serbë të rrihnin demonstruesit shqiptarë. "Ata i rrihnin shqiptarët pasi kishin armë dhe ishin pala e fortë. E kuptova se ne duhej të ishim edhe më të fortë", - thotë Haradinaj duke kujtuar rrugën e përfshirjes së tij në luftë. Me heqjen e autonomisë, Haradinaj emigroi në Zvicër, ku bëri punë të rëndomta, por filloi dhe përgatitjen për fushëbetejën e ardhshme duke u stërvitur në kung fu, duke lexuar literaturë për taktikat guerile dhe duke vrapuar 60 milje nëpër Alpe. Ai u kthye në Kosovë në fillim të vitit 1998 me fillimin e përleshjeve të armatosura mes guerilës shqiptare dhe trupave serbe. Gjatë ditëve të para të luftës ai pa të vëllanë Luanin të vritej, derisa të dy hynin në Kosovë nga Shqipëria. Ai e mbajti trupin e pajetë të vëllait për katër orë derisa mundi ta varroste. Ushtarët e UÇK-së që luftuan bri tij thonë se Hardinaj qe një frymëzim i madh për ta, pasi reflektonte besnikëri dhe karizëm. Pas ndërhyrjes së NATO-s Haradinaj iu fut studimeve dhe u diplomua në drejtësi. Bashkëstudentët habiteshin të shihnin heroin e luftës në të njëjtën auditor me ta. Haradinaj me vetëstudim mësoi anglishten, frëngjishten dhe gjermanishten. Haradinaj pasi ndihmoi në transformimin e UÇK-së, krijoi partinë e tij. Diplomatët perëndimorë thonë se ai është inteligjent dhe energjik. Ai çmohet edhe për faktin se pengoi sulmet kundër manastirit ortodoks më të njohur të serbëve në Kosovë gjatë trazirave të 2004-ës. Derisa Haradinaj ishte në Hagë, ish-rivali i tij Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër. "Ne po përpiqemi të ndërtojmë një demokraci të re dhe nuk do ta lëmë Ramushin ta kthejë Kosovën në xhungël", - thotë Vlora Çitaku, zëdhënëse e Partisë Demokratike. Haradinaj është shumë kritik ndaj qeverisë që po lejon Beogradin të kontrollojë veriun e Kosovës. "Ne duhet të jemi të aftë të përmbushim detyrimet pas 17 shkurtit. Unë e di se çfarë është durimi, por nëse bini në gjumë, nuk është mirë e do të jetë shumë vonë", - thotë Ramush Haradinaj.
DAN BILEFSKY, NEW YORK TIMES
Nga : Gazeta Standard











