Pekin 2008 shiten te gjitha biletat

Pekin 2008, shiten të gjitha biletat
"BOCOG dëshiron të falënderojë të gjithë tifozët, për mbështetjen dhe interesimin që treguan për këtë Olimpiadë, e cila solli edhe shitjen e biletave", vazhdonte citimi i një zyrtari të komitetit organizator, i cili identifikohej vetëm nëpërmjet inicialeve të emrit. Përpara entuziazmit të sportdashësve kinezë, nga 8 gushti deri më 24 gusht, Lojërat e Pekinit pritet që të zhvillohen në arena të mbushura plot e përplot. Gjithsesi, ekziston mundësia që disa prej biletave të cilat u janë shpërndarë sponsorëve dhe komiteteve olimpike të vendeve pjesëmarrëse mund të mos përdoren të gjitha. Në total, në Kinë dhe në vende të tjera u nxorën në shitje 6.8 milionë bileta olimpike.

Deri në fundjavën e kaluar, nga shifra e lartpërmendur, kishin mbetur pa shitur vetëm 250 mijë bileta. Numri i pakët i vendeve të mbetura në dispozicion ka bërë që të premten në Pekin të grumbullohej një turmë prej afro 30 mijë personash, të cilët kishin "pushtuar" qendrën e shitjes së biletave. Situata degjeneroi deri në atë pikë sa policisë iu desh që të përdorte ujin e nxehtë dhe shkelmat, madje dhe përdorimin e barrikadave prej metali për të mbajtur nën kontroll njerëzit, një pjesë e madhe e të cilëve kishin qëndruar në radhë për më shumë se dy ditë. Afro 570 mijë bileta të tjera për ndeshjet e turit eliminator të futbollit u nxorën në shitje në Tianjin, Shangai, Shenyang dhe Kinhuangdao, ku disa vende në stadiume janë të disponueshme. Gjithsesi organizatorët besojnë se këto bileta shumë shpejt do të kalojnë në duart e tifozëve.

Kërkesa e madhe për një vend në eventet olimpike vendosi nën presion sistemin e biletave dhe organizatorët, që gjatë nëntorit u detyruan të ndërprisnin një raund të shitjeve në Kinë, pasi sistemi kompjuterik pësoi "black-out". Shitjet e biletave ndryshojnë nga një Olimpiadë te tjetra: në Athinë 2004 u shitën vetëm dy të tretat e 5.3 milionë biletave të stampuara dhe në shumë impiante vendet boshe dukeshin qartë. Bileta më e shtrenjtë në Pekin 2008 është ajo për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes, që kushton 645 dollarë amerikanë. Ndërkohë, 58 për qind e biletave kushtojnë nga 12.90 dollarë e poshtë, pasi synimi është që të gjitha shtresat e popullsisë kineze të jenë të pranishme në Olimpiada.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama