Zhgenjen Gerti Trasha skualifikohet nga gara

Zhgënjen Gerti Trasha, skualifikohet nga gara
E ka nisur konkurrimin e tij në peshën 69 kg me 136 kg në provën e tij të parë dhe nuk ka mundur ta ngrejë këtë peshë as në dy provat e tjera, duke u skualifikuar nga gara. Sipas shefit të misionit të ekipit tonë olimpik, Fidel Ylli, shkaku kryesor është mospërshtatja e duhur me orarin e garës.

Konkurrimi për peshëngritësin tonë me orën e Pekinit ka nisur në orën 10.00 (ora 4.00 e mëngjesit me orën tonë). "Për mua, shkaku kryesor që Gerti Trasha nuk arriti të ngrinte asnjë peshë është pikërisht mospërshtatja me orarin e garës. Sipas programit, gara për të niste në orën 10.00 (ora 04.00 e mëngjesit në Shqipëri), ndërkohë që ai duhej të ishte në pallatin e sportit ku zhvilloheshin garat që në orën 8.00 me orën e pekinit (ora 02.00 e natës në Shqipëri).

Por për të mbërritur në pallat në orën e caktuar duhej të ngrihej një orë përpara. Nuk dua aspak të shfajësoj peshëngritësin Gerti Trasha, por mendoj se kjo që ndodhi është një gabim i trajnerëve, që nuk arritën t\'i ambientonin sportistët me orarin e garave,"- shprehet shefi i misionit, Fidel Ylli, i cili është po aq i zhgënjyer për këtë përfaqësim.

Që në momentin e nxehjes, Trasha ka lënë të kuptojë se do ta kishte shumë të vështirë garën. Ai gjithsesi ka hyrë me synimin për të ngritur 136 kg në stilin e parë, atë të shkëputjes, dhe nuk ka mundur ta ngrejë shtangën në tri provat e mundshme të këtij stili. Kësisoj, ai është skualifikuar nga konkurrimi dhe nuk ka marrë pjesë as në stilin e dytë, atë të shkëputjes. Kjo sepse në garat olimpike klasifikimi për peshëngritjen bëhet në bazë të peshës që ke ngritur në të dy stilet, pra në dygarësh.

Duke qenë se Trasha nuk ka mundur të regjistrojë asnjë peshë në stilin e parë, nuk është klasifikuar për dygarëshin. Gerti Trasha konkurroi në baterinë B të peshës 69 kg. Objektivi i tij ishte klasifikimi ndër 8-10 më të mirët e kësaj peshe. Gjithsej në peshën 69 kg kanë konkurruar 30 peshëngritës, të cilët u ndanë në dy grupe A dhe B, bazuar në deklarimet që kanë bërë paraprakisht peshëngritësit para garës. Gerti Trasha dhe trajneri i tij Ilir Çela patën deklaruar se si objektiv në konkurrimin e tij në Lojërat Olimpike kishin ngritjen në total të 315kg.

Nga 30 peshëngritës që morën pjesë. 6 prej tyre, përfshi edhe Trashën, nuk janë kualifikuar në dygarësh, duke humbur provat në dy stilet e shtangës, shkëputje dhe shtytje. Kampion olimpik i peshës 69 kg u shpall përfaqësuesi i Kinës Liao Hui, me 348 kg në dygarësh, i ndjekur nga Dabaya Tientcheu Vencelas i Francës me 338 kg në dygarësh dhe në vend të tretë armeni Tigran Gevorg Martirosian me 338kg.

Aida Tuci
Nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama