Gjithcka ne duart e Prizrenit

Gjithçka në duart e Prizrenit
“Sahit Prizreni megjithëse ka qenë i dëmtuar në ligamentin e gjurit të djathtë, ka vazhduar rregullisht me seancat e stërvitjes, me një ndryshim të programit, duke mos u futur për një javë rresht në tapet. Ai ka bërë më tepër ushtrime të tjera speciale dhe vrapime. Në të njëjtën kohë ka vazhduar terapinë në klinikën e fshatit të ndjekur nga mjekët kinezë dhe nga një mjek sportiv i licencuar në Kanada për të gjitha llojet e traumave dhe terapive sportive, një shqiptar që jeton prej vitesh në Toronto, ku ka hapur dhe klinikën e tij private. Me ftesën time ai ka ardhur me të gjitha shpenzimet e veta për t’i shërbyer delegacionit shqiptar në këtë Olimpiadë dhe kryesisht Sahit Prizrenit që ka pasur më shumë nevojë për të”, u shpreh për “Panorama Sport”, Ylli.

Peshimi

Shefi i misionit sqaron se Prizreni do të peshohet në orën 3 sipas orës së Pekinit dhe më pas do të hidhet shorti, ku Prizreni do të njihet me rivalin e parë në tapet. “Nesër (sot) ai ka peshimin në orën 3 sipas orës së Pekinit. Më pas do të shohim se me cilin sportist do të përballet në ndeshjen e parë, pasi ajo është shumë e rëndësishme. Sipas sistemit aktual, nëse humb ndeshjen e parë eliminohesh direkt nga konkurrimi. Të drejtën për të vazhduar e ke nëse sportisti që të mund ty vazhdon, fiton dhe del deri në finale. Atëherë ty të jepet mundësia të bësh ndeshjen e dytë. Para nisjes e kemi thënë që pjesë e delegacionit që meriton vëmendje është dhe flamurmbajtësi shqiptar në këtë olimpiadë Sahit Prizreni, i cili është mbajtësi i vendit të tretë në kampionatin e fundit botëror 2007, të zhvilluar në Azerbajxhan. Sahiti Prizreni është ndeshur me të gjithë kundërshtarët e tij që ka në këtë peshë. I ka mundur dhe e kanë mundur. Janë të gjitha mundësitë që ai të futet në zonën e medaljes, por nuk mund të përjashtojmë dhe mundësinë e eliminimit që në ndeshjen e parë për arsye të sistemit të kualifikimit që ka Federata Ndërkombëtare e Mundjes. Kjo nuk vlen për t’u justifikuar, por është një fakt i pa kundërshtueshëm, pasi ndodhi në peshën e Elis Gurit, ku shorti që në ndeshjen e parë e përballi Elisin me mbajtësin e titullit kampion olimpik dhe mundësin më të mirë të Lojërave Olimpike “Athina 2004”. Elisi e mundi atë që në ndeshjen e parë dhe egjiptiani u eliminua nga gara. Pra, ky lloj sistemi do dhe pak fat në short, por Sahiti është mirë dhe e gjithë vëmendja jonë është e përqendruar tek ai. Të shpresojmë për ndeshje të mira të tij dhe për rezultat pozitiv. Unë mesa shoh jo si shefi i misionit, por dhe si specialist i mundjes kam besim te forma e tij, performanca e tij si mundës, apo edhe tek intelekti që ka ai në ndeshje dhe në zgjidhjen e situatave të vështira. Besoj se Sahiti nëse nuk do t’i krijohen probleme me këmbën, të cilën e ka më mirë, do na kthejë buzëqeshjen në kampin olimpik. Le të shpresojmë që të mos jetë më shorti, ai që do të vendosë për imazhin e sportit shqiptar. Sahiti vetë është i qetë dhe ka dhe 1 kg për të rënë nga pesha dhe po e pret me shumë qetësi këtë përballje madhore për të”, shtoi Ylli për gazetën.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama